Nuk ka pasur surpriza në ndeshjet e radhës së kampionatit Evropian të basketbollit për meshkuj. Në Grupin D, Serbia arriti të fitojë derbin ballkanas me Turqinë me rezultatin 80-74 në një sfidë ku ajo nuk shkëlqeu shumë në lojë, por u tregua më konkrete se kundërshtarët e saj atëherë kur duhej. Në periodën e parë Serbia fitoi 21-13, një diferencë të cilën diti ta administrojë pavarësisht përpjekjeve të skuadrës turke për t’iu kundërpërgjigjur. Në ndeshjet e tjera të këtij Grupi, Rusia fitoi me Belgjikën 76-67, ndërsa Letonia mundi Britaninë 97-72. Një tjetër derbi ballkanik i këtij Eurobasketi ishte edhe sfida mes Malit të Zi e Kroacisë me këtë të fundit që fitoi me rezultatin 76-72 duke ruajtur pathyeshmërinë në këtë fazë grupesh të evropianit. Skuadra kroate vuajti më shumë seç pritej gjatë kësaj sfide me skuadrën malazeze. Kroacia e mbylli pjesën e parë 43-31 duke lënë të kuptohet se kjo sfidë do të ishte një formalitet për këtë skuadër. Por në minutat e fundit të sfidës kur Kroacia kryesonte me 9 pikë avantazh, Mali i Zi falë 8 pikëve të Rice shkurtoi diferencën e pikëve në 73-72. Në atë moment ishte Saric që shënoi pikët e fitores për Kroacinë që është në kuotën e 6 pikëve po aq sa edhe Spanja, që regjistroi një tjetër fitore të thellë dhe këtë radhë në dëm të Rumanisë. Skuadra kampione e Evropës në fuqi ishte e papërmbajtshme edhe ndaj këtij kundërshtari duke e mbyllur sfidën 91-50. Rumania rezistoi vetëm në periodën e parë të cilën Spanja e fitoi 21-19, më pas iberikët morën plotësisht kontrollin e lojës duke e thelluar gjithnjë e më shumë diferencën e pikëve me rumunët për të regjistruar një tjetër sukses me një diferencë prej më shumë se 35 pikësh me kundërshtarët.