Kampionati Botëror “Rusia 2018” pa një nga fillimet më katastrofale të një fushate që ndonjë përfaqësuese mund ta kishte.
Spanja shkarkoi Julen Lopeteguin nga posti i përzgjedhësit në prag të turneut, pasi u bë publik lajmi për emërimin e tij trajner i Real Madridit. E zëvendësoi atë me drejtorin sportiv Fernando Hierro. Ekipi çaloi në fazën e grupeve përpara se të eliminohej në nismë të raundit nokaut (1/8 e finales) nga Përfaqësuesja e Rusisë.
Hierro u tërhoq gjithashtu nga posti. Luis Enrique e mori ekipin dhe – përveç një periudhe të shkurtër kur u zëvendësua nga ish-ndihmësi Robert Moreno në vitin 2018 – e menaxhoi Spanjën mjaft mirë. Spanja humbi kualifikimin për plejofin e edicionit 2018/19 të Ligës së Kombeve. Megjithatë, e mposhti me rezultatin e thellë 6:0 Gjermaninë, pasi u kthye përsëri në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, ku tashmë është kualifikuar në gjysmëfinale të plejofit dhe do të përballet me Italinë, ndeshje kjo që do të luhet në tetor. Lajme të tjera të mira vijojnë për Spanjën ndërsa qëndron në krye të grupit të saj kualifikues për Botërorin “Katari 2022”, pas tri ndeshjeve të luajtura, ku ka regjistruar dy fitore dhe një barazim.
Përzgjedhësi dhe taktika
Ish-trajneri i Barcelonës, i cili e fitoi “tripletën”, Luis Enrique, mori përsipër drejtimin e Përfaqësueses së Spanjës në nëntor të vitit 2018 dhe mbikëqyri një periudhë të qëndrueshmërisë dhe rritjes së lojtarëve të rinj në ekip. Ai ka përdorur sistemin 4-3-3 në kualifikimet e fundit të Kupës së Botës, të cilit pritet t’i besojë edhe në Kampionatin Evropian. Pasi Spanjës iu larguan veteranët, Enrique ka krijuar një ekip të bazuar në të rinj dhe talent të bollshëm, ku u ka mundësuar debutimin lojtarëve si: Ansu Fati, Pedri, Dani Olmo, Eric Garcia e Ferran Torres. E gjithë kjo ka bërë që ekipi të ketë një ritëm të shpejtë të lojës sulmuese, e cila bazohet në aftësitë dhe talentin e futbollistëve. Kapiteni dhe lojtari me më së shumti paraqitje te Spanja, Sergio Ramos, nuk u ftua në “Euro 2020” për shkak të mungesës së madhe që e pati në edicionin 2020/21 shkaku i lëndimeve. Ai u zëvendësua në listën e Enriques me Aymeric Laporten e Manchester Cityt. Kepa e Nacho janë mungesat e tjera të dukshme, por ajo që bie në sy në listën e Enriques është se nuk ka ftuar asnjë futbollist të Real Madridit për herë të parë në histori. Adama Traore dhe Pablo Sarabia janë surpriza më e madhe, sikurse edhe 18-vjeçari Pedro.
Ylli i ekipit
Dani Olmo është një nga ata që ka bërë debutimin nën drejtimin e Enriques dhe ai me hapa të shpejtë e ka vendosur veten si titullar të padiskutueshëm te Spanja. Në fakt, Olmo është njëri prej lojtarëve të cilët e përbëjnë treshen sulmues të Spanjës. Në edicionin e fundit Olmo ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë dhjetë asistime për ekipin nga Bundesliga, RB Leipzig. Ndërkohë, për Spanjën, 23-vjeçari ka realizuar tri gola në 11 paraqitje. Njërin prej golave Olmo e shënoi në fitoren kundër Gjeorgjisë në kohën shtesë, për ta mbajtur bilancin e Spanjës pa humbje në kualifikime. Ai shënoi gol dhe gjithashtu ishte njeriu i ndeshjes në duelin e fundit të Spanjës për eliminatoret e Botërorit “Katari 2022” kundër Kosovës.
Lojtari i së ardhmes
Ferran Torres ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Manchester Cityt, që e fitoi titullin e kampionit në Premier League. Ai shënoi 13 gola dhe asistoi tri herë në 36 paraqitje për Cityn në të gjitha garat.
Pasi bëri debutimin e tij gushtin e kaluar te Spanja, Torres ka qenë në një formë të jashtëzakonshme duke shënuar pesë gola në katër ndeshje, përfshirë “hat-trick” në triumfin e thellë ndaj Gjermanisë (6:0). Kryesisht i vendosur në krahun e djathtë të sulmit me Olmon në krahun e kundërt, është e qartë se “Euro 2020” do t’i shërbejë atij për të shpërthyer në skenën e turneut të madh dhe për t’ia shpërblyer besimin Enriques. Torres mund t’i sigurojë Spanjës gola në turne sa herë që përpjekjet e ekipit bëhen të vështira për t’u realizuar.
Bilanci
Spanja u kualifikua për Kampionatin Evropian pas një serie fantastike që pati. Nuk regjistroi asnjë humbje në dhjetë ndeshje kualifikuese, ku pati tetë fitore e dy barazime, që i mjaftuan të përfundojë e para në grup përpara Suedisë. Në “Euro 2020” Spanja shpreson të shkojë me larg sesa në Evropianin e vitit 2016 të mbajtur në Francë, ku u eliminua në 1/8 e finales nga Italia. Ky eliminim i papritur i Spanjës erdhi pas triumfit që e pati në “Euro 2012”. Në fakt, Spanja ka fituar tre tituj kampioni në Evropë – në vitin 2008 dhe 1964, që ishte i pari. Padyshim që përzgjedhësi Enrique do të motivohet nga ato fitore, pasi shpreson ta nxjerrë Spanjën nga një grup veçanërisht i ndërlikuar dhe i paparashikueshëm që e ka në “Euro 2020”.
Gjasat
Spanja bën pjesë në Grupin E në “Euro 2020” dhe gjasat janë të mëdha që të avancojë tutje, pasi do të përballet me Suedinë, Poloninë e Sllovakinë. Polonia është një kundërshtare e fortë, duke pasur parasysh se në sulm i prin Robert Lewandowski, i cili mund t’i shkaktojë telashe të mëdha mbrojtjes së Spanjës, që edhe mbetet shqetësimi kryesor për Enriquen pas mungesës së liderit Ramos. Përparësia e Spanjës në fazën e grupeve është se të gjitha ndeshjet i luan në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla. Synimi i Spanjës është të përfundojë e para në grup dhe ta vazhdojë rrugëtimin në Evropian për të arritur sa më larg, duke mos përjashtuar mundësinë e titullit të katërt të Evropës.
Lista e Spanjës për Evropian
Portierë: David De Gea, Roberto Sanchez, Unai Simon
Mbrojës: Jordi Alba, Cesar Azpilicueta, Eric Garcia, Jose Gaya, Aymeric Laporte, Marcos Llorente, Diego Llorente, Pau Torres
Mesfushorë: Thiago Alcantara, Sergio Busquets, Pedri Gonzalez, Rodri Hernandez, Koke Resurreccion, Fabian Ruiz
Sulmues: Alvaro Morata, Gerard Moreno, Dani Olmo, Mikel Oyarzabal, Pablo Sara bia, Ferran Torres, Adama Traore
Ndeshjet e Spanjës në “Euro 2020”
14 qershor: Spanja – Suedia (21:00, Sevilla)
19 qershor: Spanja – Polonia (21:00, Sevilla)
23 qershor: Sllovakia – Spanja (18:00, Sevilla)