Euro 2020: Southgate kërkon më shumë nga Anglia pas suksesit në Botërorin 2018

9

Pas përfundimit të edicionit në Premier League, vera në Angli do të jetë shumë e nxehtë dhe të gjithë kanë pak frikë. Për më shumë se një muaj, në Angli hiti më i madh do të jetë kënga “It’s coming home” (Po vjen në shtëpi), duke iu referuar trofeut të Kampionatit Evropian, i cili nis më 11 qershor.

Në fakt, një fitore 6:0 kundër San Marinos, për shembull, është e mjaftueshme për t’i entuziazmuar tifozët anglezë sa për të nxjerrë altoparlantët dhe për të nisur me këngën e tyre të preferuar.

Këtë herë, Anglia ka shumë më tepër arsye dhe shpresë për të plotësuar dëshirën e madhe të tifozëve. Faktet e mbështesin këtë. Anglia arriti deri në gjysmëfinale të Botërorit 2018, për të vazhduar më pas në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Që atëherë, një gjeneratë e re emocionuese e lojtarëve ka dalë në skenë. E kjo ka bërë që askush nga tifozët të mos e pranojë dështimin në “Euro 2020”. Anglia dhe Gareth Southgate kanë vendosur të shkojnë me një qasje që në radhë të parë e ka sigurinë, e cila zakonisht ka pasur sukses në turnetë ndërkombëtarë, siç ishte Botërori “Rusia 2018”.

Sidoqoftë, shumë lojtarë mendojnë se kjo është një recetë që dërgon drejt dështimit dhe janë të bindur se ekipi duhet të dalë dhe të luajë një lojë natyrale pa frena. Pavarësisht nga mendimet personale, Anglia ka një nga skuadrat më të forta që shkon në turne dhe një përzgjedhës që është më i zgjuar, sesa shumë nga njerëzit që e kritikojnë. Anglia në radhët e veta ka lojtarë të klasit botëror, që mund ta ndërrojnë lojën në çdo moment dhe për këtë arsye prej saj pritet shumë në “Euro 2020”.

Përzgjedhësi dhe taktika

Gareth Southgate duhet ta pyesë veten se çfarë është ajo që po tërheq reagime të tilla të paqëndrueshme tek Anglia. Kur Southgate u emërua përzgjedhës i Anglisë në vitin 2016, askush nuk e pëlqente atë. Ai ishte i butë dhe jo frymëzues. Pastaj, pas vitit 2018, të gjithë e donin atë. Tani, me afrimin e Evropianit, ai është kthyer në një trajner që po ofron gëzimin për mijëra mbështetës të Anglisë. Pa dyshim, ish-trajneri i Middlesbroughut ka pak përvojë në këtë zeje. Por, Anglia ka treguar paraqitje të mira nën drejtimin e tij. Prej se Southgate e ka marrë Anglinë, e ka shndërruar ekipin në një forcë që mund ta mposhtë çdo kundërshtar. Ai këtë e ka parasysh dhe është i vendosur për të shkuar drejt lavdisë. Southgate zakonisht luan me sistemin 4-3-3, por këtë herë gjasat janë të mëdha që Southgate ta ndryshojë atë vetëm për të pasur sukses në “Euro 2020”. Kështu që ai pritet të kthehet te sistemi 3-5-2, me të cilin arriti deri në gjysmëfinale të Botërorit të vitit 2018.

Ylli i ekipit

Për Anglinë, lojtari më i rëndësishëm mbetet Harry Maguire, krahas sulmuesit të rrezikshëm Harry Kane. Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit është njëri prej lojtarëve më me përvojë në mbrojtje dhe realisht mbetet lider i këtij reparti. Edhe mbrojtësit e tjerë ofrojnë stabilitet, por ata janë të prirë për gabime dhe Southgate nuk dëshiron një gjë të tillë në Evropian. Kështu që prania e Maguiret bën që mbrojtja e Anglisë të jetë stabile. Maguire është dominues në ajër dhe Southgate mund ta shfrytëzojë qendërmbrojtësin edhe në zonën kundërshtare. Ai gjithashtu është i mirë edhe për të nisur topin dhe për t’i mundësuar Anglisë që të dalë shpejt në kundërsulme nëpërmjet shpejtësisë së Marcus Rashfordit.

