Italia ka bërë një rrugë të gjatë prejse nuk arriti të kualifikohet në Botërorin “Rusia 2018”, për t’u shndërruar në një forcë evropiane, e gatshme për të dominuar kontinentin.
Kjo skuadër e rinuar nga përzgjedhësi Roberto Mancini mund të shkaktojë telashe të mëdha në “Euro 2020” dhe nuk është rastësi që konsiderohet në mesin e favoritëve. Pas mungesës tronditëse nga Kupa e Botës, lojtarët me përvojë si Gianluigi Buffon, Giorgio Chiellini, Andrea Barzagli e Daniele de Rossi njoftuan tërheqjen e tyre nga përfaqësuesja. Pas kësaj Italia bëri veprimin e radhës, duke e emëruar Roberto Mancinin për përzgjedhës. Me ardhjen e Mancinit në krye të Italisë, gjërat filluan të binin në vend.
Një skuadër në rënie e mbushur me lojtarë veteranë, ngadalë u shndërrua në një forcë brutale, plot gatishmëri, forcë dhe rini. Në tre vjetët e tij me Italinë, Mancini u ka mundësuar më shumë se 30 lojtarëve të rinj që të debutojnë në ekip, përfshirë mesfushorët Nicolo Barella e Manuel Locatelli. Debutuesit e tjerë të shquar në epokën e Mancinit përfshijnë mbrojtësin Alessandro Bastoni e mesfushorin Sandro Tonali. Së bashku me përfshirjen e të rinjve, Italia përdori lojtarët me përvojë, si kapitenin Leonardo Bonucci, pastaj Ciro Immobile, Lorenzo Insigne e Marco Verratti për rezultatet fantastike. Me një ekuilibër perfekt të përvojës dhe rinisë, Italia ka mundësinë e përsosur për të fituar Kampionatin e parë Evropian që nga viti 1968.
Italia ka arritur në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve dhe do të luajë me Spanjën më vonë këtë vit. Aktualisht në një seri prej 25 ndeshjeve pa humbje, Italia është bërë përsëri një forcë kërcënuese që kundërshtarët duhet t’ia kenë frikën.
Përzgjedhësi dhe taktika
Roberto Mancini është 56-vjeçar, një ish-futbollist i Italisë që me zejen e trajnerit ka filluar në vitin 2001. Ai është në krye të Italisë prej 14 majit të vitit 2018. Mori postin pasi italianët dështuan të kualifikohen në Kampionatin Botëror për herë të parë prej vitit 1958. Mancini ishte në muzg të karrierës së tij kur mori thirrjen për ta drejtuar Italinë. Pasi kishte fituar shumë trofe në Itali dhe Angli, me Interin e Manchester City, pastaj me Lazion e Fiorentinan, por në fakt po punonte në një nivel nën aftësinë e tij, në ligën e Rusisë te skuadra e Zenitit. Angazhimi i tij tek Italia po duket i frytshëm pasi të gjithë po përgëzojnë Mancinin për ringjalljen e “Azzurëve”.
Mancini preferon të luajë një formacion taktik 4-3-3 me Italinë. Ai është i njohur për qasjen pragmatike dhe mbrojtjen e thellë për të ruajtur portën e pastër. Italia luan me tre mesfushorë që mbajnë topin dhe dy mesfushorë qendrorë për të bërë transicion të rrjedhshëm nga mbrojtja në sulm dhe për të krijuar mundësi shënimi të golave për sulmuesit. Me ritëm dhe aftësi depërtimi në të dy krahët, Italia ka gjetur golat që i janë nevojitur në shumicën e rasteve.
