Dekada e kaluar ka qenë, për ta thënë butë, një katastrofë absolute për Përfaqësuesen e Holandës. Pasi befasuan shumë me paraqitjen e tyre të fortë në Botërorin e vitit 2014 ku përfunduan në pozitën e tretë, vitet pasuese kanë shkuar tejet keq për holandezët. Guus Hiddink dhe pastaj Danny Blind nuk mundën ta drejtonin Holandën në “Euro 2016”, pasi “tulipanët” nuk arritën të kualifikohen në këtë ngjarje për herë të parë që nga viti 1984. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, Blind u shkarkua gjatë kualifikimeve të Kampionatit Botëror “Rusia 2018” dhe përzgjedhësi i ri, Dick Advocaat, nuk arriti që Holandën ta kualifikojë edhe një herë në një ngjarje tjetër të madhe.
Ronald Koeman mori ekipin dhe përparoi paksa duke arritur në finalen e Ligës së Kombeve të edicionit 2018/19, para se të humbte nga Portugalia. Vitin pasues, Holanda nuk arriti të avancojë nga grupi, dhe në fund të vitit 2020, Federata e Futbollit të Holandës njoftoi se kishte angazhuar ish-mbrojtësin, Frank De Boer, për ta udhëhequr përfaqësuesen. Duke pasur parasysh gjithë këtë trazirë për më shumë se pesë vjet dhe një përzgjedhës të ri që ka pasur një fillim më pak se bindës, mbetet të shihet se çfarë do të jetë në gjendje të ofrojë Holanda që rikthehet në Kampionatin Evropian.
Përzgjedhësi dhe taktika
Frank De Boer është një legjendë tek Ajaxi dhe Barcelona, i njohur për aftësitë e tij mbrojtëse dhe udhëheqëse. Karriera e tij prej trajneri ka qenë disi e përzier. Pasi provoi suksesin me Ajaxin herët, përvoja e tij te Crystal Palace ishte plotësisht një katastrofë pasi nuk e pati asnjë fitore në kampionat, gjë që bëri ta humbë shkëlqimin si trajner. Me trazirat që përfshinë federatën holandeze, ai u emërua në shtator të vitit 2020 dhe rezultatet e tij te Holanda nuk ishin aq të mëdha.
Ai nuk arriti të fitonte asnjë nga katër ndeshjet e tij të para në krye të ekipit, një rekord negativ për një përzgjedhës të Holandës. Megjithëse i arriti dy fitore në tri ndeshjet e para të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, humbja erdhi nga Turqia, 4:2.
De Boer ka përdorur formacionin 4-3-3 në pesë ndeshjet e tij të fundit, kështu që nuk do të jetë befasi nëse i përmbahet këtij sistemi edhe në “Euro 2020”. Më 14 maj, De Boer publikoi një listë prej 34 lojtarësh, të cilën ditë më parë e shkurtoi në 26 sish, duke lënë jashtë ekipit futbollistët, si Hans Hateboer e Steven Bergwijn. Virgil Van Dijk mungon gjithashtu pasi ende nuk është rehabilituar nga lëndimi derisa në ekip nuk janë rikthyer as Sven Botman e Arjen Robben. Problemi më i madh për De Boerin në “Euro 2020” do të jetë sa i përket partnerit të Memphis Depayt në sulm. Ai duhet të zgjedhë mes veteranit Luuk De Jong dhe të riut Donyell Malen.
Ylli i ekipit
Sulmuesi Memphis Depay do të ketë për detyrë ta udhëheqë Holandën përpara në “Euro 2020”, ku do të jetë i ngarkuar më shënimin e golave. Depay e ndihmoi Lyonin që të sigurojë kualifikimin për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi shënoi 18 gola dhe bëri nëntë asistime. Pas aventurës së shkurtër te Manchester Unitedi, e cila nuk ishte e suksesshme, Depay është ringjallur te Lyoni duke u shndërruar në lojtarin kryesor. De Boer shpreson që formën fantastike që e kishte te Lyoni, Depay ta bartë edhe në Evropianin e këtij viti. Për Depayn, që ka vendosur të largohet nga Lyoni si lojtar i lirë këtë verë, skuadrat si Barcelona e Juventusi janë në garë për transferim. Ai ka katër gola dhe dy asistime në pesë ndeshjet e fundit me Holandën, që duket gati për të shkuar larg në “Euro 2020”.
