Në një letër të përbashkët, 32 deputetë të Parlamentit Evropian i kërkuan kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, që të vënë në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Nga e mërkura Gjermania merr kryesimin e Bashkimit Evropian.
Në letrën e nënshkruar edhe nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, deputetët thanë se ka dy vjet që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.
“Aktualisht, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga qytetarët e Kosovës. Procesi për të siguruar liberalizimin e vizave supozohet të mbështetet në kritere objektive, të cilat, siç njoftohet nga Komisioni Evropian, janë përmbushur në korrik të vitit 2018, saktësisht dy vjet më parë, dhe që atëherë vendi ka pritur vendimin përfundimtar të Këshillit për liberalizimin e vizave”, thuhet mes tjerash në letër.
Deputetët shfaqin shpresën se lidhjet historike dhe angazhimi i Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor mund të përdoren për të zgjidhur këtë çështje. Ata hedhin poshtë pretendimet se Kosova nuk mund të përfitojë për shkak të numrit të kërkesave të pabazuar për strehim dhe problemeve me krimin e organizuar.
“Kosova ka përmbushur standardet. Ajo i ka kryer detyrat e shtëpisë, tani është radha jonë të mos e thyejmë premtimin. Ne po humbasim besueshmërinë tonë kur një vend po bënë atë që ne kërkojmë, por ato nuk përfiton nga premitmet tona. Si mund të kërkojmë ndonjë reformë tjetër nga vendet në fqinjësi, kur ata nuk mund të jenë të sigurt se mund të përfitojnë ndonjë gjë nga puna e tyre?” theksohet në letër.