EVA PASHA: Janë shumë faktorë që e bëjnë një femër MISS (FOTO)

Eva ka mjaft foto të bukura, linja modeleje dhe fare mirë e mban titullin ndër më të mirat e Miss Universe sepse është e tillë. Flasim pak më shumë me Evën për InfraRed të gazetës KOHA dhe zbulojmë dëshirat, pasionin për këtë fushë e shumë e shumë gjëra të tjera të bukura! Eva Pasha është modelja simpatike që doli në 6 vajzat më të mira në konkursin e bukurisë “Miss Universe 2019”

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Dole në Top 6 më të mirat në konkursin e bukurisë “Miss Universe Albania 2019”. Ç’do të thotë kjo për ty?

Kur u futa në këtë konkurs pritshmëritë e mia ishin të mëdha, pasi jam një vajzë me shumë vetëbesim, dhe te dalësh në Top 6 nga 20 vajzat që marrin pjesë është një kënaqësi e madhe dhe unë jam shumë e lumtur që arrita deri këtu se nuk dola vetëm në top 6, por mora dhe bursë tek UET dhe mbi të gjitha mora dashurinë e gjithë publikut. Është lumturi kur publiku mes duartrokitjesh bërtet emrin tënd.

KOHA: Cili është ndryshimi nga modele në miss?

Tek modelja ka më shumë rëndësi trupi dhe ecja nëpër pasarela, ndërsa tek missi shihen shumë gjëra trupi, bukuria, sharmi, sjellja, edukimi. Janë shumë faktorë që e bëjnë një femër të quhet miss.

KOHA: Cilat mendon se janë hapat që duhen ndjekur për të qenë ikonë e modës?

Të punosh shumë me veten, me linjat, të jesh gjithmonë vetvetja, të ecësh gjithmonë me kohën, të frymëzohesh nga dikush që ka qenë si ty në fillimet e veta.

KOHA: Çfarë mund të themi për jetën sentimentale të Evës?

Këtu preferoj mos të flas shumë (qesh). Këtë pjesë dua t’a mbaj sa më private.

KOHA: Kë konsideron ikona bukurie si femërore, po ashtu edhe mashkullore?

Gjithmonë e ndjek të bukurën, në Shqipëri adhuroj Adrola Dushin, Angela Martinin, ndërsa në botë ka shumë dhe Adriana Lima është një prej tyre. Sa i përket pjesës mashkullore nuk është se kam ndonjë preferencë.

KOHA: Vajzat e bukura paragjykohen gjithnjë pikërisht pse janë të bukura. Po ti, ç’mendim ke për vajzat e bukura?

Është shumë e vërtetë, por dua të them vetëm diçka për këtë gjë duke u bazuar tek missi i këtij viti. Ky kompeticion ishte pasqyrim i lëvizjes feministe pasi na shfaqet një platformë ku mësojmë të duam veten, të tregojmë se përpos bukurise dhe feminilitetit janë 20 vajza që në jetën e tyre të përditshme janë, motra, bija, mjeke, juriste, vullnetare, biznesmene, të cilat me zërin e tyre janë të afta të ndryshojnë botën. Prandaj një femër e bukur që arrin diçka me pamjen e saj s’është vetëm një objekt por një femër që ka luftuar shumë. Gjithsesi e rëndësishme është të ecim përpara, njerëzit gjithmonë do kenë diçka për të thënë!

KOHA: Sa e bukur ndihesh brenda vetes?

Ndjehem mirë përderisa mora pjese në një konkurs vetëbesimi. Unë jam gjithmonë me idenë që çdo femër duhet të ndihet e bukur.

KOHA: Vazhdojnë të të shoqërojnë emocionet e mbrëmjes së Miss Universe?

Ka kaluar gati një muaj në fakt që nga nata finale, por kur shikoj foto apo momente nga ajo skenë akoma ndjej emocionin e asaj nate, por jo vetëm, ndjej një nostalgji për gjithë rrugëtimin tim në Miss Universe.

KOHA: Cilat kanë qenë eksperiencat  e tua të mëparshme në botën e bukurisë?

Nuk kam pasur asnjë eksperiencë më përpara.

KOHA: Kush ka qenë mbështetja kryesore për ty?

Familja dhe shoqëria kanë qenë mbështetja ime më e madhe. Ata më shtynë të merrja pjesë.

KOHA: Sa të aftë e ndjen veten për t’u paraqitur denjësisht në botën e bukur por të vështirë të modelingut?

Bota e modelingut është një botë e vështirë, sepse rrugës përballesh me vështirësi, por nëse ke vetëbesim dhe i ke të qarta qëllimet e tua gjithçka arrihet.

KOHA: Besoj se pas pasarelave, ku të gjithëve u duket gjithçka e bukur, ka edhe stres, egoizëm, zilira… Sa e vështirë është t`i përballosh të gjitha këto, duke marrë parasysh që pjesa më e madhe e vajzave e fillojnë këtë eksperiencë shumë herët?

Unë jam tip shumë pozitiv. Adhuroj punën e të tjerëve, jam fanse e së bukurës. Kurrë nuk kam pas zili, por di që sot femrat e kanë pak të vështirë të mbështesin njëra-tjetrën, por unë gjithmonë shikoj punën time, mundohem gjithmonë të  përmirësoj veten pa humbur atë që më bën unike nga të tjerat.