Ky solidaritet i shteteve evropiane, përfshi edhe, SHBA-të, Arabinë Saudite, Turqinë, Emiratet e Bashkuara etj. po dëshmon se Shqipëria nuk është jashtë orbitës së interesimit ndërkombëtar dhe i mbetet klasës politike, pushtetit dhe opozitës, që ta përkthejnë këtë interesim në angazhime konkrete
Nga Emin AZEMI
Konferenca e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” që u organizua nga Bashkimi Europian mblodhi përfaqësues nga 100 shtete, për mbështetjen e programit të rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit më 26 nëntor 2019.
Një shumë prej 1.15 miliard euro në formë financimesh direkte, investimesh për ndërtime banesash apo rikonstruksione të infrastrukturës, granteve, huave apo mbështetjes për programe zhvillimi u grumbullua në përfundim të Konferencës ndërkombëtare të donatorëve, e zhvilluar në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor të vitit të shkuar. Shuma e grumbulluar shkon përtej dëmeve të përllogaritura në 1.08 miliard euro.
Në Konferencën e donatorëve kushtuar Shqipërisë Presidentja e KE, Ursula von der Leyen ka publikuar një video në tweeter ku thotë se ende është e emocionuar pasi gjatë Konferencës së Donatorëve Shqipërisë iu dhanë 1.15 miliardë euro në formë grantesh, programesh apo huash.
Presidentja e KE tha se do të nënshkruajë një marrëveshje me kryeministrin Rama për të bërë gjithçka në mënyrë transparente, ndërsa shtoi se do të dërgojnë në Shqipëri një grup ekspertësh, për të ndjekur nga afër të gjithë procesin.
Banka Islamike për Zhvillim,ku Qeveria Saudite është aksioneri kryesor, garantoi 365 milionë euro për projekte në 5 vitet e ardhshme në fushën e infrastruktures dhe arsimit, kryesisht në zonat e prekura nga tërmeti. Po ashtu 50 milionë euro të tjera nga IBD do të shkojnë për ndihmë në mbështetje të biznesit.
Franca është deri më tani shteti që ka premtuar të dhurojë shumën më të madhe për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Mësohet se Franca do të japë gjithsej 160 milionë euro, ku 100 milionë euro do të jenë përmes financimit të projekteve të zhvillimit, kurse 60 milionë euro vetëm për zonën e Durrësit në formë granti.
Ky solidaritet i shteteve evropiane, përfshi edhe, SHBA-të, Arabinë Saudite, Turqinë, Emiratet e Bashkuara etj. po dëshmon se Shqipëria nuk është jashtë orbitës së interesimit ndërkombëtar dhe i mbetet klasës politike, pushtetit dhe opozitës, që ta përkthejnë këtë interesim në angazhime konkrete që do ta ngrehin Shqipërinë nga stadi i emergjencës në atë të të arriturave të gjithanshme. Lajmi për Shqipërinë dhe nga Shqipëria nuk është krejt njësoj nëse nuk arrihet të krijohet një diferencë në mes të asaj që atë e bën dinjitoze në sytë e komunitetit ndërkombëtar dhe asaj që e bën të turpërohet për situatat që i prodhon politika e keqe. (koha.mk)