Në fakt, Shqipëria e ka gjetur rrugën e rrjetës pas vetëm 133 sekondash lojë, por kërcimi i fuqishëm i Ndojit, që është kurorëzuar me përshëndetjen e rrjetës, ka rezultuar i pavlefshëm, pasi më parë topi kishte dalë jashtë vijave kufizuese të fushës. Megjithatë, goli do të vijë 195 sekonda më pas dhe thuajse në mënyrë identike, por këtë radhë, përcjellja e topit në rrjetë nga Bekim Balaj vlen dhe Shqipëria kryeson 1-0.
Shqipëria vijon ta mbizotërojë takimin në vijim (12’ & 14’), por përkundër rrjedhës së lojës, me fillimin e minutës së 18-të, Andorra ka barazuar shifrat, pasi Martinez finalizon me sukses një aksion të bukur të miqve dhe, duke përfituar nga përgjumja e skuadrës kuqezi, përshëndet rrjetën. Shqipëria mundohet të reagojë pas pësimit të golit, për të rigjetur epërsinë, por kuqezinjtë nuk e gjejnë katërkëndorin e portës së përfaqësueses së Principatës së Pirenejve, kjo edhe për meritë të gardianit mik, Gomes. Përkundër pritshmërive, gjysma e dytë e pjesës së parë do të jetë e vakët dhe e turbullt për kuqezinjtë dhe ky 45 minutësh do të mbyllet kështu në barazim 1-1.