Euro 2020: Gjenerata e artë e Belgjikës ka rastin e fundit për sukses

16

Belgjika do të futet në “Euro 2020” me shpresën që gjenerata e saj e artë më në fund të fitojë një trofe të rëndësishëm ndërkombëtar dhe të ofrojë një trashëgimi për të ardhmen.

Pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, që e përfundoi në pozitën e tretë, tani Belgjika do të jetë e vendosur që në Evropian të kërkojë më shumë, titullin e kampionit. E udhëhequr nga kapiteni Eden Hazard, Belgjika e ka një ekip të stërmbushur me yje pothuajse në çdo repart.

Barra më e madhe do të jetë mbi sulmuesin Romelu Lukaku, i cili ka pasur një edicion fantastik tek Interi duke e udhëhequr drejt titullit të kampionit në Serie A pas një pritjeje prej njëmbëdhjetë vjetësh. Lukaku ka shënuar 30 gola për Interin në të gjitha garat dhe te Belgjika po shpresojnë që ai të ketë formë të njëjtë në “Euro 2020”, për të pasur një mundësi për ta ngritur trofeun e lavdishëm.

Përzgjedhësi dhe taktika

Me një diplomë “bachelor” në fizioterapi dhe një diplomë pasuniversitare në Menaxhimin e Biznesit, Roberto Martinez është pjesë e një grupi të veçantë trajnerësh me arsimim të lartë në botë. Përveç kësaj, ai ishte edhe lojtar i mirë që gjatë karrierës bëri 425 paraqitje, kryesisht për klubet në Angli. Spanjolli është në zejen e trajnerit që nga viti 2007. Filloi në Swansea City, pastaj vazhdoi në Wigan Athletic me të cilin ekip fitoi Kupën FA në vitin 2013, edhe pse Wigani ra nga Premier League tri ditë më vonë. Pas Wiganit, Martinez e mori drejtimin e Evertonit duke e zëvendësuar David Moyesin dhe te kjo skuadër bëri emër. Në vitin 2016, Martinez pasoi Marc Wilmotsin si përzgjedhës i Belgjikës pas debaklit në Evropian. Pas vetëm dy vjetësh ai e udhëhoqi Belgjikën drejt suksesit më të madh në Botëror. Në vitin 2018, Belgjika doli e treta pasi e mposhti Anglinë në duelin për këtë pozitë.

Martinez e vendos skuadrën e Belgjikës në një formacion 3-4-2-1, me Romelu Lukakun si sulmuesin e vetëm dhe dy organizatorë pas tij. Ky formacion ka qenë i qëndrueshëm te Belgjika për shumë kohë dhe përzgjedhësi Martinez shpreson të korrë suksese prej tij në “Euro 2020”, turne në të cilin synon titullin.

Ylli i ekipit

Kur një lojtar është pjesë e një ekipi, i cili përfshin yje të tillë si Eden Hazard dhe Romelu Lukaku, atëherë ai e di shumë mirë se është mjaft i veçantë. E pikërisht ky lojtar i veçantë është mesfushori i Manchester Cityt, Kevin de Bruyne. Në fakt, De Bruyne është lojtari përreth të cilit është ndërtuar kjo skuadër e Belgjikës. Lojtari më i mirë i sezonit në Premier League, De Bruyne, që ka thyer rekorde në Angli, tashmë e ka fituar titullin e tretë të kampionit me fanellën e Cityt, dhe është në rrugë të mbarë për ta fituar edhe trofeun e parë në Ligën e Kampionëve. City është kualifikuar në finale të këtij edicioni dhe do të përballet me Chelsean, të shtunën mbrëma. Ky sezon ka qenë i mbushur me dëmtime për De Bruynen, por mesfushori ka arritur të shënojë dhjetë gola dhe të bëjë 18 asistime në të gjitha garat te City. Në gjashtë ndeshjet që i ka luajtur gjatë vitit të kaluar, De Bruyne ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime te Belgjika. Kështu që tifozët e Belgjikës po shpresojnë që mesfushori të vazhdojë me një ritëm të tillë edhe në “Euro 2020”.

