Të ballafaquar me krizën e thellë financiare sektori shërbyes si duket ka dashur në mënyrë sa më të shpejtë të kompensojë dëmin financiar që kriza iu ka shkaktuar. Për pasojë, të gjitha rekomandimet nga Qeveria kanë hasur në veshë të shurdhër, për shkak të shkeljeve të shumta që janë evidentuar
Hekuran JASHARI
Shkup, 2 qershor – Sektori shërbyes së bashku me atë të turizmit, ka qenë në goditje të madhe që në fillim të krizës së me virusin Covid-19. Me vendimin e qeverisë me 13 mars , në pajtueshmëri me masat kundër Covid 19, lokalet, kafiteritë, dhe baret ishin mbyllur me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit . Në mënyrë që të mos dëmtoheshin këto biznese qeveria kishte marrë masa financiare për ndihmë ndaj këtij sektori, mirëpo sipas sektorit shërbyes ato masa kanë qenë të pamjaftueshme për rikuperimin e tyre financiarë, dhe do i duhet kohë që të biznesi i tyre ti kthehet në normalitet pas humbjeve të mëdha që ata kanë pësuar.
Pas heqjes së orës policore, dhe lajmit se do të ketë lirim të masave për sektorin shërbyes, përfshi hapjen e lokaleve dhe restoranteve, disa kafene nuk kanë ngurruar ta shfrytëzojnë klimën relaksuese, dhe të hapen një ditë më herët, pa kurrfarë respektimi të masave. Kjo ka çuar edhe në reagimin e Inspektoratit shtetëror të tregut, cili ka paralajmëruar sanksione të rrepta për të gjithë ata që nuk respektojnë masat. Si pasojë e zhvillimeve pozitive në vend në luftë kundër virusit korona, Qeveria kishte marrë vendim, që sektori shërbyes të fillojë me punë, por kësaj radhe me masa më shtrënguese në krahasim me disa prej masave para 13 marsit, datë kjo kur qeveria kishte urdhëruar që sektori shërbyes ti mbyll objektet e tyre. Protokolli i tanishëm përfshin distancën mes tavolinave prej 1,5 deri më 2 metra, mjete dezinfektues në çdo tavolinë, lejohet mbledhja edhe nga 12 persona nëpër tavolina por me kusht që të ketë distancë në mes karrigeve prej 2 metra. Me masat e reja është paraparë edhe shkurtim të orarit të punës prej orës 8 – 22. Përpos tjerash sipas protokollit , kërkohen masa të intensifikuara sanitare-higjienike, ku në fund të ndërrimit të punës, është i detyrueshëm pastrimi mekanik dhe dezinfektimi i tërë objektit.
Të ballafaquar me krizën e thellë financiare sektori shërbyes si duket ka dashur në mënyrë sa më të shpejtë të kompensojë dëmin financiar që kriza iu ka shkaktuar. Për pasojë, të gjitha rekomandimet nga Qeveria kanë hasur në veshë të shurdhër, për shkak të shkeljeve të shumta që janë evidentuar në sektorin shërbyes nga ana e Inspektoratit shtetërorë të tregut, ku vërehet përmirësim vetëm 10 deri me 15 %, krahasim me periudhën para 13 marsit. Mirëpo pronarët e kafeterive dhe restoranteve janë kundërpërgjigjur duke thënë se i kanë respektuar masat në maksimum, dhe se ende është herët pas tre ditëve punë të gjykohet mbi punën e tyre. Sipas tyre, madje, nuk mundë të ketë masa më të rrepta për kafenetë dhe baret, kurse më të lehta për transportin publik, bankat dhe mini-marketet, ky është një standardi i dyfishtë. (koha.mk)