Euro 2020: Mesfusha, shpresa e Kroacisë për sukses në Evropian

10

Arritjet e mëdha për këtë vend relativisht të vogël janë bërë një realitet më i njohur qëkur përfaqësuesja e Kroacisë arriti në finalen e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.

Me një popullsi prej pak më shumë se katër milionë banorësh, ky vend i vogël futet në “Euro 2020” pas suksesit që e arriti në turneun e fundit të madh të futbollit.

Përfaqësuesja e Kroacisë arriti ta eliminojë Anglinë në rrugën për në finalen e Botërorit të vitit 2018. Skuadra kroate është rritur gjatë viteve, me shumë nga lojtarët e saj që paraqiten me sukses nëpër ligat e rëndësishme të Evropës, ku disa prej tyre janë pjesë e klubeve të mëdha.

Arritja e Kroacisë në vitin 2018 është vlerësuar rrugëtim ëndrrash për një përfaqësuese jo shumë të madhe. Mirëpo Kroacia nuk arriti ta kalojë me sukses edhe pengesën e fundit. Në finale u mposht nga Përfaqësuesja e Francës, që ishte për një nuancë më e fortë. Udhëtimi i Kroacisë në Botërorin “Rusia 2018” dha shpresë të paparë që suksesi mund të arrihet edhe kur je autsajder. Tani, në Kampionatin Evropian, Kroacia do të futet si njëra prej skuadrave pretenduese, falë asaj që e arriti para tre vjetësh.

Përzgjedhësi dhe taktika

Një ish-lojtar mesatar, Zlatko Daliq, ka qenë në krye të Kroacisë që nga viti 2017. Si lojtar ai luajti për një numër skuadrash duke filluar karrierën e tij në një nga klubet më të suksesshme të Kroacisë, Hajdukun e Split, ku e fitoi Kupën e Jugosllavisë në vitin 1983. Daliq në vitin 2000 u tërhoq nga futbolli aktiv te Varteksi dhe u fut në zejen e trajnerit. Në vitin 2008, Daliq e shijoi suksesin e tij të parë të madh si trajner, pasi fitoi Kupën e Shqipërisë me Dinamon e Tiranës.

Pas një periudhe të shkurtër në Shqipëri, Daliq u kthye në Kroaci. Në vitin 2010 ai u bë trajner i skuadrës nga Arabia Saudie, Al Faisaly. Atje pati sukses të madh. Ai u përzgjodh trajner i vitit nga gazeta “Al Riyadh”.

Në vitin 2017, pas shkarkimit të Ante Çaçiqit pas një serie rezultatesh të dobëta, Daliq u emërua përzgjedhës i Kroacisë. Kroacia u kualifikua në Kupën e Botës “Rusia 2018” dhe arriti në finalen e të njëjtit turne. Për arritjen e tij ai u vlerësua me çmimin shtetëror “Franjo Buçar” për sport, i cili është çmimi më i lartë i njohjes që Kroacia jep për arritjet e jashtëzakonshme.

Në fakt, suksesi i Kroacisë në “Euro 2020” do të varet nga mesfusha, se sa do të jetë në gjendje të krijojë raste për sulmin. Daliq edhe në Evropian do t’i përmbahet sistemit të tij klasik të lojës 4-2-3-1 apo 4-1-4-1. Edhe pse Daliq ka paralajmëruar se para Evropianit do të testojë sistemin 4-4-2 dhe 4-3-2-1, ai sërish pritet t’i përmbahet formacionit të tij që ia solli suksesin në Botërorin e vitit 2018.

Ylli i ekipit

Në moshën 35 vjeçare Luka Modriq është në përfundim të karrierës së tij. Fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2018 ka qenë shtylla kryesore për klubin dhe vendin për më shumë se një dekadë. Mesfushori i skuadrës së Real Madridit është një krijues në mesfushë, është i shpejtë me këmbët e tij dhe ka një vizion të shkëlqyeshëm për lojën.

