Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e NATO-së, por anëtarësimin në BE e ka të vështirë edhe po ti caktohet datë për fillimin e bisedimeve, thonë analistët për gazetën KOHA, duke folur për aktualitetin politik në vend
Destan JONUZI
Shkup, 30 korrik – E pakontestueshme është që Maqedonia e Veriut të vazhdojë luftën e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Pas deklaratës së ambasadorit francez Kristijan Timonie se rasti “Shantazhi” mund të ndikojë në vendimin e Francës në caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian në tetor, analistët janë të ndarë mbi këtë çështje, por janë të një mendimi se anëtarësimi i vendit në NATO do të ndodh deri në fillim të vitit të ardhshëm. “Në NATO do të anëtarësohemi, ndërsa për në BE edhe po të në caktohet datë për fillimin e bisedimeve, ajo asgjë nuk do të thotë. Në përgjithësi nuk ka klimë të shëndoshë politike, shoqërore, ekonomike, juridike që procesi të marrë fund”, deklaroi për gazetën KOHA, Antoni Peshev, analist.
Nga ana tjetër, profesori universitar Mersim Maksuti thekson se rastet e fundit që janë pjesë e procesit të hetimit si “Shantazhi”, por dhe rastet tjera të mëhershme – në masë të madhe kanë dëmtuar kredibilitetin e PSP-së dhe humbjen e besimit në organet e drejtësisë. “Kjo rrezikon seriozisht perspektivën evropiane të vendit dhe mos marrjen sërish të datës për fillim të negociatave me BE-në. Duhet të kërkohet që bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi të bëjë presion dhe të monitoroj me rreptë zbatimin e reformave dhe vendosjen e drejtësisë në këtë vend”, deklaroi Maksuti.
Nga ana tjetër, Qeveria spanjolle ende nuk është formuar. Spanja si vend anëtarë i NATO-s duhet të ratifikojë protokollin për anëtarësim, por edhe kjo nuk është problem pasi që sipas ekspertëve të kësaj fushe, ekziston mekanizëm ad hoc që NATO mund ta përdorë për qeveritë në largimin me qëllim që të mos pengohet procesi. Përndryshe reformat në gjykata si kusht për euro-integrimet e vendit ishin tema kryesore edhe në takimet e përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe SHBA-së, Han dhe Riker në Shkup. (koha.mk)