Bana Alabed, vajza 7-vjeçare e cila i tregoi gjithë botës nëpërmjet Twitter-it atë që pa me sytë e saj në javët e ashpra të luftimeve në Aleppo, tashmë është evakuuar nga zona lindore dhe është shëndoshe e mirë. 7-vjeçarja ishte pjesë e grupit të parë të të evakuuarve nga Aleppo lindore në orët e vona të së dielës, kohë kur rinisi procesi i largimit të civileve dhe rebelëve nga dy qytetet e fundit. Fatemah, mamaja e 7-vjeçares që preku të gjithë botën me postimet e saj, u tregoi reporterëve se kishin mbetur të bllokuar në një nga autobusët e evakuimit për të shumë se 24 orë pa ujë dhe ushqim. Bana u bashkua me miliona përdorues të Twitterit në muajin shtator të këtij viti, për të treguar copëza nga jeta e saj që çdo moment rrezikonte të merrte fund. Në postimet e saj në Twitter, ajo ka transmetuar çdo detaj të jetës së saj, që nga vdekja e shoqes së saj të vogël deri tek ëndrrat e saj për një jetë pa luftë. Përgjatë udhëtimit në Twitter, 7 -vjeçarja siriane arriti të kishte mbi 300 mijë ndjekës. Të paktën 350 persona raportohet të jenë larguar të dielën e vonë nga zonat rebele.