Lojtari i së ardhmes

Disi të bën të harrosh që Jude Bellingham është vetëm 17-vjeçar kur e sheh duke luajtur. Edhe pse ende nuk është pajisur me patentë shoferë, Bellingham ka shënuar gol në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, me fanellën e Borussia Dortmundit. Kështu që Bellingham do të jetë një prej shtyllave kryesore në mesfushën e Anglisë për vitet që vijnë dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim. Ai është taktikisht i zgjuar, teknikisht dhe fizikisht i aftë. Me një fjalë, Bellingham është një mesfushor modern. Nëse Jordan Henderson nuk do të rikuperohet me kohë, atëherë Bellingham do të jetë motori i Anglisë në fushë për “Euro 2020” dhe mund t’i ndihmojë shumë duke e dërguar larg në turne.

Bilanci

Përkundër cilësisë që ka në skuadër, Anglia kurrë nuk ka triumfuar në Kampionat Evropian. Suksesin më të madh në Evropian, Anglia e ka në vitin 1968 dhe 1998, kur përfundoi e treta. Në fakt, Anglia e ka vetëm një titull bote të fituar dhe atë në turneun e vitit 1966, të cilin e organizoi vetë. Prej asaj kohe, Anglia asnjëherë nuk është dorëzuar në përpjekjet për të bërë diçka më shumë në turnetë e futbollit. Brezi i artë i Anglisë, me lojtarët si Wayne Rooney, Steven Gerrard e Frank Lampard nuk arriti më shumë se deri në çerekfinale të Evropianit. Mirëpo, Southgate tashmë e ka përmirësuar dukshëm ekipin dhe është i gatshëm për të kërkuar diçka më shumë. Të paktën do të pajtohej me suksesin e arritur në botërorin e fundit.

Gjasat

Skuadra e Southgatet është një nga më të vështirat për t’u mposhtur në futbollin ndërkombëtar dhe dëshmia më e mirë për këtë janë fitoret kundër Spanjës dhe Belgjikës në kohët e fundit. Anglia futet në Evropian me një ekip të kompletuar dhe me pozita të dyfishuara. Ka avantazh për shkak se bën pjesë në një grup relativisht të lehtë me Skocinë, Kroacinë dhe Çekinë. Sidoqoftë, Anglia mund të dëshirojë të përfundojë e dyta, sepse kushdo që kryeson në Grupin D, në fazën e nokautit do të përballet me ekipin që zë vendin e dytë të Grupit F, i cili përfshin Francën, Gjermaninë dhe Portugalinë. Përparësi e Anglisë në fazën e grupeve është se të gjitha ndeshjet i luan në stadiumin “Wembley”, në Londër.

Lista e Anglisë për Evropian

Portierë: Dean Henderson, Sam Johnstone, Jordan Pickford, Aaron Ramsdale

Mbrojtës: Trent Alexander-Arnold, Ben Chilwell, Conor Coady, Ben Godfrey, Reece James, Harry Maguire, Tyrone Mings, Luke Shaw, John Stones, Kieran Trippier, Kyle Walker, Ben White

Mesfushorë: Jude Bellingham, Jordan Henderson, Jesse Lingard, Mason Mount, Kalvin Phillips, Declan Rice, James Ward-Prowse

Sulmues: Dominic Calvert-Lewin, Phil Foden, Jack Grealish, Mason Greenwood, Harry Kane, Marcus Rashford, Bukayo Saka, Jadon Sancho, Raheem Sterling, Ollie Watkins

Ndeshjet e Anglisë në “Euro 2020”

13 qershor: Anglia – Kroacia (15:00, Londër)

18 qershor: Anglia – Skocia (21:00, Londër)

22 qershor: Çekia – Anglia (21:00, Londër)