Bruksel, 30 janar – Portali evropian “Euroaktiv”, duke iu referuar burimeve në Greqi, njofton se fqinji jugor do ta ratifikojë protokollin për hyrjen në NATO më 8 shkurt.
Greqia duhet të jetë vendi i parë anëtar i Aleancës që do të ratifikojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pasi që më 25 janar u ratifikua Marrëveshja e Prespës.
“Greqia dëshiron që ta ratifikojë protokollin aderues më 8 shkurt”, thonë burime greke për “Euraktiv”. Informacionin nuk e konfirmoi Athina zyrtare.
Para dy ditësh është dhënë pajtueshmëri deklarative nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s për nënshkrimin e këtij protokolli, por çdo vend duhet që të japë edhe miratim formal për nënshkrim të të gjithë ambasadorëve me seli në NATO. Një numër i madh i tyre tashmë e dhanë dritën jeshile, por tek disa të tjerë procedurat janë më komplekse. Megjithatë, nuk priten probleme politike dhe javën e ardhshme të gjitha 29 vendet do të duhet që të marrin miratimin nga qeveritë dhe parlamentet e tyre.
Pasi që Protokolli të nënshkruhet Maqedonia do të mund të marrë pjesë si vend i ftuar ose vend vëzhgues në të gjitha formatet kryesore të Aleancës.
Ndërkohë do të vazhdojë procesi i ratifikimit të anëtarësimit të vendit tonë nga ana e 29-të parlamenteve të vendeve anëtare, proces i cili është shumë më i gjatë në disa vende, varësisht nga procedurat vendore, siç është në Belgjikë dhe në Kanada.
Sipas disa diplomatëve në NATO dhe sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg, procedura do të zgjatë rreth një vit, por “Euraktiv” konfirmoi se disa vende aleate janë duke i përshpejtuar procedurat dhe nuk përjashtohet mundësia që Maqedonia të bëhet anëtare e plotfuqishme që në korrik të këtij vitit, kur duhet që të mbahet edhe samit i Aleancës në të cilin do të shënohet edhe ditëlindja e saj e shtatëmbëdhjetë.
Nëse Greqia e ratifikon e para protokollin aderues, ajo simbolikisht do të jetë vendi që do “t’i hapë dyert e NATO-s për Maqedoninë e Veriut”, njëmbëdhjetë vjet pasi e ka bllokuar hyrjen e vendit nën referencën e përkohshme IRJM. (koha.mk)