Shkup, 8 janar – Gjendje të jashtëzakonshme në administratë, mobilizim të të gjithëve, nga ministrat, përmes zëvendësve, sekretarëve shtetërorë, nëpunësve, “shpalli” sot zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në deklaratën para fillimit të takimit të Komitetit punues për eurointegrime, njofton Koha.mk
Vitin e cilësoi si kyç për proceset eurointegruese të Maqedonisë, ndërsa raportin nga Komisioni evropian, nëse jo në prill, pritet ta marrim pas zgjedhjeve për Parlamentin evropian, të caktuara për në maj. Por pa dallim nga kjo, theksoi Osmani, do të punohet maksimalisht sikur të ketë raport në prill, me qëllim që të dërgohen rezultate nga proceset reformuese dhe të mos ketë asnjë hapësirë të vogël për hamendje mes 27 vendeve anëtare të Unionit.
“Që prej ditës së parë të mobilizohen të gjitha resurset e mundshme në administratë, por edhe jashtë saj në prag të muajve më të rëndësishëm për procesin eurointegrues të RM-së. Ky është edhe një vit historik për RM-në, por tani për korrje të rezultateve të cilat i presim nga dy proceset më të rëndësishme, integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO. Prej sot, në njëfarë mënyre, shpallim gjendje të jashtëzakonshme në administratë, i vendosim në disponim të gjitha trupat e mundshëm, të gjithë njerëzit nga udhëheqësit, deri te ministrat, zëvendësit, sekretarët shtetërorë, deri te njeriu i fundit me qëllim që të zbatohen reformat, të dërgohen rezultate, në pajtim me rekomandimet e Këshillit të BE-së, të dhëna vitin e kaluar në qershor. Por, edhe të ketë rezultate konkrete nga miratimi i atyre reformave, të cilat do t’i bëjnë shoqërinë dhe shtetin më evropian dhe do të japin argumente të volitshme për t’i bindur vendet-anëtare që edhe formalisht ta fillojmë datën për negociata”, tha Osmani, duke cekur se me atë do të hapet rruga që këtë vit ta kemi konferencën e parë ndërqeveritare.
Në takimin e Komitetit punues, siç paralajmëroi Osmani, bëhet prerje e Planit 18 dhe obligimeve për muajt e ardhshëm, ajo që është bërë nga takimet përgatitore, por bisedohet edhe për formimin e strukturave negociuese.
Negociuesi teknik, Bojan Mariçiq përkujtoi se takimet përgatitore për negociata kanë filluar në shtator të viti të kaluar.
Deri më tani janë mbajtur për pesë kapituj: jurisprudencë, të drejta themelore dhe drejtësi, liri dhe siguri, kontroll financiar, furnizime publike dhe tregu i shërbimeve. Këtë javë do të ketë takime kushtuar unionit ekonomik monetar dhe tregut të kapitalit, ndërsa në gjashtë muajt në vijim do të duhet të bëhen takimet përgatitore teknike për 21 kapituj.
“Deri në fund të vitit 2019 presim t’i kalojmë të gjithë 34 kapitujt, deri nga mesi i vitit nëse arrihet e pritura dhe nëse e ruajmë tempon e reformave për të marrë rekomandim pozitiv në raportin e KE-së, si dhe vendim pozitiv politik nga Këshilli i Evropës, që do të thotë edhe fillim zyrtar i negociatave”, theksoi ai.
Osmani theksoi se në këtë periudhë të rëndësishme duhet të lihen anash dallimet politike dhe të gjithë të fokusohen në qëllimin e përbashkët.
“T’i lëmë dallimet politike, ta ngrisim procesin mbi interesat partiake dhe individuale, mundësia është e papërsëritshme, qytetarët presin tre dekada për këtë moment, tani është mundësia për t’i bindur 27 vendet-anëtare të BE-së dhe t’i fillojmë negociatat këtë vit.
Lidhur me Propozim ligjin për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesave, të cilit Qeveria i vendosi flamur evropian, Osmani theksoi se ai sillet në pajtim me rekomandimet e KE-së dhe shtoi se ka vërejtje të caktuara nga ana e partive politike për kompetencat, të cilat i ka komisioni lidhur me punën e tyre.
“Para së gjithash në dyfishimin e kompetencave të Entit shtetëror për revizion dhe Drejtorisë për të ardhura publike lidhur me punën e tyre. Këto vërejtje janë legjitime, qeverisë i shpejtohet për miratimin e këtij ligji, sepse për kohë të shkurtë do të shpallen zgjedhjet presidenciale, në fillim të shkurtit, dhe mendoj se nuk është porosi e mirë para Brukselit që edhe një palë zgjedhje t’i mbajmë pa komision të antikorrupsionit. Pas miratimit të ligjit fillimisht duhet të publikohet konkursi për zgjedhje të anëtarëve të Komsionit, ndërkaq e tërë kjo ka afatet e veta ligjore. (Koha.mk)