Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU) njoftoi sot se Tel Aviv do të jetë qyteti pikëpritës për edicionin e 64-të të “Eurovizionit”.Pas disa muaj bisedimesh, organizatorët thonë se ata kanë zgjedhur Tel Avivin dhe jo Jerusalimin, për shkak të infrastrukturës dhe mundësive që ofron. Finalja do të mbahet më 18 maj 2019 dhe gjysmëfinalet janë planifikuar për në 14 dhe 16 maj, në Qendrën Expo në Tel Aviv.
“Ne duam të falënderojmë të gjitha qytetet izraelite, të cilat përfshihen në organizimin e “Eurovizion 2019” dhe televizionin kombëtar KAN, i cili na ndihmoi gjithashtu që të bëjmë një vlerësim bazë përpara se të marrim një vendim përfundimtar. Ne e konsiderojmë se Tel Avivi ofrojn zgjidhjen më të mirë për festivalin më të madh muzikor. Ne jemi të ngazëllyer që festivali do të ndodhë në qytetin e ri dhe jemi të kënaqur që do të punojmë me KAN-in për të bërë “Eurovizionin” më të spikatur deri më sot”, tha Jon Ola Sand, president i EBU, transmeton gazetamtro.net.
Mediat izraelite thonë se Tel Avivi u zgjedh për shkaqe të sigurisë më të madhe.