Euro 2020: Sllovakia synon të jetë befasia e grupit për të prekur fazën e nokautit

13

Lirisht mund të thuhet se Përfaqësuesja e Sllovakisë po e jeton ëndrrën para fillimit të Kampionatit Evropian, pasi i ka fituar tri nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Gjatë pushimit më të fundit ndërkombëtar, Sllovakia fitoi kundër Rusisë në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022” dhe do të bëjë vetëm paraqitjen e saj të dytë në Kampionatin Evropian të kësaj vere.

Në kualifikimet për “Euro 2020” Sllovakia arriti të siguronte pjesëmarrjen nëpërmjet mënyrës së vështirë. Në një grup që përmbante përfaqësueset më me përvojë si Kroacia dhe Uellsi, Sllovakia arriti të përfundonte e treta dhe të futet në plejofin e Ligës së Kombeve së bashku me Bosnjë- Hercegovinën, Irlandën dhe Irlandën e Veriut. Në gjysmëfinale, sllovakët u përballën me Irlandën duke i eliminuar pas penalltive në ndeshjen e luajtur në Bratislavë. Për finale Sllovakia udhëtoi në Belfast të Uellsit për t’u ndeshur me Irlandën e Veriut për një vend në “Euro 2020”. Ndeshjen e fitoi me rezultatin e ngushtë 2:1 pas kohës shtesë për të rezervuar një vend në turneun e kësaj vere.

Përzgjedhësi dhe taktika

Stefan Tarkoviq – njeriu i ngarkuar për të udhëhequr Sllovakinë nga zona teknike – u emërua si përzgjedhës përpara finales me Irlandën e Veriut. Paraardhësi i tij, Pavel Hapal, u shkarkua nga detyra e përzgjedhësit pas një serie rezultatesh zhgënjyese në Ligën e Kombeve dhe pas fitores në gjysmëfinalen kundër Irlandës. Tarkoviqi kishte qenë pjesë e stafit stërvitor të Sllovakisë gjatë “Euro 2016”, si ndihmës i përzgjedhësit të atëhershëm të Sllovakisë, Jan Kozak.

Emërimi i tij në krye te Sllovakisë pak para finales u pa si një veprim mjaft i guximshëm nga federata sllovake. Sllovakia në “Euro 2020” do ta bëjë paraqitjen e saj të dytë në Evropian pas debutimit në turneun e vitit 2016. Në të kaluarën Sllovakia ka preferuar të emërojë përzgjedhës që kishin një rezyme mjaft të fortë për karrierën e tyre të lojës, por kësaj here ky qëndrim ndryshoi me angazhimin e Tarkoviqit.

Historia e Tarkoviqit është një histori interesante dhe intriguese. “Kur isha 24 vjeç pësova një lëndim të rëndë. Kjo është arsyeja pse nuk mund ta zhvilloja karrierën më shumë si lojtar. Unë isha diku në nivelin e një lojtari profesionist të ligës së parë ose të dytë”, ka pranuar Tarkoviq. “Meqenëse talenti im ishte shumë i kufizuar nga potenciali im shëndetësor, vendosa të futesha në zejen e trajnerit. Kur erdha në Bratislavë në vitin 1992 për të studiuar dhe për të luajtur futboll në të njëjtën kohë, unë e dija që trajnimi në Universitet do të ishte baza e asaj që unë dua të bëj në të ardhmen”. Dhe këtë verë Tarkoviqi ka rastin ideal për ta përmbushur ëndrrën e tij, duke e udhëhequr Sllovakinë në një turne të madh futbolli.

Ylli i ekipit

Lojtari yll i Sllovakisë sigurisht se është qendërmbrojtësi i Interit, Milan Skriniar. 26-vjeçari edicionin e fundit e fitoi titullin e kampionit në Serie A dhe ishte ndër lojtarët më stabil të ekipit. Kështu që Skriniar mund të jetë vendimtar edhe te Sllovakia në “Euro 2020” që nis javën e ardhshme – 11 qershor. Në dy ndeshjet e fundit, me Maltën dhe Rusinë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, Skriniar i shënoi dy gola.

