Shkup, 2 shkurt – EVN Maqedoni nga fillimi i vitit filloi me dërgim të faturave me pamje të re për konsumatorët. Faturat me dizajn të ri, duhet të u mundësojnë lexim të lehtë të të gjitha të dhënave që janë pjesë përbërëse e faturës. Në faqen e parë të faturës, në pjesën e mësipërme janë të shënuara të dhënat në lidhje me konsumatorin dhe faturën. Në mënyrë transparente është treguar konsumimi i energjisë elektrike i shprehur në kWh dhe denarë për tarifë të ulët dhe të lartë. Diagrami në pjesën e poshtme në të majtë, qartë tregon se ku dhe në çfarë përqindje shkojnë paratë që i paguajmë për energji elektrike të konsumuar.
Në faqen e dytë janë të shënuara këshillat për kursim, mënyrat e pagesës së faturës dhe udhëzim për pagesë të faturës onlajn, me çka faturat mund të paguhen përmes kompjuterit pa komision pagese dhe duke shmangur pritje në rresht në sportele. Përveç pamjes, EVN Maqedoni dërgoi edhe fatura dygjuhëshe tek konsumatorët që flasin gjuhën shqipe. Me këtë, këta konsumatorë njëkohësisht pranojnë faturë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe. Fatura në gjuhën shqipe ka qenë në dispozicion të konsumatorëve veçmë disa vite me radhë, por e njëjta dërgohej me kërkesë të vetë konsumatorit. Konsumatorët edhe më tutje mund të drejtohen te EVN për pranim të faturës në gjuhën shqipe ose ta anulojnë të njëjtën.