Euro 2020: Polonia e udhëhequr nga Lewandowski shpreson ta përsërisë suksesin e Evropianit të shkuar

9

Pas debaklit në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, ku përfundoi e fundit në grupin e saj, Përfaqësuesja e Polonisë do të frymëzohet nga paraqitja që e pati në Evropianin e vitit 2016 për “Euro 2020”. Në Evropianin e mbajtur në Francë, Polonia arriti në çerekfinale dhe po synon të paktën një rezultat të tillë në turneun e këtij viti, i cili nis më 11 qershor.

Te Polonia besojnë se do ta thonë fjalën e tyre në “Euro 2020” nën drejtimin e një përzgjedhësi, i cili në muajin mars të këtij viti debutoi në krye të ekipit për ndeshjet eliminatore të Botërorit “Katari 2022”. Të udhëhequr nga kapiteni i tyre me ndikim të madh, Robert Lewandowski, polakët do të futen në “Euro 2020” me një ekip të përzier mes veteranëve dhe lojtarëve të rinj, të cilët do të duhej të ndihmohen nga lojtarët si Kamil Glik, Grzegorz Krychoëiak dhe Arkadiusz Milik që kanë përvojë të madhe te Polonia.

Përzgjedhësi dhe taktika

Një anëtar i brezit të artë të Portugalisë që mrekulloi sytë e tifozëve të futbollit në fillim të viteve 2000, Paulo Sousa, kishte një karrierë mjaft të mirë si lojtar, duke luajtur për klube të mëdha si Benfica, Sporting, Juventus, Borussia Dortmund dhe Inter. Si menaxher, Sousa filloi me përfaqësuesen U16 të Portugalisë, pas së cilës udhëhoqi nëntë ekipe, përfshirë këtu Queens Park Rangersin, Swansea Cityn, Leicesterin, Baselin e Fiorentinan. Në Basel ai fitoi titullin e kampionit të Zvicrës në vitin 2015. Në janar të këtij viti Sousa e zëvendësoi Jerzy Brzeczekun, nën drejtimin e të cilit Polonia u kualifikua për “Euro 2020”, por kishte probleme me drejtuesit e lartë pas përfundimit të Ligës së Kombeve.

Edhe pse e ka udhëhequr Poloninë vetëm në tri ndeshje zyrtare, kualifikimet e Botërorit, taktikat dhe stili i lojës së Sousas kanë treguar që ekipi i tij duhet të jetë punëtor, por gjithashtu inteligjent dhe kreativ në lojën sulmuese. Për sa i përket vendosjes së ekipit në fushë, Sousa kryesisht përdor formacionin 3-5-2, me Robert Lewandowskin së bashku me një tjetër top sulmues përpara, ndërsa kreativiteti i lojës qëndron kryesisht në mesfushorin Piotr Zielinski. Dhimbja më e madhe e kokës që do të kishte Sousa në “Euro 2020” është të zgjedhë se cili prej dy portierëve të mirë që i ka do të jetë titullar. Në tre duelet e fundit eliminatore për Botërorin e vitit të ardhshëm që u luajtën në mars, Wojciech Szczesny (Juventus) ishte titullar derisa Lukasz Fabianski (West Ham) u desh të ngrohte stolin.

Ylli i ekipit

Lojtari më i mirë i Evropës sezonin e kaluar, Robert Lewandowski, është lojtari kyç i Polonisë, i cili me aftësitë e jashtëzakonshme të një qendërsulmuesi ka pasur një ndikim të madh në ngritjen e përfaqësueses polake. Duke pasur parasysh se Lewandowski është edhe sulmuesi më i kërkuar në treg, është e natyrshme që Polonia të gjitha shpresat do t’i mbështesë te kapiteni i saj për të pasur ndonjë sukses në “Euro 2020”.

Në 48 ndeshje të luajtura edicionin e fundit për Bayern Munichun, Lewandowski shënoi 48 gola dhe nëntë asistime në të gjitha garat. Por, dëmtimi i gjurit që e pësoi gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar pati ndikim të madh në eliminimin e Bayernit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Për Poloninë, Lewandowski aktualisht është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, me 66 gola të realizuara në 118 paraqitje.