Skriniar ishte thelbësor për skuadrën e Antonio Contes në luftën drejt titullit në Serie A, duke ndihmuar Interin që të jetë ekipi që pranoi më së paku gola në kampionat. Zotësia dhe aftësia e tij do të jenë thelbësore për sllovakët pasi janë në një grup që përmban ekipet si Spanja dhe Polonia, që kanë sulmin e rrezikshëm. Krahas aftësive të mira në mbrojtje, Skriniar di të jetë i rrezikshëm edhe në zonën kundërshtare pasi është i mirë në luftën në ajër dhe mund të shënojë gola. Kur të gjitha këto merren parasysh, atëherë nuk ka dyshim se Skriniar është lojtar i domosdoshëm për Sllovakinë në “Euro 2020”.

Lojtari i së ardhmes

Lojtari i ri i Sllovakisë që është dashur ta tërheqë vëmendjen në “Euro 2020” nuk do të ishte askush tjetër përveç mesfushorit 20-vjeçar David Strelec. Lojtari i ekipit Slovan Bratislava që ka shënuar 12 gola dhe ka bërë shtatë asistime, nuk do të jetë në gjendje të paraqitet në Evropian për shkak të lëndimit që e ka pësuar ditët e fundit.

Ai është djali i ish-futbollistit sllovak Milan Strelec dhe bëri debutimin e tij te Sllovakia në muajin mars. Kështu që, në mungesë të Strelecit, ylli i ri i Sllovakisë në Evropian, pritet të jetë 18-vjeçari i Groningenit, Tomas Suslov. Mesfushori 18-vjeçar ka pasur një edicion të mirë te skuadra holandeze, ku edhe është zhvilluar si lojtar. Shënoi dy gola dhe asistoi pesë herë në 28 paraqitje në Eredivisie. Suslov në tetor të vitit të shkuar debutoi me Përfaqësuesen A të Sllovakisë, kurse deri më tani ka tri paraqitje. Ai nuk pritet të jetë titullar, por përzgjedhësi Tarkoviq beson se Suslov sa herë që do të inkuadrohet nga banka e rezervistëve do të jetë në gjendje ta ndryshojë ritmin e lojës për ekipin e tij.

Bilanci

Sllovakia në Kampionatin Evropian pati debutuar para pesë vjetësh, saktësisht në turneun e mbajtur në Francë. Gjatë atij turneu sllovakët fituan vetëm një ndeshje, dhe madje në stadiumin “Stade Pierre-Mauroy” kundër Rusisë, falë golave të Vladimir Weissit dhe Marek Hamsikut. Madje u kualifikua në 1/8 e finales, por u eliminua nga Gjermania që ishte dukshëm më e fortë. Mesfushorët Weiss e Hamsik do të jenë pjesë e rëndësishme e Sllovakisë edhe në “Euro 2020”.

Gjasat

Pasi e siguroi pjesëmarrjen në “Euro 2020” përmes rrugës së gjatë – plejofit – bazuar në paraqitjen që e pati në Ligën e Kombeve, Sllovakia futet në këtë turne me idenë për t’u mos eliminuar në fazën e grupeve. Me kundërshtarët si Spanja, Polonia e Suedia, gjasat e sllovakëve janë të vogla për të bërë diçka më shumë. Mirëpo ata synojnë të jenë befasia e grupit dhe të paktën të avancojnë në fazën e nokautit, sikurse në Kampionatin Evropian të vitit 2016.

Lista e Polonisë për Evropian

Portierë: Martin Dubravka, Dusan Kuciak, Marek Rodak

Mbrojtës: David Hancko, Tomash Huboçan, Martin Koscelnik, Peter Pekarik, Lubomir Satka, Milan Skriniar, Martin Valjent, Denis Vavro

Mesfushorë: Laszlo Benes, Ondrej Duda, Jan Gregus, Marek Hamsik, Lukas Haraslin, Jakub Hromada, Patrik Hrosovsky, Juraj Kucka, Stanislav Lobotka, Tomas Suslov, Vladimir Weiss

Sulmues: Robert Bozenik, Michal Duris, Robert Mak, Ivan Schranz

Ndeshjet e Polonisë në “Euro 2020”

14 qershor: Polonia – Sllovakia (18:00, St, Petersburg)

18 qershor: Suedia – Sllovakia (15:00, St. Petersburg)

23 qershor: Sllovakia – Spanja (18:00, Sevilla)