Pas eliminimit në fazën e grupeve në “Euro 2016”, Përfaqësuesja e Turqisë do të kërkojë të frymëzohet nga Kampionati Evropian i vitit 2008, ku përfundoi në pozitën e tretë. E pikërisht frymëzimin e këtij suksesi të arritur përpara më shumë se një dekade futbollistët e Turqisë do të mundohen ta shfrytëzojnë në “Euro 2020”, për t’i tejkaluar pritshmëritë. Turqia ka ditur të jetë befasi e turneve të mëdhenj të futbollit, kështu që synon ta bëjë një gjë të tillë edhe në Kampionatin Evropian, që nis më 11 qershor.
E udhëhequr nga kapiteni Burak Yilmaz, Turqia kësaj here do të futet në Evropian me një ekip të përzier mes lojtarëve më përvojë dhe atyre të rinj, për t’i dhënë zjarr turneut.
Përzgjedhësi dhe taktika
Një legjendë e Trabzonsporit, ekip që e emëroi stadiumin e vet me emrin e tij, Shenvol Gynesh ka qenë përzgjedhës i Turqisë në dy raste. Rasti i parë ishte në periudhën 2000-2004, ku ai e udhëhoqi Turqinë drejt suksesit më të madh në histori. Turqia, nën urdhrat e përzgjedhësit Gynesh, përfundoi e treta në Kampionatin Botëror të vitit 2002. Ndërsa, në rastin e dytë, Gynesh u kthye te Turqia në vitin 2019. Pasi u kthye për ta zëvendësuar rumunin Mircea Lucescu, nën drejtimin e të cilit Turqia u zhvendos në Ligën C në Ligën e Kombeve pasi përfundoi në pjesën e poshtme të grupit, Gynesh ka mbikëqyrur një seri turbulencash. Turqia përfundoi përsëri në fund të grupit të Ligës së Kombeve duke zbritur në Ligën C, pasi në edicionin e mëparshëm mbeti në Ligën B pas një ndryshimi të rregullave nga UEFA. Mirëpo, kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2002 i nisi në mënyrë të shkëlqyeshme, me dy fitore dhe një barazim në tri ndeshje, duke kryesuar Grupin G. Gynesh e vendos ekipin në një formacion diamanti 4-4-2, me një mesfushor përpara mbrojtjes dhe kryesisht Hakan Çalhanoglun si forcë krijuese prapa dy sulmuesve. Por, një problem i stilit të lojës së Gyneshit është se ai tenton të bëjë rotacione të shumta mes lojtarëve, që shpesh çojnë në keqkomunikim midis futbollistëve dhe këto lloj situatash mund të jenë fatale në një turne, e Turqia nuk do të dëshironte që “Euro 2020” të ishte një tjetër dështim.
Ylli i ekipit
Shumë lojtarë nuk lëvizin në pesë ligat më të mira të Evropës për herë të parë në karrierën e tyre në moshën 35-vjeçare. Për fat të mirë, sulmuesi Burak Yılmaz nuk është një nga ata lojtarë. Duke lëvizur nga Beshiktasi te Lille në vitin 2020, Yilmaz ka pasur një ndikim të madh te skuadra franceze, që ka ndikuar me titullin e kampionit në këtë sezon. Me 12 gola në 24 ndeshje në Ligue 1 për Lillen, përfshirë edhe golin e fitores ndaj Lyonit, ndeshje e rëndësishme kjo për pozitën e parë në tabelë, Yilmaz është vetëm një nga dy lojtarët që kanë luajtur për katër klubet e mëdha të Turqisë: Fenerbahçe, Beshiktash, Galatasaray dhe Trabzonspor. Për Turqinë ai aktualisht është golashënuesi më aktiv dhe i dyti në histori, me 28 gola në 66 paraqitje.
Lojtari i së ardhmes
Qendërmbrojtësi Ozan Kabak mund të ketë luajtur vetëm 13 ndeshje për Liverpooli që nga transferimi i tij në Angli në fund të muajit janar, por ai është zhvilluar si lojtar në Bundesligë. Kabak ka bërë karrierë te Stuttgarti dhe Schalke, ku është bërë si njëri nga pesë lojtarët premtues të botës, duke e detyruar Liverpoolin ta rrëmbejë para ekipeve të tjera. Si njëri prej emrave të parë në listën e Gyneshit, Kabak, 21-vjeçar, do të kërkojë që me paraqitje të mira ta forcojë vendin e titullarit te Turqia në njërën anë dhe në tjetrën ta bindë trajnerin e Liverpoolit, Juergen Klopp, se është i denjë të luajë në përbërjen e parë sezonin tjetër. Kabak për partner në qendër të mbrojtjes te Turqia do ta ketë lojtarin e Juventusit, Merih Demiral. Dhe pikërisht te këta dy futbollistë Gynesh do të mbështetet shumë në ndeshjet e “Euro 2020”.
Bilanci
Turqia, para Evropianit të këtij viti, ka marrë pjesë në katër edicione të mëparshme të këtij turneu, të fundit në vitin 2016. Edhe pse u eliminua në fazën e grupeve në dy nga katër paraqitjet në Euro, suksesi më i madh i Turqisë në Evropian mbetet ai i vitit 2008. Turqia në vitin 2008 u eliminua në gjysmëfinale dhe përfundoi në pozitën e tretë. Pasi e eliminoi Kroacinë në çerekfinale pas penalltive, Turqia u mposht në gjysmëfinale nga Gjermania (3:2) në minutën e fundit, me golin e shënuar nga Philipp Lahm. Në kualifikimet për “Euro 2020” Turqia u kualifikua pasi përfundoi e dyta në Grupin A, përfund Francës dhe përpara Islandës, Shqipërisë, Andorrës dhe Moldavisë. Para fillimit të ndeshjeve të Evropianit, Turqia do t’i luajë tri miqësore – me Azerbajxhanin, Irlandën e Veriut dhe Moldavinë.
Gjasat
Turqia me padurim pret duelet në kuadër të Grupit A, të cilin e përbëjnë edhe Italia, Uellsi e Zvicra. Me përjashtim të Italisë, që llogaritet favorite e grupit, Turqia e sheh veten të barabartë me Uellsin e Zvicrën dhe do të kërkojë ta thotë fjalën e saj në grup. Krahas futbollit atraktiv për tifozët, synimi i Turqisë në “Euro 2020” është që ta kalojë fazën e grupeve, mision ky që nuk do të jetë aspak i lehtë.
Lista e Turqisë për Evropian
Portierë: Ugurcan Çakır, Altay Bayındır, Gokhan Akkan.
Mesfushorë: Caglar Soyuncu, Umut Meras, Ozan Kabak, Mert Muldur, Kaan Ayhan, Zeki Celik, Merih Demiral, Ridvan Yilmaz.
Mesfushorë: Ozan Tufan, Hakan Calhanoglu, Okay Yokushlu, Yusuf Yazıcı, Taylan Antalyalı, Irfan Kahveci, Cengiz Under, Mahmut Tekdemir, Dorukhan Tokoz, Abduladir Omur, Efecan Karaca, Taylan Antalyali, Orkun Kokcu, Halil Akbunar, Kerem Akturkoglu.
Sulmues: Burak Yılmaz, Kenan Karaman, Enes Unal, Enis Destan, Cenk Tosun
Ndeshjet e Turqisë në “Euro 2020”
11 qershor: Turqia – Italia (21:00, Romë)
16 qershor: Turqia – Uellsi (18:00, Baku)
20 qershor: Zvicra – Turqia (18:00, Baku)