Strasburg, 11 dhjetor – Vendet anëtare të BE-së duhet të kenë mundësi të japin viza humanitare në ambasadat dhe konsullatat e tyre jashtë vendit, që të mund azilkërkuesit të arrijnë deri në Evropë pa e rrezikuar jetën e tyre, theksohet në rezolutën që sot e miratoi Parlamenti Evropian.
Eurodeputetët i bënë thirrje Komisionit Evropian që të propozojë vendosje të vizave të tilla nga 31 marsit i vitit të ardhshëm. Dokumenti u miratua me 429 vota “për”, 194 “kundër” dhe 41 “të përmbajtur”.
Deputetët theksojnë se edhe krahas shumë mesazheve dhe kërkesave për mënyra të sigurta dhe legjitime për aplikuesit e azilit në BE, nuk ekzistojnë procedura për mbrojtje të barabartë.
Ata shtojnë se pothuajse 90 për qind e njerëzve të cilët kanë marrë mbrojtje ndërkombëtare, për shkak të mungesës së kapacitetit juridik, ilegalisht kanë hyrë në BE.
Parlamenti Evropian mendon se vizat humanitare do të ndihmojnë në përballjen me numrin e papranueshëm të rasteve të vdekjes në Mesdhe dhe përmes rrugëve emigruese ndaj BE-së, në luftën kundër trafikimit me njerëz dhe për përmirësimin e menaxhimit me pranimin dhe përpunimin e kërkesave për azil.
Nga viti 2000, të paktën 30.000 njerëz e kanë humbur jetën në kufijtë e BE-së në tentimin për të arritur deri tek njëri prej vendeve të Evropës.
PE-ja vëren se vendimi për dhënien e vizave humanitare duhet të mbetet në duart e vendeve të BE-së.
Sipas PE-së, aplikuesit për viza humanitare duhet të dëshmojnë se janë të ekspozuar në rrezik dhe se nuk kanë parashtruar dokumente sipas procedurave tjera për pranim në BE. Vlerësimi i aplikimeve të tyre nuk duhet të përfshijë proces të plotë të konfirmimit të statusit, por para dhënies së vizave çdo kandidat duhet t’i nënshtrohet kontrollit për siguri, përmes bazave relevante kombëtare dhe evropiane të të dhënave që të dëshmohet se ai nuk e rrezikon sigurinë.