EVI REÇI: Një ”dhimbje” personale… (FOTO)

38

Ka treguar talentin e saj jo vetëm në muzikë pasi tashmë e njohin dhe si moderatore dhe gazetare, mirëpo duke mos lënë anësh aspak muzikën. Ai zë melankolik i skenës shqiptare po vjen në festivalin e fundvitit në RTSH duke sjellë kështu një këngë mjaftë të bukur. Evi Reçi vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon detaje mbi projektin e saj

KOHA: Keni publikuar së fundmi këngën më të re me të cilën konkurroni në festivalin e fundvitit në RTVSH, na flisni pak më shumë rreth realizimit të këtij projekti?

Është hera e parë që po marrë pjesë tek ky festival dhe pas shumë kërkimesh vendosa të vij me një këngë që e karakterizon stili i veçantë. Falënderoj autorët Olsa Toqin, Florian Zyken dhe Enis Mullajn për këtë produksion kaq profesional.

KOHA: Teksti është i thellë dhe jeni shprehur se ka të bëj me një ndjenjë të jashtëzakonshme. Çfarë emocioni ju jep momenti kur interpretoni atë?

Teksti është një gjendje e imja personale e cila u përkthye në muzikë dhe tekst. Është një ”dhimbje” personale që si çdo njeri mundohet ta ”tjerri” jashtë shpirtit.

KOHA: Vini për të disatën herë në këtë festivali? Pse vendosët që ta sprovoni veten në një kompeticion muzikor?

Në këtë festival vij për herë të parë. Ndërsa nëpër gara të tjera si Kënga Magjike apo dikur në Top Fest e kam provuar veten disa herë. Ky kompeticion ka historinë dhe prestigjin e vetë, ndaj dhe vendosa të marrë pjesë.

KOHA: Cilat janë pritshmëritë në këtë festival?

Që kënga të marri atë që meriton, si në pozicionim apo në çmim po patjetër të dëgjohet sa më shumë nga njerëzit.

KOHA: Keni dëgjuar këngët konkurruese, keni ndonjë favorit?

I kam dëgjuar shumicën, por ngaqë i kam shumicën e tyre miq dhe kolegë, do preferoja mos të thosha dikë që mos t’i ngeli hatri dikujt tjetër.

KOHA: Si do të jetë performanca juaj nëse vazhdoni në finale?

Do të jetë e veçantë, dhe nuk do të jem vetëm në skenë… prisni surpriza!

KOHA: Po cilat janë projektet që keni punuar deri më tani apo jeni fokusuar pikërisht tek kënga e festivalit?

Unë jam përditë prezantuese në Vizion Plus në emisionin ”Vizioni i pasdites” që është dhe angazhimi im kryesor. Ndërkohë që po përgatitem për festivalin, i cili është prioritet këtë muaj.