Një pasues i saktë i topit, loja pozicionale dhe aftësia për të diktuar ritmin e lojës e bën Modriqin të rëndësishëm te Kroacia e Real Madridi. Saktësia dhe vizioni i tij taktik në mesfushë kanë bërë që ai të konsiderohet një maestro i mesfushës. Duke filluar si një mesfushor sulmues, Modriq ka kaluar në një rol më të thellë që i ka lejuar atij të ketë më shumë topin dhe kështu të kontrollojë lojën sulmuese të ekipit.

Lojtari i së ardhmes

Qëkur bëri debutimin e tij në moshën 16-vjeçare për klubin kroat, Hajduk Split, paraqitjet e Nikola Vlashiqit kanë qenë në një trajektore që ka shkuar përpjetë. Tani 22-vjeçar Nikola ishte shënuesi më i ri në historinë e klubit kur shënoi gol në një ndeshje kualifikuese të Ligës së Evropës kundër Dundalkut në Irlandë. Nikola zotëron aftësi të mëdha për udhëheqjen e topit dhe inteligjencën që ka në mesfushë. Atletizmi dhe qëndrueshmëria janë ato që i japin atij avantazh ndaj mesfushorëve të tjerë ndërsa përpiqet të dominojë lojën në mes të fushës. Nikola u transferua te CSKA Moska në vitin 2018 dhe shënoi tetë gola e bëri shtatë asistime në edicionin e tij të parë në Rusi. Në vitet e fundit interesim të madh për shërbimet e tij pas paraqitjeve të mira të CSKA kanë shprehur skuadrat nga Serie A, Atalanta dhe Napoli.

Bilanci

Më parë pjesë e Jugosllavisë, Kroacia debutoi në Kampionatin Evropian në vitin 1996 dhe arriti deri në çerekfinale. Në turneun vijues, në vitin 2000, Kroacia nuk arriti të kualifikohej, por që prej asaj kohe është kualifikuar për çdo turne.

Kroacia arriti përsëri në çerekfinale të “Euro 2008”, që ishte një përsëritje e përfundimit të saj më të mirë ndonjëherë në turne. Për “Euro 2020”, Kroacia është kualifikuar si e para e grupit, i cili përbëhej nga Uellsi, Sllovakia, Hungaria dhe Azerbajxhani. Në Evropianin e fundit, të mbajtur të Francë, kroatët u eliminuan shumë herët, në 1/8 e finales.

Gjasat

Përfaqësuesja e Kroacisë është rritur dhe shndërruar në një fuqi që nga paraqitja fantastike që e pati në Botërorin e vitit 2018. Në Evropianin që nis më 11 qershor, Kroacia është pjesë e Grupit D së bashku me Anglinë, Skocisë dhe Çekinë. Së bashku me Anglinë, Kroacia llogaritet favorite e grupit dhe synimi është që të paktën të arrijnë në çerekfinale të këtij turneu. Megjithatë te Kroacia shumë gjëra do të varen nga lidhja e mesfushës që është reparti më i fortë dhe më i rëndësishëm i ekipit.

Lista e Kroacisë për Evropian

Portierë: Lovre Kaliniq, Dominik Livakoviq, Simon Sluga

Mbrojtës: Domagoj Vida, Dejan Lovren, Sime Vrshalko, Borna Barishiq, Duje Çaleta-Car, Josip Juranoviq, Domagoj Bradariq, Mile Shkoriq, Joshko Gvardiol

Mesfushorë: Luka Modriq, Mateo Kovaçiq, Marcelo Brozhoviq, Milan Badelj, Mario Pashaliq, Nikola Vlashiq, Luka Ivanushec

Sulmues: Ivan Perishiq, Andrej Kramariq, Ante Rebiq, Josip Brekalo, Bruno Petkoviq, Mislav Orsiq, Ante Budimir

Ndeshjet e Kroacisë në “Euro 2020”

13 qershor: Anglia – Kroacia (15:00, Londër)

18 qershor: Kroacia – Çekia (18:00, Glasgow)

22 qershor: Kroacia – Skocia (21:00, Glasgow)