Parlamenti Europian do të dërgojë javën e ardhshme një delegacion deputetësh, të cilëve do t’u prijë raportuesi për Serbinë, David McAlister.
Siç raportohet nga Brukseli, delegacioni i PE-së në Beograd e Prishtinë do të diskutojë për situatën politike dhe për marrëdhëniet midis Bashkimit Europian me Serbinë e me Kosovën, ndërsa në kryeqytetet e këtyre dy vendeve do të qëndrojë nga 27 shkurti deri më 2 mars, transmeton Koha.net njoftimin e sotshëm të PE-së.
Bëhet e ditur se ai do të takohet me udhëheqës të Beogradit e të Prishtinës, me deputetë, me opozitën dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Siç thuhet në njoftim, qëllimi i kësaj i kësaj vizite është shqyrtimi i stiuatës politike në terren dhe vlerësimi i raporteve aktuale midis Kosovës e Serbisë me Bashkimin Europian, si dhe shqyrtimi i reformave të planifikuara dhe i dialogut midis Beogradit e Prishtinës, i ndërmjetësuar nga BE-ja.
McAlister, në prag të vizitës deklaroi se Ballkani Perëndimor është prioritet i politikës së jashtme të BE-së dhe se është e nevojshme mbështetja e Serbisë dhe e Kosovës për ndërtimin e institucioneve më të qëndrueshme demokratike dhe për sundimin e ligjit.
“Duhet të arrijmë marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet të gjitha vendeve të rajonit, duke pasur model suksesin e paradokohshëm në Maqedoninë Veriore”, u shpreh McAlisteri.
Në komunikatë rikujtohet se Parlamenti Europian vjet ka miratuar dy rezoluta me të cilat mbështeste dialogun midis Beogradit e Prishtinës, por thekson se shtete homogjene etnike nuk bën të ketë në rajon dhe se marrëveshja e ardhshme do të jetë e pranueshme vetëm nëse për të pajtohen të dy palët dhe nëse merren parasysh stabiliteti dhe e drejta ndërkombëtare, transmeton Koha.net.
Në komunikatë theksohet se McAlisteri pas takimeve do të mbajë konferencë me gazetarët më 28 shkurt në Beograd, ndërsa më 2 mars në Prishtinë.