Në Kampionatin Evropian të kësaj vere, Përfaqësuesja e Francës shumë lehtë ka mundur të jetë në kërkim të trofeut të tretë rresht ndërkombëtar. Mirëpo, një gol i pranuar nga kapiteni i Francës, Hugo Lloris, në vazhdime, bëri që francezët të pësojnë në finalen e “Euro 2016” nga Portugalia.
Në “Euro 2020” Franca do të futet “vetëm” si kampione në fuqi e botës.
Franca vlerësohet se ka skuadrën më të mirë në botë, si për nga cilësia ashtu edhe për nga numri i lojtarëve të nivelit më të lartë. Ka të paktën nga dy lojtarë të klasit botëror në secilën pozitë dhe thuajse të gjithë do të futen në Evropian në formë të mirë.
Paul Pogba ka shkëlqyer gjatë edicionit 2020/21 te Manchester Unitedi, sikurse edhe sulmuesi Antoine Griezmann me Barcelonën. Përzgjedhësin Didier Deschamps e gëzon forma fantastike e mesfushorit N’Golo Kante. Ai ishte lojtari kryesor te Chelsea dhe më i merituari për triumfin e ekipit londinez në Ligën e Kampionëve.
Në përgjithësi futbollistët francezë kanë treguar paraqitjet më të mira nëpër skuadrat e tyre dhe pritet që me të njëjtin ritëm të vazhdojnë edhe në Evropian, i cili nis më 11 qershor.
Nuk duhet lënë anash as kthimi i sulmuesit Karim Benzema pas gjashtë vjetësh. Për Evropian mund të thuhet se Franca ka një themel të fortë. Baza e lojtarëve që e fitoi titullin e botës në vitin 2018 është ende e paprekur. Ky nuk është aspak një sinjal i mirë për të gjithë kundërshtarët.
Përzgjedhësi dhe taktika
Didier Deschamps u bë personi i tretë pas Mario Zagallos dhe Franz Beckenbauerit që e fitoi Kupën e Botës si lojtar dhe trajner, kur Përfaqësuesja e Francës, që drejtohej nga ai, triumfoi në vitin 2018. Ai është një trajner me përvojë dhe i suksesshëm, i cili e ka kthyer Francën në një superfuqi. Pavarësisht se repartin e sulmit e ka të frikshëm, Deschamps i ka kushtuar rëndësi të madhe mbrojtjes. Franca preferon të luajë një lojë të shpejtë me kundërsulme, që është fatale për kundërshtarët. Vendimi i Deschampsit për ta kthyer Benzeman mbetet ende interesant, por përfshirja e sulmuesit të Real Madridit e bën Francën edhe më të frikshme në Evropian. Kthimi i tij do të thotë se sulmi i Francës do të përbëhet nga treshja Kylian Mbappe, Karim Benzema e Antoine Griezmann. Franca ka një skuadër dhe njëmbëdhjetëshe stabile, kurse pritet që përzgjedhësi Deschamps në “Euro 2020” të luajë me formacionin 4-3-3.
Ylli i ekipit
Një vendim shumë i vështirë, duke pasur parasysh gjithë potencialin që Franca do ta ketë në “Euro 2020”. Megjithatë sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, mbetet ylli i Francës, i cili pritet ta ketë barrën kryesore për shënimin e golave në turne. Në fakt Mbappe pothuajse ishte lojtari më i mirë në Botërorin “Rusia 2018”, ndonëse ky çmim shkoi për Luka Modriqin. Mbappe edhe një herë do të jetë figura kryesore e Francës, por këtë herë në Evropian.
Mbappe ka qenë në formë të jashtëzakonshme në edicionin e fundit, duke shënuar 42 gola dhe duke asistuar 11 herë në 47 ndeshje në të gjitha garat. Paraqitja kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve ishte vetëm edhe një dëshmi për aftësitë fantastike të Mbappes. Nëse merr asistimin e duhur, atëherë askush nuk mund ta ndalë Mbappen për të shënuar gol.