Lojtari i së ardhmes

I krahasuar me Sergio Busquetsin nga trajnerët e tij, kur ishte te gjeneratat e reja, Jakub Moder është pak më i shkathët se mesfushori i Barcelonës, me aftësinë për të kaluar me lehtësi kundërshtarët dhe për të shënuar gola. Edhe pse Moder është vetëm 22-vjeçar, ai tashmë ka bërë tetë paraqitje për Përfaqësuesen e Polonisë, duke shënuar dy gola. Golin e parë me fanellën polake, ai e shënoi në ndeshjen eliminatore për Kupën e Botës kundër Anglisë.

Një lojtar kryesor te ekipi nga Premier League, Brightoni që menaxhohet nga Graham Potter, Moder do të kërkojë të forcojë vendin e tij te Polonia për ta fituar edhe më shumë besimin e trajnerit të Brightonit për sezonin e ardhshëm. Moder është i pazëvendësueshëm si te Polonia ashtu edhe te Brightoni, pasi konsiderohet si njëri prej mesfushorëve më të talentuar në Evropë. Për momentin Kuba, siç njihet ndryshe, pritet të shpërthejë në “Euro 2020” dhe të tërheqë vëmendjen e shumë skuadrave të mëdha të Evropës. Te Brightoni, Moder u transferua në fillim të këtij viti nga Lech Poznani dhe në 38 ndeshje në total gjatë sezonit 2020/21 ai shënoi katër gola e bëri tri asistime.

Bilanci

Polonia para Evropianit të këtij viti ka marrë pjesë në vetëm tri edicione të mëparshme të këtij turneu, të fundit në vitin 2016. Edhe pse u eliminua në fazën e grupeve në dy paraqitjet e para në Evropian, arritja e Polonisë në çerekfinale të “Euro 2016” është suksesi më i madh i saj në këtë turne. Pasi mposhti Zvicrën me penallti në 1/8 e finales, Polonia u eliminua në të njëjtën mënyrë në çerekfinale nga Portugalia, e cila më vonë u shpall kampione. Për sa i përket formës që e ka pasur gjatë rrugëtimit për “Euro 2020”, Polonia u kualifikua pasi përfundoi e para në grupin e saj, përpara Austrisë, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Izraelit dhe Letonisë. Para ndeshjeve të Evropianit, Polonia do t’i luajë dy ndeshje përgatitore, me Rusinë dhe Islandën.

Gjasat

Polonia në “Euro 2020” do të përballet me Spanjën, Sllovakinë dhe Suedinë në kuadër të grupit E. Ky grup është njëri prej grupeve më interesante të Evropianit, dhe Polonia shpreson ta thotë fjalën e saj. Tifozët polakë presin që ekipi i tyre pa problem ta kalojë fazën e grupeve derisa përzgjedhësi Sousa shpreson të paktën që të përsëritet suksesi i vitit 2016.

Lista e Polonisë për Evropian

Portierë: Lukasz Fabianski, Wojciech Szczesny, Lukasz Skorupski

Mbrojtës: Jan Bednarek, Bartosz Bereszynski, Pawel Dawidowicz, Kamil Glik, Michal Helik, Tomasz Kedziora, Kamil Piatkowski, Tymoteusz Puchacz, Maciej Rybus

Mesfushorë: Przemyslaw Frankowski, Kamil Jozwiak, Mateusz Klich, Kacper Kozlowski, Grzegorz Krychowiak, Karol Linetty, Jakub Moder, Przemyslaw Placheta, Piotr Zielinski

Sulmues: Dawid Kownacki, Robert Lewandowski, Arkadiusz Milik, Karol Swiderski, Jakub Swierczok

Ndeshjet e Polonisë në “Euro 2020”

14 qershor: Polonia – Sllovakia (18:00, St. Petersburg)

19 qershor: Spanja – Polonia (21:00, Sevilla)

23 qershor: Suedia – Polonia (18:00, St. Petersburg)