Përveç banorëve të Sllupçanit, pa energji elektrike janë edhe fshatrat Orizare, Vaksincë, Allashec, Runicë, Izvor dhe Bellanoc, informuan sot nga EVN duke treguar se banorët e Sllupçanit kanë shkaktuar defekt të përmasave më të mëdha. Ndërsa banorët kërkojnë nga komisioni për Antikorrupsion dhe Prokuroria e shtetit që të jenë në shërbim të popullit ta hetojnë EVN-në
Anëmsha SHABANI
Kumanovë, 27 korrik – Pas përplasjeve mes kompanisë energjetike EVN-Maqedoni dhe banorëve të fshatit Sllupçan, Komuna e Likovës pjesërisht po kalon 24 orëshin pa rrymë. Përveç banorëve të Sllupçanit, pa energji elektrike janë edhe fshatrat Orizare, Vaksincë, Allashec, Runicë, Izvor dhe Bellanoc, informuan sot nga EVN, duke treguar se banorët e Sllupçanit kanë shkaktuar defekt të përmasave më të mëdha. Nga kompania përkujtojnë se para disa javësh pati defekt të ngjashëm kur banorët e këtij fshati manipuluan me një objekt energjetik dhe i lanë disa fshatra të Likovës pa energji elektrike.
Nga EVN thonë se derisa nuk garantohet siguria e të punësuarve të elektro-shpërndarjes nuk do t’i kryejnë detyrat e punës, duke përfshirë edhe menjanimin e defekteve. “Banorët e Sllupçanit i kanë 13 kërkesa që kompania ua ka dorëzuar mediave, me të cilat kërkojnë t’u falen borxhet e mëparshme, të cilat, siç thonë nga kompania, kapin shumën prej disa mijëra eurosh, për të marrë lidhje të reja falas, pavarësisht se sa shumë do të shpenzojnë në të ardhmen që të mos u faturohen më shumë se 3.000 denarë, që objektet fetare të lirohen nga pagesa dhe kërkesat e tjera të ngjashme, të cilat i shton EVN, ndërsa janë në kundërshtim me rregulloret ligjore”, njoftoi kompania. Sipas të dhënave të kompanisë, humbjet në Sllupçan janë 80 për qind ndërsa pagesa është 20 për qind.
Nga ana tjetër banorët e këtij fshati reagojnë se asnjë trafostacion nuk është shkatërruar, thjeshtë kompania po mundohet të dezinformojë opinionin duke na paraqitur si njerëz të egër. Ata kërkojnë nga Komisioni për antikorrupcion dhe prokuroria e shtetit që të jenë në shërbim të popullit, ta hetojnë këtë gjë sepse kjo nuk është gjë e vogël në rast të një shpifjeje kaq të madhe, reagojnë banorët.
Ata informojnë për KOHA se një numër i madh i banorëve janë pagues të rregullt, pjesa e vogël që nuk paguajnë rrymë janë ish-ushtarë dhe invalidë të luftës që nuk mund të mbijetojnë me një ndihmë sociale as për ushqimet elementare jo më për një faturë marramendëse. “Kjo situatë po ma kujton kohën e 2001, ishte situatë e ngjashme me tension dhe pa rrymë, e tani pas më shumë se dy dekadash po duket që të njëjtit po përsërisin të na sprovojnë durimin. Komuna e Likovës, jo rastësisht është zgjedhur vendi i paqes, ne paguajmë taksa, edhe atë taksa shumë ta larta që nuk kanë krahasim me fshatrat maqedonase përreth Kumanovës. Nuk kemi shkaktuar asnjë problem dhe koha do ta vërtetoj atë, nuk jemi as kundër vendosjes së orëmatësve, por pasi të vendosen në Umindoll, Ljubodrag, Novo Sellë..”, deklaron për KOHA, Fatmir Asani, banorë dhe mjek i fshatit.
Ai thekson se jeta e njerëzve të moshuar po vihet në rrezik, ku ai pa energji elektrike, nuk ka mundësi ti kurojë dhe as të shkruaj barna pacientëve.
Ndërkaq Xhemail Sejdija, banorë dhe profesorë i këtij fshati ka siguruar për KOHA disa fotografi të orëmatësve, ku vërteton se orëmatësit kanë qenë në një pjesë të madhe të fshatit. Ai gjithashtu tregon faturat e rrymës të paguara trefish nga shuma e duhur. “Unë si fshatar i Sllupçanit dhe pagues i rregull i rrymës, reagoj deri kompania EVN- se janë bërë 24 orë nga ndalesa e rrymës. Mbi 70% janë pagues të rrymës ,një pjesë e orëve janë jashtë shtëpive. Sot nëpër fshat po dëgjohen agregatët dhe fshati që është përplote me mërgimtar u larguan nëpër vendet tjera…Në fshatin Sllupçan dhe Orizare ka pleq të sëmurë, vdekje,dasma dhe ju si kompani së bashku me Komunën dhe Këshillin që merrni pjesë kërkojmë që urgjentisht të merret një vendim për ta tejkaluar këtë gjendje”, reagon Xhemail Sejdija, banorë i fshatit Sllupçan.
Me faturat që ai dorëzoi tek KOHA, Sejdija tregon se dy muaj nuk ka qenë në shtëpi dhe fatura mujore ka qenë 6.000 deri në 7.000 denarë. Ai gjithashtu informon se më 30 korrik organizohet 40 vjetori i shoqërisë kulturore-artistike “Jeta e Re” në nderë të banorëve dhe mërgimtarëve, por rryma po i vështirëson përgatitjet. Ndërkaq, edhe sot fshati Sllupçan i Komunës së Likovës dhe fshatrat përreth Orizare, Vaksincë, Allashec, Runicë, Izvor dhe Bellanocë akoma përballen me ndërprerje në furnizim për shkak të një defekti serioz, njoftojnë nga EVN Maqedoni. (koha.mk)