UEFA është duke e shqyrtuar mundësinë që Kampionatin Evropian ta mbajë në vetëm një shtet këtë verë dhe jo siç ishte planifikuar në disa shtete të kontinentit. Kështu ka thënë shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge. Gara që ende mban emrin “Euro 2020” e që është shtyrë për qershor të këtij viti, është paraparë të zhvillohet në 12 qytete në Evropë, por Rumenigge ka nënvizuar se ky koncept u ëndërrua para shfaqjes së COVID-19.
“Nuk duhet ta harrojmë se kjo ide e veçantë e garës erdhi para se të ekzistonte koronavirusi. Ishte iniciativë e Komisionit Evropian që donte që futbolli të shfaqej në tërë Evropën”, ka thënë ai për gazetën gjermane “Munchner Merkur/TZ. Qytetet nikoqire janë vendosur të jenë Londra, Glasgow, Dublini, Bilbao, Amsterdami, Kopenhaga, Munichu, Roma, St. Petersburgu, Bukureshti, Budapesti dhe Bakuja. Gjysmëfinalet dhe finalja ishin paraparë të zhvilloheshin në “Wembley”.
“UEFA bashkë me 12 qytete nikoqire po punon në katër skenarë operativ për UEFA Euro 2020 (stadium i mbushur, me 50-100% të kapacitetit me masa të ndryshme lehtësuese, me 20-30% të kapacitetit me masa të ndryshme lehtësuese apo me dyer të mbyllura. Secili qytet bashkë me UEFA-n do t’i seleksionojë 2-3 skenarë dhe do të zhvillojnë plane në javët e ardhshme. Vendimi se cili skenar do të aplikohet individualisht në secilin qytet gjatë garës do të merret në muajin mars”, kanë thënë nga UEFA. Presidenti Aleksandar Çeferin javën e kaluar ka thënë se ka shpresë në programet e vaksinës, duke lëvizur me shpejtësi në qytete të ndryshme nikoqire, e që do të ishte çelësi për t’i qëndruar planit të paraparë.