Viti 2020 ishte i pazakontë për shumë njerëz, për shumë arsye. Për një vend të caktuar ishte vit historik sa i takon futbollit.
Maqedonia e Veriut, një shtet që filloi të luajë futboll ndërkombëtar pas shpërbërjes së Jugosllavisë, u kualifikua në turneun e parë të madh. Vjet, Maqedonia e Veriut siguroi kualifikimin historik në Kampionatin Evropian të kësaj vere.
Duke e siguruar vendin e parë në grupin e saj në edicionin e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, Maqedonia e Veriut arriti të futet në plejofin për “Euro 2020”.
Fitorja e Maqedonisë së Veriut 2:1 ndaj Kosovës e afroi me qëllimin që kishte për dekada. Pasi mposhti Kosovën në gjysmëfinale të plejofit për një vend në Evropian, Maqedonia e Veriut në finale kishte punë me Gjeorgjinë në Tbilisi. Goli i minutës së 56-të nga ikona, 37-vjeçari Goran Pandev, mjaftoi për realizimin e ëndrrës – kualifikimin në “Euro 2020”.
Me Pandevin që vazhdon ende të luajë në nivel të lartë dhe të stërvitet mirë, Maqedonia e Veriut do të përpiqet të lërë përshtypje të mirë në skenën më të madhe të kontinentit.
Përzgjedhësi dhe taktika
Një trajner fitues i ligës vendase, Igor Angelovski, ka qenë në krye të Maqedonisë së Veriut që nga viti 2015, pasi ka shërbyer si ndihmëstrajner. Emërimi i tij përkoi edhe me kthimin e superyllit Goran Pandev, që ishte larguar nga përfaqësuesja.
Rezultatet janë përmirësuar shumë që nga ajo kohë, pasi pos kualifikimit në “Euro 2020” Maqedonia e Veriut është në pozitën e dytë në grupin kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Ka regjistruar dy fitore në tri ndeshje të zhvilluara.
Njëra prej këtyre fitoreve është historike, në udhëtim ndaj Përfaqësueses së Gjermanisë me rezultatin 2:1. Për Gjermaninë, që në vitin 2014 u shpall kampione e botës, kjo ishte humbja e parë në kualifikime që nga viti 2001.
Përzgjedhësi Angelovski ka përdorur një larmi formacionesh gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë sistemet e lojës 3-5-2, 3-4-2-1 dhe 4-3-2-1. Kështu që, është e vështirë të supozohet se cili sistem do të jetë zgjidhja e tij përfundimtare për “Euro 2020”. Por, sistemi 3-5-2 është ai që i ka dhënë rezultate më të mira në dy ndeshjet e fundit, kështu që gjasat janë të mëdha që Angelovski ta fillojë turneun me këtë vendosje. Ndërkohë, një dilemë tjetër për të do të jetë partneri i sulmit për kapitenin Pandev. Në mungesë të Ilija Nestorovskit, që është i lënduar, duket se përzgjedhësi Angelovski do t’i besojë Aleksandar Trajkovskit për të luajtur përkrah Pandevit.
Ylli i ekipit
Nuk ka asnjë dilemë për këtë – kapiteni Goran Pandev është ylli i padiskutueshëm i Maqedonisë së Veriut. Sulmuesi veteran, i cili fitoi “tripletën” me Interin në edicionin 2009/10, është lider i të gjitha kohërave te Maqedonia e Veriut, si me paraqitje, ashtu edhe me gola. Në 117 ndeshje të luajtura, Pandev ka realizuar 37 gola.
