Paralajmërimet se Tirana mund të ecë përpara drejt BE-së, ndërsa Shkupi është larg nga qëllimi nëse nuk bën përparim me Sofjen, i ka zbehur shpresat se Maqedonia e Veriut shpejt do të fillojë negociatat me BE-në. Nëse kushtëzohet me identitetin dhe gjuhën, BE nuk na duhet, thotë kryeministri Zoran Zaev, por megjithatë vlerëson se është e mundur zgjidhje me Bullgarinë
Xhenur ISENI
Shkup, 8 maj – Për momentin, zgjidhja e kontestit mes Sofjes dhe Shkupit mbetet pezull. As Bullgaria tërhiqet nga kërkesat e saja, e as Maqedonia e Veriut nuk po tregon shenja se do t’i pranojë. Parashikimet për një ardhmëri evropiane po zbehen, ndërsa autoritetet duket se nuk kanë plan B, nëse anëtarësimi në Union mbetet i paarritshëm. Ato në vazhdimësi përsërisin se është i mundur kompromisi me Bullgarinë, por ajo deri më sot ende nuk ka ndodhur. Nëse kushtëzohet me identitetin dhe gjuhën, BE nuk na duhet, thotë kryeministri Zoran Zaev, por megjithatë vlerëson se është e mundur zgjidhja me Bullgarinë, i cili është kusht për fillimin e eurointegrimit. Nga ana tjetër, opozita vlerëson se BE patjetër duhet të fillon atë që ka premtuar, e jo vetëm të kërkon diçka shtesë.
Njohësit e proceseve politike thonë se nuk duhet të presim se së shpejti çështjet me Bullgarinë do të ndryshohen, ndërkohë krerët shtetërorë duhet koordinohet dhe më mirë të veprojë në zgjidhjen e problemit të cilat qëndrojnë në rrugën drejt BE-së. “Qeveria, madje edhe shoqëria në tërësi, nuk ka asnjë plan tjetër, mund të themi se është një qëllim, përveç integrimit në Bashkimin Evropian dhe kjo është një situatë që po zgjatet gjatë tri dekadave të fundit. Kjo është për shkak të dy faktorëve. E para është mos ekzistenca e një lidhjeje tjetër të tillë të shteteve që çon në përfitime të tilla të forta si anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Me fjalë të tjera, ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër kredibile të jashtme. Së dyti, shoqëria jonë kurrë nuk ka hapur një debat serioz mbi këtë çështje, anëtarësimi në BE shihet si rruga e vetme e mundshme që vendi mund të marrë. Si pasojë, ne as nuk kemi sqaruar brenda vendit se ku duam të shkojmë në të ardhmen, në kushtet kur anëtarësimi në BE mund të prolongohet më tej”, ka deklaruar Jovan Bliznakovski, politolog.
Kaluan gati se tre vjet pasi Qeveria u lavdërua se vendi ka marrë, siç tha kryeministri Zoran Zaev, datë të pastër si kristali, por Maqedonia e Veriut assesi të fillon negociatat me BE-në. Qeveria lavdërohej se nuk ka më çështje të hapura me fqinjët, por më pas mori bllokadë nga Bullgaria. Porosia më e re nga BE është se ka mundësi të ketë ndarje mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat deri më tani kanë shkuar në një pako në rrugën evropiane. Maqedonia e Veriut përparon, i zbaton reformat, por duhet të punon edhe pak, ishin porositë nga BE gjatë viteve të kaluara. Pastaj porositën se vendi e ka bërë të veten dhe në radhë të vepron tani është Unioni. Gati se gjithë në BE ishin për negociata me Shkupin, por jo edhe me Tiranën, por janë në pako të njëjtë, sepse procedura nuk mund të ndahet. Por, komesari për zgjerim Oliver Varhej gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut para disa ditëve porositi se megjithatë ndarja mes këtyre dy vendeve është e mundur.
