Bruksel, 6 shkurt – Komisioni për punë të jashtme i Parlamentit evropian kërkoi që fondet parainkuadruese, IPA 3, të mund të suspendohen nëse nuk respektohet sundimi i së drejtës në vendet kandidate.
Fondet IPA 3, pjesë e kornizës së ardhshme financiare disavjeçare të Bashkimit Evropian për periudhën prej vitit 2021 deri në vitin 2027, duhet të distribuohen sipas logjikës së “ndarjes së drejtë” në vend se sipas vendeve dhe të mund të suspendohen nëse shkelen parimet e sundimit të së drejtës, theksuan eurodeputetët të cilët janë anëtarë të komisionit për punë të jashtme të Parlamentit evropian.
Mundësia për suspendim të fondeve parainkuadruese është kërkesë kyçe e deputetëve në këto negociata mes Parlamentit dhe Këshillit.
“Kjo ndihmë duhet të jetë e shoqëruar nga pasoja të qarta në rast të përkeqësimit serioz të respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit juridik dhe të drejtave të njeriut”, konsideron PE.
Komisioni evropian duhet të ejtë në mundësi ta suspendojë ndihmën apo një pjesë të saj dhe ta vendosë sërish kur shkaqet për suspendim të tejkalohen.
Ky pozicion i Parlamentit evropian është pasojë e qartë e shkeljeve gjithnjë e më të shpeshta të parimeve të sundimit të së drejtës dhe demokracisë në vendet më të reja anëtare të BE-së, si Hungaria, Polonia, apo, ndërkaq, Rumania, dhe paraqet mënyrë që të parandalohet një zhvillim i tillë i ngjarjeve në vendet e ardhshme anëtare nga Ballkani Perëndimor.
Parlamenti evropian do të votojë për këtë propozim në mbledhje plenare nga fundi i prillit në Strasburg. Komisioni evropian propozoi 14,5 miliardë euro për fondet IPA 3. (koha.mk)