Përfaqësuesja e Hungarisë do të futet në Kampionatin Evropian si pjesë e grupit ndoshta më të vështirë në të gjithë turneun. Duke pasur parasysh kundërshtarët e Hungarisë në fazën e grupeve, atëherë mund të thuhet se nuk ka pothuajse aspak gjasa për t’u kualifikuar në fazën e nokautit. Në kuadër të Grupit F, Hungaria do të ketë punë me Gjermaninë, Francën dhe Portugalinë, tri përfaqësuese favorite për të triumfuar në “Euro 2020”, që nis më 11 qershor.
Megjithatë, Hungaria do të ketë mundësinë që dy prej tri ndeshjeve të fazës së grupeve t’i luajë në shtëpi, saktësisht në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest. Hungaria nuk e siguroi pjesëmarrjen në Evropian nëpërmjet kualifikimeve, përkundër që e mposhti Kroacinë edhe Uellsin. Përfundoi e parafundit në grupin me pesë ekipe. Mirëpo, hungarezët arritën të sigurojnë Evropianin, falë plejofit të Ligës së Kombeve ku në finale e mposhti Islandën në nëntor të vitit të shkuar. Në fakt, hungarezët ishin në disavantazh dhe fitoren ndaj Islandës e siguruan në minutat e kohës shtesë me dy gola të shpejtë.
Përzgjedhësi dhe taktika
Në vitin 2018, trajneri italian, Marco Rossi, u emërua përzgjedhës i Hungarisë. Ai në këtë post e zëvendësoi Georges Leekensin dhe atë vetëm një ditë para ndeshjes vendimtare të plejofit për “Euro 2020” kundër Islandës. Marco Rossi, ish-trajneri i Honvedit, përdor të njëjtin formacion 3-5-2 që e ndihmoi atë ta fitojë titullin e kampionit të Hungarisë në vitin 2017. Për shkak të izolimit dhe karantinës, Rossi të gjitha udhëzimet gjatë ndeshjes me Islandën ia dha ndihmësit të tij, Cosimo Inguscio, nga shtëpia. Trajneri italian udhëzon mesfushorin defensiv Adam Nagy të kontrollojë lojën përpara mbrojtjes, në mënyrë që mesfushorëve të tjerë t’u jepet më shumë hapësirë për të vepruar në fushë. Rossi ka në dispozicion shumë lojtarë me përvojë. Kështu që, pa asnjë pikë dyshimi, forca kryesore e Hungarisë në Evropian do të jetë Adam Szalai. Kapiteni është lojtar i sulmit dhe shumë i rëndësishëm për Hungarinë.
Ylli i ekipit
Peter Gulasci ka qenë numri një i Leipzigut dhe Hungarisë për ca kohë, dhe ai sërish po e dëshmon këtë. Në maj të vitit 2008, ish-njeriu i Liverpoolit mori thirrjen e tij të parë për kombin e tij, Hungarinë. Ai ishte një zëvendësues i papërdorur në barazimin 1:1 me Kroacinë. Gulácsi ishte heroi i panjohur i Hungarisë kundër Çekisë në Kupën e Botës U-20 gjatë gjuajtjeve të penalltive. Gjatë ndeshjes për vendin e tretë midis Hungarisë dhe Kosta Rikës në Botërorin U-20 të mbajtur në vitin 2009, Gulacsi priti tri penallti, duke i siguruar ekipit të tij medaljen e bronztë. Më 4 qershor të vitit 2012, ai më në fund u ftua nga Sandor Egervari në skuadrën e Hungarisë për një ndeshje kundër Republikës së Irlandës, por nuk luajti. Peter Gulacsi më në fund bëri debutimin e tij të shumëpritur për ekipin A të Hungarisë më 22 maj të vitit 2014, në barazimin 2:2 kundër Danimarkës. Portieri Gulasci është zëvendës-kapiten i Hungarisë dhe deri më tani ka 37 ndeshje të zhvilluara.
Lojtari i së ardhmes
Dominik Szoboszlai pa asnjë pikë dyshimi do të ishte lojtari që do ta mbante këtë epitet te Hungaria në Evropian. Megjithatë, në fillim të këtij muaji, kur përzgjedhësi Rossi e publikoi listën përfundimtare, emri i tij nuk figuronte. Szoboszlai nuk do të paraqitet në Evropian për shkak të lëndimit të pësuar muaj më parë dhe mungesa e tij do të ndikojë dukshëm te Hungaria. Ai në janar të këtij viti u transferua nga Salzburgu te Leipzigu, por as tek ekipi gjerman nuk e ka regjistruar asnjë ndeshje për shkak të lëndimit. E në vend të Szoboszlait, ylli i ri hungarez në Evropian pritet të jetë Andras Schafer. Pikërisht, Schaferi shënoi golin e parë për Hungarinë në miqësoren e së premtes kundër Qipros, të cilën e fitoi me rezultatin 1:0. 22-vjeçari deri më tani ka gjashtë paraqitje për Hungarinë dhe në “Euro 2020” pritet të tërheqë vëmendjen në mungesë të Szoboszlait. Schaferi në vitin 2019 iu bashkua Genoas në Serie A, por ekipi italian e kishte huazuar sezonin e fundit në Sllovaki te Dinajska Streda.
Bilanci
Në “Euro 2016”, Hungaria e kaloi fazën e grupeve, por u eliminua në 1/8 e finales. Paraqitja në Evropianin e këtij viti është hera e katërt në historinë e Hungarisë që luan në këtë turne. Suksesin më të madh në Evropian, Hungaria e ka në vitin 1964 kur doli e treta derisa në vitin 1972 përfundoi në pozitën e katërt. Prej vitit 1972, Hungaria nuk pati arritur të kualifikohej në dhjetë kampionate evropiane. Edhe në Kampionatin Botëror ka dalë dy herë nënkampione (1938, 1954), mirëpo paraqitja e fundit në këtë turne e Hungarisë është në vitin 1986, kur u eliminua në fazën e grupeve.
Gjasat
Për Hungarinë nuk ka gjasa që të avancojë përtej fazës së grupeve, kështu që për të bërë diçka më shumë në “Euro 2020” është vështirë të pritet. Në fakt, Hungaria është favoritja e fundit për ta fituar Kampionatin Evropian. Kjo do të thotë se gjasat e Hungarisë për triumf në “Euro 2020” nuk ekzistojnë fare. Synimi i hungarezëve është që të ketë një paraqitje të mirë në fazën e grupeve dhe t’u bëjnë ballë kundërshtarëve tejet të fortë, që edhe janë favoritë.
Lista e Hungarisë për Evropian
Portierë: Adam Bogdan, Denes Dibusz, Peter Gulacsi
Mbrojtës: Bendeguz Bolla, Endre Botka, Attila Fiola, Akos Kecskes, Adam Lang, Gergo Lovrencsics, Loic Nego, Willi Orban, Attila Szalai
Mesfushorë: Tamas Cseri, Daniel Gazdag, Laszlo Kleinheisler, Adam Nagy, Andras Schafer, David Siger, Kevin Varga, Roland Varga
Sulmues: Janos Hahn, Filip Holender, Nemanja Nikoliq, Roland Sallai, Szabolcs Schon, Adam Szalai
Ndeshjet e Hungarisë në “Euro 2020”
15 qershor: Hungaria – Portugalia (18:00, Budapest)
19 qershor: Hungaria – Franca (15:00, Budapest)
23 qershor: Gjermania – Hungaria (21:00, Munich)