Pasi kaloi pjesën më të madhe të karrierës në Serie A, ai kohët e fundit u bë lojtari i parë nga Maqedonia e Veriut që ka shënuar 100 gola në njërën prej pesë ligave më të mira të Evropës. Në planin ndërkombëtar, përveç golit që shkroi historinë ndaj Gjeorgjisë, Pandev ka shënuar gola të rëndësishëm herë pas here gjatë shoqërimit të tij gati prej dy dekadash me ekipin. Ai shënoi golin e epërsisë në disfatën që ia shkaktuan Gjermanisë, kështu që nuk ka dyshim se përzgjedhësi Angelovski do të mbështetet shumë te Pandevi në “Euro 2020”. Ai prej vitit 2001 po bën karrierë në Itali dhe prej vitit 2015 është pjesë e Genoas, kurse ka luajtur edhe te Interi, Spezia, Ancona, Lazio e Napoli.
Lojtari i së ardhmes
Mesfushori i skuadrës së Napolit, Eljif Elmas, është bërë një titullar i padiskutueshëm te Maqedonia e Veriut që nga debutimi në vitin 2017 me vetëm 17 vjet. Tani 21-vjeçar, Elmas është përfshirë në më shumë se 50 ndeshje me ekipin nga Serie A gjatë dy edicioneve të fundit. Elmas është i njohur për lojën kreative, sulmuese dhe lidhjen e tij me sulmuesit e skuadrës. Elmas luan prapa sulmuesve dhe pasimet e sakta janë specialiteti i tij. Rëndësia e tij për ekipin përfaqësues është rritur me hapa të mëdhenj, siç dëshmohet nga fakti se ai ka më shumë gola për Maqedoninë e Veriut sesa për klubin e tij. Elmas gjithashtu shënoi golin e fitores kundër Gjermanisë, që vetëm sa e rriti reputacionin e tij si një nga lojtarët e rinj për ta mbajtur në vështrim gjatë turneut. Elmas ka shënuar gjashtë gola në 25 ndeshje për Maqedoninë e Veriut, kurse te Napoli ka tri më pak se 59 paraqitje.
Bilanci
Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Kampionatit Evropian, që nis më 11 qershor, ka qenë e gjatë. Kualifikimi është arritur përmes Ligës së Kombeve. Meqenëse ky është debutim i Maqedonisë së Veriut në një turne të madh futbolli, ajo që ekipi do të ofrojë në skenën globale do të jetë një çështje intrigash dhe emocionesh, ndërsa vëmendja kthehet në Ballkan. Vetëm pjesëmarrja në “Euro 2020” do të thotë sukses i madh për Maqedoninë e Veriut.
Gjasat
Maqedonia e Veriut është në Grupin C të Evropianit, së bashku me Austrinë, Ukrainën dhe Holandën, fituese e “Euro 1988”, por që mungoi në “Euro 2016”. Me lojtarë të profilit të lartë të ekipeve kundërshtare, Pandev dhe shokët e tij nuk do ta kenë aspak lehtë. Megjithatë, Maqedonia e Veriut sigurisht se do të tentojë të ketë një shans për të avancuar nga faza e grupeve, që duket të jetë një mision tejet i vështirë.
Lista e Maqedonisë së Veriut për Evropian
Portierë: Stole Dimitrievski, Damjan Siskovski, Riste Jankov
Mbrojtës: Stefan Ristovski, Visar Musliu, Egzon Bejtullai, Kire Ristevski, Gjoko Zajkov, Darko Velkovski, Ezgjan Alioski
Mesfushorë: Arijan Ademi, Enis Bardhi, Stefan Spirovski, Boban Nikolov, Tihomir Kostadinov, Ferhan Hasani, Eljif Elmas, Daniel Avramovski, Darko Çurlinov, Marjan Radeski
Sumues: Goran Pandev, Aleksandar Trajkovski, Ivan Trickovski, Vlatko Stojanovski, Krste Velkovski, Milan Ristovski
Ndeshjet e Maqedonisë së Veriut në “Euro 2020”
13 qershor: Austria – Maqedonia V. (18:00, Bukuresht)
17 qershor: Ukraina – Maqedonia V. (15:00, Bukuresht)
21 qershor: Maqedonia V. – Holanda (18:00, Amsterdam)