Lojtari i së ardhmes
Donyell Malan shihet si partneri perfekt për Depayn në repartin e sulmit te Përfaqësuesja e Holandës. 22-vjeçari ka qenë në formë jetësore këtë edicion, duke shënuar 17 gola për PSV Eindhovenin që doli nënkampion i Eredivisies. Malen ka shënuar mesatarisht një gol në çdo dy ndeshje gjatë karrierës së tij te PSV-ja, si dhe ka siguruar 22 asistime. I shpejtë, instiktiv dhe me kokë të qetë para portës kundërshtare, Malen tashmë ka regjistruar tetë paraqitje për Holandën duke shënuar dy gola. Megjithëse De Boer mund të dëshirojë të fillojë ndeshjet në “Euro 2020” me sulmues më me përvojë, siç është De Jong, Malen sigurisht se do të jetë më se i dobishëm përgjatë këtij turneu që nis më 11 qershor.
Bilanci
Holanda e siguroi kualifikimin për “Euro 2020” pasi dola e dyta në Grupin C, me 19 pikë pas tetë ndeshjeve të zhvilluara. Përfundoi pas Gjermanisë që kishte dy pikë më shumë, pas humbjes 3:2 në Amsterdam. Megjithatë, Holanda gjatë këtyre kualifikimeve arriti ta mposhtë Gjermaninë me rezultatin bindës, 4:2 në Hamburg, por që gjatë rrugës luajti pa gola në udhëtim tek Irlanda e Veriut. Holandezët e kanë fituar Evropianin një herë në historinë e tyre, në vitin 1988, nën udhëheqjen e treshes legjendare: Ruud Gullit, Marco Van Basten dhe Frank Rijkaard. Gjithashtu, ky ishte dhe mbetet trofeu i parë i madh ndërkombëtar. Holanda ka arritur në gjysmëfinale të këtij turneu në vitet 1992, 2000 dhe 2004.
Gjasat
Holanda në “Euro 2020” bën pjesë në Grupin C, së bashku me Ukrainën, Austrinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndonëse pritet që Holanda ta kalojë me lehtësi grupin, kundërshtarët e saj nuk garantojnë një gjë të tillë. Holanda shihet favorite, por Ukraina dhe Austria shihen si ekipe që mund t’ia prishin planet për të përfunduar e para, bazuar në formën e luhatshme që ka treguar. Synimi i Holandës është jo vetëm të avancojë përtej fazës së grupeve, por të paktën të arrijë deri në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.
Lista e Holandës për Evropian
Portierë: Jasper Cillessen, Maarten Stekelenburg, Tim Krul
Mbrojtës: Daley Blind, Stefan de Vrij, Joel Veltman, Matthijs de Ligt, Nathan Ake, Denzel Dumfries, Patrick van Aanholt, Owen Wijndal, Jurrien Timber
Mesfushorë: Georginio Wijnaldum, Frenkie de Jong, Davy Klaassen, Marten de Roon, Donny van de Beek, Ryan Gravenberch, Teun Koopmeiners
Sulmues: Memphis Depay, Quincy Promes, Luuk de Jong, Steven Berghuis, Donyell Malen, Wout Weghorst, Cody Gakpo
Ndeshjet e Holandës në “Euro 2020”
13 qershor: Holanda – Ukraina (21:00, Amsterdam)
17 qershor: Holanda – Austria (21:00, Amsterdam)
21 qershor: Maqedonia V. – Holanda (18:00, Amsterdam)