Ylli i ekipit
Maestro në mesfushë është Marco Verratti. Ai ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm tek Italia gjatë viteve të fundit. Verratti së bashku me të riun Nicolo Barella janë përgjegjës për transicionet sulmuese në të cilat Italia mbështetet për të shënuar gola. Verratti është i njohur për diktimin e ritmit dhe sulmet orkestruese me aftësinë e tij për të depërtuar. Pavarësisht se kishte një sezon mesatar të ngarkuar me lëndime me skuadrën e tij, Paris Saint-Germain, tek Italia po shpresojnë që Verratti të jetë i gatshëm për “Euro 2020”. Ai ende nuk është rikuperuar plotësisht dhe stafi mjekësor i Italisë është optimist se Verratti do të jetë në gjendje t’i ndihmojë ekipit. Verratti ka regjistruar 6 asistime për skuadrën franceze sezonin e fundit dhe natyrisht se llogaritet njëri prej lojtarëve thelbësorë të Roberto Mancinit në Kampionatin Evropian.
Lojtari i së ardhmes
Alessandro Bastoni ka qenë një lojtar kryesor për kampionin e Serie A, Interin, që i dha fund dominimit nëntëvjeçar të Juventusit në kampionatin italian. Me Bastonin në mbrojtje, Interi ka pësuar vetëm 29 gola në kampionat dhe ka mbajtur portën të paprekur në 13 ndeshje. Qendërmbrojtësi që luan me këmbën e majtë është i njohur për krijimin e shanseve nga mbrapa, me aftësinë e tij për të dërguar topin para. Ai ndihmon ekipin të shpërthejë në kundërsulme të shpejta, diçka që Mancini dëshiron ta shfrytëzojë. Gjithashtu Bastoni është i mirë edhe në luftën në ajër dhe kjo do të jetë një përparësi e tij për ta ndihmuar ekipin, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Pavarësisht se kishte opsione më me përvojë në mbrojtje, Mancini i ka besuar Bastonit për “Euro 2020”.
Bilanci
Italia ishte superiore gjatë kualifikimeve për “Euro 2020”. I regjistroi dhjetë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, për të përfunduar e para në grupin e saj. Në fakt Italia u bë vetëm përfaqësuesja e shtatë në histori të kualifikimeve për Evropian që ka pasur një rekord të qindpërqindtë.
Në përgjithësi, Italia është në seri prej 25 ndeshjeve pa humbje dhe ka humbur vetëm dy nga 28 ndeshjet nën urdhrat e përzgjedhësit Roberto Mancini. Italia e ka fituar vetëm një herë titullin e kampionit të Evropës, dhe atë në vitin e largët 1968. Në dy raste të tjera, Italia ka përfunduar nënkampione evropiane, në vitet 2000 dhe 2012.
Gjasat
Gjasat e Italisë për të kaluar fazën e grupeve dhe për të shkuar më tej në “Euro 2020” janë mjaft të mëdha, duke marrë parasysh formën që ka pasur. Vendosja taktike i lejon italianët të shfrytëzojnë hapësirat e kundërshtarit derisa në mbrojtje nuk mund të thyhen lehtë. Edhe pse Italia duket sikurse është ringjallur, në fazën e grupeve do të ketë një punë të vështirë pasi do të përballet me Zvicrën, Turqinë dhe Uellsin.
Lista e Italisë për Evropian
Portierë: Gianluigi Donnarumma, Alessio Cragno, Alex Meret, Salvatore Sirigu
Mbrojtës: Leonardo Bonucci, Alessandro Bastoni, Gianluca Mancini, Rafael Toloi, Leonardo Spinazzola, Emerson Palmieri, Giovanni Di Lorenzo
Mesfushorë: Marco Veratti, Nicolo Barella, Lorenzo Pellegrini, Manuel Locatelli, Matteo Pessina, Jorginho, Manuel Lazzari
Sulmues: Ciro Immobile, Lorenzo Insigne, Andrea Belotti, Stephan El Shaarawy, Federico Bernardeschi, Federico Chiesa, Domenico Berardi, Moise Kean
Ndeshjet e Italisë në “Euro 2020”
11 qershor: Turqia – Italia (21:00, Romë)
16 qershor: Italia – Zvicra (21:00, Romë)
20 qershor: Italia – Uellsi (18:00, Romë)