Nga ana tjetër sot, Këshilli i Ambasadorëve me brengosje dhe habi e pranoi paralajmërimin e Komisarit për zgjërim të BE-së shqiptuar gjatë turnit të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor se është e mundur që Maqedonia dhe Shqipëria të ndahen gjatë rrugëtimit drejt anëtarsimit të plotë në BE poqese Maqedonia dhe Bullgaria nuk gjejnë gjuhë të përbashkët për çështjet identitare. Këshilli i Ambasadorëve nuk beson se qëndrimi i kushtëzuar i plasuar në opinion nga ana e Komisarit Varhej mund të jetë edhe qëndrim i përbashkët i BE-së. Qeveria deri më tani thoshte se nuk ka alternativë për integrimin në BE, dhe se deri sa presim në hyrje, do të tentojnë që Evropën ta sjellin në shtëpi. Ndërsa kërkuan që edhe BE të cakton datë, në të kundërtën do të ulej besimi në Union. Por pas porosisë nga komesari Varhej, kryeministri Zoran Zaev tha se nëse kushti për eurointegrimet janë identiteti dhe gjuha, atëherë, siç tha, BE nuk na duhet sepse do të kishim qenë pluhuri i humbur nga era.
Politologu, Bliznakovski mes tjerash thotë se pavarësisht nga perspektiva e integrimit, vendi ka ende rrugë të gjatë për të bërë, para se të bëhet një vend i denjë për të jetuar. “Unë mendoj se është koha për të adresuar të gjitha çështjet e hidhura dhe të vështira, kryesisht për veten tonë, dhe jo për anëtarësimin në BE, anëtarësimi duhet të jetë diçka dytësore. Reformat që çojnë në shtetin e së drejtës, demokratizimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, etj, duhet të zbatohen, kryesisht për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Më duket se, për fat të keq, kjo nuk është kuptuar sa duhet as nga politikanët dhe as nga qytetarët. Ndoshta kjo është arsyeja pse sot jemi në një situatë të ndjehemi të pashpresë kur perspektiva evropiane është në diskutim. Kjo nuk duhet të jetë kështu, pavarësisht nga perspektiva e integrimit evropian, ky vend ka një rrugë të gjatë për të bërë para se të bëhet një vend i denjë për të jetuar ku nuk do të ketë vend për korrupsion, klientelizëm dhe arbitraritet të elitave politike”, ka deklaruar për KOHA, Jovan Bliznakovski, politolog.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se nëse duhet të ulet në tryezë të njëjtë me BE-në si partnerë, atëherë duhet të ekziston besimi. “Kështu besimi humbet. BE duhet të fillon të zbaton premtimet, jo vetëm të kërkon. Evropa na tradhtoi”, tha Mickoski në një brifing me gazetarët. Ndërsa, kryeministri Zoran Zaev megjithatë shpreson se mund të ketë marrëveshje me Bullgarin edhe përskaj asaj që atje përsëri do të ketë zgjedhje parlamentare. Kryeministri pret që të negociohet edhe me qeverinë kalimtare në Bullgari.
Maqedonia e Veriut tanimë 15 vite pret datë për fillimin e negociatave me BE-në, ndërsa pjesë e pengesave ishin kontesti me emrin me Greqinë, që ishte zgjidhur me Marrëveshjen e Prespës, si dhe raportet me Bullgarinë, për zgjidhjen e së cilës ishte nënshkruar Marrëveshja për fqinjësi të mirë. Pastaj Maqedonia e Veriut ka pritur përgjigje pozitive nga Brukseli, por nuk mori datë për fillimin e negociatave, bashkë me Shqipërinë, sepse Franca vendosi që ta rishikon procesin e zgjerimit dhe të vendoset metodologji e re. Dhe kur vendi ishte në hap për fillimin e negociatave dhe të mbahet konferenca e paralajmëruar ndërqeveritare, vitin e kaluar në dhjetor mori bllokadë nga Bullgaria me arsyetimin nga Sofja se Shkupi nuk po respekton Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Sofja insiston edhe në pranimin që historia maqedonase, gjuha, kanë zanafillë bullgare, ndaj të cilës pati kundërshtim nga autoritetet e Shkupit dhe thanë se “për identitetin dhe gjuhën nuk do të negociohet”. (koha.mk)