Suedia është shembulli më i ri. Më fillimin e krizës së refugjatëve, gati në të gjitha zgjedhjet në vendet e BE-së kanë fituar terren të madh partitë populiste të djathta. Në disa vende ato madje bashkëqeverisin
– Itali. Shokëve të idealit, ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini i uroi gjithë të mirat për votimet. Në Itali partia e tij “Lega Nord” është politikisht shumë më përpara se Demokratët Suedezë. Lega Nord vërtet që zuri vendin e tretë në zgjedhje, por bashkë me lëvizjen “Pesë Yjet” ajo u fut në koalicion si partneri më i vogël. Që atëherë, Salvini sundon skenën politike europiane me një politikë të fortë kundër të huajve, ai është aq prezent, sa madje disa e mbajnë atë për kreun e qeverisë. Gjuha e tij nxitëse dhe politika kundër të huajve gjejnë rezonancë. Gati 100 ditë pas hyrjes në koalicion, Lega Nord ndodhet në krye të sondazheve me 30%. Kujtojmë se në zgjedhje ajo arriti vetëm 17% të votave. Në drejtim të Merkelit, Salvini tha se ajo “nënvleftësoi rrezikun e konflikteve sociale, kur mendoi se kishte vend për qindra mijë njerëz në Gjermani”.
– Austri. Partia populiste austriake e lirisë, FPÖ ka pasur përvojë qeverisëse më të gjatë. Në vitin 1999, kjo parti doli partia e dytë më e fortë në zgjedhjet e atëhershme parlamentare, dhe krijoi një koalicion me ÖVP. Tani po kjo aleancë qeveris nga viti i kaluar me kancelar, Sebastian Kurz. Por FPÖ nuk duhet të luftojë shumë për një kurs të fortë në politikën e azilit. Sebastian Kurz vetë u zhvendos djathtas me politikën e tij për të mbajtur refugjatët larg Austrisë. Por FPÖ shkon edhe një hap më tej. Ministri i Brendshëm, Herbert Kickl kërkon t’i mbajë refugjatët “të përqendruar”, gjë që solli reagime të forta dhe akuzën se ai po përdor gjuhën e nacionalsocializmit.
– Gjermani. Në zgjedhjet e Bundestagut në shtator 2017, Alternativa për Gjermaninë, AfD arriti 12,6 të votave dhe me 94 vendet në Bundestag është partia e tretë më e fuqishme, dhe partia më e madhe opozitare. Miratimi për këtë parti vazhdon të rritet. Në sondazhet e fundit kjo parti ka arritur 15% të votave, dhe nganjëherë ajo arrin të kalojë vetë Partinë Socialdemokrate. Në disa sondazhe në Lindje AfD madje kryeson, duke kaluar edhe partinë CDU. Edhe pse ekspertët e politika e akuzojnë këtë parti për afrimitet me ekstremistët e djathtë dhe kërkojnë që të vëzhgohet nga Mbrojtja Kushtetuese, duket se asgjë nga këto nuk e ka dëmtuar AfD-në. Së fundmi kjo parti pritet të hyjë edhe në dy parlamentet e fundit të landeve në Bavari më 15 tetor dhe në Hesen më 28 tetor.
– Francë. Kur Marinë Le Pen nga Front National doli në raundin e dytë për ballë Emmanuel Macron, shumë vëzhgues kishin theksuar se bëhej fjalë as më pak e as më shumë, por për të ardhmen e Europës. Proeuropiani Macron fitoi dukshëm përballë Marine Le Pen 66% kundrejt 34%. Prej atëherë duket sikur Le Pen doli nga skena, në fund ajo arriti të ndërrojë emrin e partisë në Lëvizja Kombëtare e Përgjithshme. Por shumë përkrahës presin që mbesa e Le Pen, Marechal Le Pen të marrë timonin për ta arritur me të fitoren. Megjithatë edhe në Francë armiqësia ndaj të huajve dhe skepticizmi ndaj Europës janë bërë pjesë normale.
– Holanda. Para zgjedhjeve parlamentare në Holandë në mars 2017, në të gjithë Europën sundonte paniku mes partive tradicionale se çfarë rezultati do të arrinte Partia e Lirisë PVV e Geert Wilders. Rezultatet treguan kjo parti nuk doli triumfuese, por me rezultatin 13%, kjo parti zuri vendin e dytë, ndërkohë që socialdemokratët gati u shuan politikisht. Pas koalicionesh të vështira u arrit më në fund të krijohej një aleancë e qendrës më të djathtën. Por Wilders me qëndrimin e tij refuzues ndaj emigrantëve dhe islamit vazhdon të sundojë skenën politike në Holandë. Ndërkohë me Thierry Baudets është krijuar një parti tjetër e ekstremit të djathtë që ndjek qëllime identike si Wilders. Baudet paraqitet si njeri i kulturës, luan piano dhe flet latinisht, duke iu drejtuar kështu shtresës së arsimuar. Kështu djathtistët nuk do i marrin vota njëri-tjetrit, por më shumë do t’i shumojnë ato. (DW)