Lojtari i së ardhmes

Jeremy Doku mund të ketë luajtur vetëm gjashtë ndeshje për Belgjikën, por anësori i shpejtë i Rennesit tashmë po konsiderohet si pasardhës i denjë i gjeneratës së artë të Belgjikës për repartin e sulmit. Megjithëse shumica janë akoma në gjendje të mirë fizike, do të jetë e pashmangshme që lojtarët aktualë të Belgjikës të mbeten të paprekur edhe për një kohë të gjatë. Të rinjtë do të akomodohen gradualisht në ekip, kurse i pari që pritet të stabilizohet si titullar është Doku, që shihet si yll i madh. 18-vjeçari është lojtar i gjithanshëm dhe mund të luajë në të dy krahët e sulmit, kryesisht në anën e djathtë. Ai tashmë e ka mbyllur sezonin te Rennesi me 44 paraqitje, katër gola e tetë asistime. Doku iu bashkua ekipit francez në tetor të vitit 2020 nga Anderlechti. Gjithashtu Doku ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime në një moshë shumë të re te Belgjika, ku ka regjistruar gjashtë ndeshje. Dhe në “Euro 2020” pritet që Doku 19-vjeçar të bëjë dallimin sa herë që do t’i jepet mundësia për të luajtur.

Bilanci

Çuditërisht, Belgjika ka marrë pjesë vetëm në pesë prej 14 kampionateve evropiane, me paraqitjen e fundit që erdhi në vitin 2016, ku u eliminua në çerekfinale pasi humbi 3:1 nga Uellsi. Në përpjekjet e mëparshme, përfundimi më i mirë i Belgjikës ishte vendi i dytë në Evropianin e vitit 1980 pasi në finale pësoi humbje nga Gjermania Perëndimore (2:1). Për sa i përket formës për “Euro 2020”, Belgjika u kualifikua pasi përfundoi e para në grup, që përfshinte Rusinë, Skocinë, Qipron, Kazakistanin dhe San Marinon. Para fillimit të Evropianit, Belgjika do të luajë miqësore me Greqinë e Kroacinë.

Gjasat

Belgjika në fazën e grupeve të Evropianit do ta ketë përballë Danimarkën, Finlandën dhe Rusinë në kuadër të Grupit B. Ekipi i përzgjedhësit Martinez llogaritet favorit absolut i grupit dhe pritet t’i fitojë të gjitha ndeshjet për të avancuar nga pozita e parë në fazën e nokautit. Martinez ka shpresa të mëdha në ekipin e tij dhe shpreson që pas pozitës së tretë në Botërorin e vitit 2018, këtë herë Belgjika do të jetë në gjendje të paktën të arrijë deri në finale.

Lista e Belgjikës për Evropian

Portierë: Thibaut Courtois, Simon Mignolet, Matz Sels

Mbrojtës: Jan Vertonghen, Toby Alderweireld, Thomas Vermaelen, Thomas Meunier, Jason Denayer, Dedryck Boyata, Leander Dendoncker, Timothy Castagne

Mesfushorë: Axel Witsel, Kevin De Bruyne, Nacer Chadli, Yannick Carrasco, Youri Tielemans, Thorgan Hazard, Dennis Praet, Hans Vanaken

Sulmues: Eden Hazard, Dries Mertens, Romelu Lukaku, Christian Benteke, Michy Batshuayi, Jeremy Doku, Leandro Trossard

Ndeshjet e Belgjikës në “Euro 2020”

12 qershor: Belgjika – Rusia (21:00, St. Petersburg)

17 qershor: Danimarka – Belgjika (18:00, Kopenhagë)

21 qershor: Finlanda – Belgjika (21:00, St. Petersburg)