Lojtari i së ardhmes
Jules Kounde është ndër talentet më emocionuese në kontinent dhe ai është vazhdimisht i lidhur me një kalim të mundshëm pas “Euro 2020” në ndonjërën prej skuadrave të mëdha të Evropës. Edhe pse ka vetëm një ndeshje me Francën, Kounde konsiderohet si mbrojtësi më perspektiv në Evropë pas paraqitjeve që i pati te Sevilla në sezonin e fundit. Kounde luajti në pjesën e dytë në miqësoren kundër Uellsit, të cilën Franca e fitoi 3:0, ditë më parë. Ndërsa, pas ndeshjes, përzgjedhësi Deschamps pati fjalë të mira për të, duke bërë me dije se llogarit në shërbimet e Koundes gjatë Evropianit. Me gjithë një shtat të shkurtër, Kounde është shumë i fortë në ajër. Veçohet për lojën e mirë me top dhe rikuperimet e shpejta që i bën.
Raphael Varane ka pasur telashe me lëndime në sezonin e fundit te Real Madridi, dhe Kounde shihet si një zëvendësim më se i denjë për të në “Euro 2020”. Një paraqitje e fortë dhe e mirë në Evropian mund të bëjë që çmimi i Koundes të fluturojë. Aktualisht Sevilla kërkon 70 milionë euro për ta lënë të lirë 22-vjeçarin.
Bilanci
Përfaqësuesja e Francës ka triumfuar dy herë në Evropian. Në vitin 1984, kur Michel Platini shënoi një rekord të golave, nëntë sish në pesë ndeshje. Dhe në vitin 2000 kur sulmuesi David Trezeguet shënoi golin e artë për ta mposhtur Italinë. Prej vitit 2000, Franca vetëm në “Euro 2016”, që e organizoi vetë, arriti deri në finale. Në vitet 2004 dhe 2012 u eliminua në çerekfinale, kurse në vitin 2008 nuk arriti ta kalonte as fazën e grupeve. Prej vitit 2010 Franca në të gjithë turnetë ndërkombëtarë ka avancuar përtej fazës së grupeve, kurse suksesin më të madh e arriti në vitin 2018, kur u shpall kampione e botës. Tre vjet pas këtij suksesi Franca po synon të bëhet edhe kampione e Evropës.
Gjasat
Testi më i vështirë i Francës në “Euro 2020” do të jetë faza e grupeve. Franca bën pjesë në Grupin F, të cilin e përbëjnë edhe Gjermania, Portugalia e Hungaria, e cila shihet autsajdere. Gjermania e Portugalia kanë ekipe të jashtëzakonshme dhe pritet t’i shkaktojnë probleme të mëdha Francës, që synon të paktën ta përsërisë suksesin e vitit 2016. Në rast se francezët e kalojnë grupin, atëherë vështirë se mund dikush t’i ndalë deri te trofeu i çmuar.
Lista e Francës për Evropian
Portierë: Hugo Lloris, Steve Mandanda, Mike Maignan
Mbrojtës: Lucas Digne, Leo Dubois, Lucas Hernandez, Presnel Kimpembe, Jules Kounde, Clement Lenglet, Benjamin Pavard, Raphael Varane, Kurt Zouma
Mesfushorë: N’Golo Kante, Thomas Lemar, Paul Pogba, Adrien Rabiot, Moussa Sissoko, Corentin Tolisso
Sulmues: Wissam Ben Yedder, Karim Benzema, Kingsley Coman, Ousmane Dembele, Olivier Giroud, Antoine Griezmann, Kylian Mbappe, Marcus Thuram
Ndeshjet e Francës në “Euro 2020”
15 qershor: Franca – Gjermania (21:00, Munich)
18 qershor: Hungaria – Franca (15:00, Budapest)
23 qershor: Portugalia – Franca (21:00, Budapest)