Përfaqësuesja e Suedisë “zbuloi” se kishte një lëshim në listën e lojtarëve për Kampionatin Evropian, kur vendosi ta publikojë atë. Pavarësisht kthimit të tij te Suedia pas pesë vjetësh, sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq nuk u përfshi në listë. Për këtë sebep janë bërë lëndimet e shumta që Ibrahimoviqi i pati sezonin e fundit te Milani. Ai nuk ishte në gjendje të rikuperohej me kohë për “Euro 2020”.
Suedia e arriti suksesin më të madh ndonjëherë në botërorin “Rusia 2018”, pa yllin botëror në përbërje. Arriti deri në çerekfinale.
Ibrahimoviq u rikthye te Suedia para ndeshjeve eliminatore për botërorin “Katari 2022” kundër Gjeorgjisë e Kosovës në muajin mars. Mirëpo ai do të jetë i detyruar që në Evropian të bëjë tifo për Suedinë nga anash. Ibrahimoviqi u largua nga Suedia në vitin 2016 duke shënuar fundin e një brezi.
Rënia e Përfaqësueses skandinave dukej e pashmangshme. Për vite me radhë Ibrahimoviqi ishte ai që e mbajti Suedinë lart apo siç preferon të thotë vetë sulmuesi, “e vendosi Suedinë në hartën e futbollit”.
Sidoqoftë, Suedia ka mbajtur ritmin falë gjeneratës së re të lojtarëve si Alexsander Isak, Dejan Kulushevki, Victor Lindelof që janë ndihmuar nga ata me përvojë si Sebastian Larson, Marcus Berg, Mikael Lustig.
Përzgjedhësi dhe taktika
Një ish-lojtar, Janne Andersson, ka qenë në krye të Përfaqësueses së Suedisë që nga viti 2016. Andersson menaxhoi një numër klubesh në Suedi. Arritja e tij më e dukshme pa dyshim se mbetet në vitin 2015, kur e fitoi titullin e kampionit me skuadrën IFK Norrkoping. Ai i siguroi Norrkopingut trofeun e parë pas një pritjeje prej 26 vjetësh, duke e mposhtur kampionen në fuqi, Malmon, në ndeshjen e fundit të sezonit. Pas paraqitjes zhgënjyese që Suedia e pati në “Euro 2016”, Andersson u emërua përzgjedhës i Suedisë. Ai e udhëhoqi Suedinë në përfundimin më të mirë të saj ndonjëherë në një kampionat botëror, pasi në Botërorin e vitit 2018 arriti deri në çerekfinale.
Në të vërtetë, Suedia avancoi në fazën e nokautit si lidere e grupit, i cili përbëhej nga kampionia në fuqi e botës, Gjermania e pastaj Meksika dhe Koreja e Jugut. Në vitin 2018, Andersson gjithashtu e udhëhoqi Suedinë drejt promovimit nga Liga B në Ligën A të Ligës së Kombeve. Revista e futbollit “FourFourTwo” e pati renditur atë si trajnerin e 17-të më të mirë në botë në nëntor të vitit 2018. Përzgjedhësi Andersson e ka nxjerrë më të mirën nga Suedia prej se është në krye të ekipit. Ai edhe në “Euro 2020” do të jetë i varur nga mbrojtja, lider i së cilës është Victor Lindelof.
Ylli i ekipit
Mungesa e Ibrahimoviqit nuk do të jetë aq e madhe për Suedinë si ajo kur ai njoftoi tërheqjen nga ekipi në vitin 2016. Suedia mësoi të lëvizë përpara dhe do të jetë më e përshtatshme për ta mbuluar mungesën e tij këtë herë. Njeriu që trashëgoi fanellën e tij me numrin dhjetë ishte mesfushori i Leipzigut, Emil Forsberg. Mesfushori me tipare sulmuese ka qenë një lojtar i rëndësishëm për klubin e tij gjatë viteve. Kështu që Forsberg në Evropian do të ketë një barrë të madhe, pasi do të duhet ta kompensojë tërësisht mungesën e Zlatanit. Forsberg shënoi nëntë gola në Bundesligë sezonin e fundit dhe asistoi shtatë herë për ta ndihmuar Leipzigun që të përfundojë në pozitën e dytë. Ai është një lojtar i gjithanshëm dhe është i aftë të luajë si sulmues krahu, nëntëshe e rremë dhe mesfushor sulmues. Duke pasur këtë parasysh është logjike të parashikohet se Forsberg do të jetë rreziku më i madh për kundërshtarët e Suedisë në “Euro 2020”.
Lojtari i së ardhmes
Duke festuar ditëlindjen e 17-të me gol, ylli në ngritje Alexsander Isak ndezi flakën e derbit të Stokholmit në vitin 2016. Sulmuesi i ri shënoi dy gola në fitoren e rëndësishme të AIK-ut në udhëtim te rivali më i madh, Djurgardeni, të cilin e mposhti me rezultatin 3:0. Isak tashmë kishte krahasime me bashkëkombësin e tij, Zlatan Ibrahimoviq. Sulmuesi shtatlartë u transferua te Borussia Dortmundi në vitin 2017, pasi ekipi gjerman mposhti konkurrencën e fortë të Real Madridit. Në vitin 2019, ai arriti më në fund në La Liga ku ka çimentuar pozitën e titullarit te skuadra e Real Sociedadit. Ai madje ia siguroi Sociedadit triumfin në Kupën e Spanjës, me dy gola të shënuar në finalen e vitit të shkuar. Sulmuesi është i gjatë, i frytshëm dhe është i bekuar me aftësi të mëdha teknike. Ka aftësinë për të lexuar lojën duke gjetur hapësira midis mbrojtësve kundërshtar.
Bilanci
Suedia bëri debutimin në Evropianin e vitit 1992 si nikoqire e turneut. Megjithatë, Suedia nuk arriti të kualifikohet për Evropianin e ardhshëm. Që nga viti 2000, Suedia e ka kaluar fazën e grupeve vetëm një herë, por që u eliminua në çerekfinale të “Euro 2008” që edhe mbetet arritja e saj më e madhe ndonjëherë në këtë turne. Në Evropianin e vitit 2016, Suedia nuk arriti ta fitojë asnjë ndeshje të vetme të grupit duke përfunduar e fundit. Suedia përfundoi e dyta në grupin e saj gjatë kualifikimeve për “Euro 2020” duke përfunduar pas Spanjës.
Gjasat
Në një grup me Poloninë, Spanjën e Sllovakinë, Përfaqësuesja e Suedisë do të provojë gjasat e saj për të kaluar në raundin tjetër të Kampionatit Evropian, i cili nis më 11 qershor. Në fakt, Spanja llogaritet si kundërshtarja më e fortë e Suedisë në grup. Kështu që gjithçka më pak se arritja deri në çerekfinale të këtij turneu, do të ishte zhgënjyese për Suedinë.
Lista e Suedisë për Evropian
Portierë: Karl-Johan Johnsson, Kristoffer Nordfeldt, Robin Olsen
Mbrojtës: Ludëig Augustinsson, Pierre Bengtsson, Marcus Danielson, Andreas Granqvist Filip Helander, Pontus Jansson, Emil Krafth, Victor Lindelof, Mikael Lustig
Mesfushorë: Jens-Lys Cajuste, Viktor Claesson, Albin Ekdal, Emil Forsberg, Dejan Kulushevski, Sebastian Larsson, Kristoffer Olsson, Robin Quaison, Ken Sema, Mattias Svanberg, Gustav Svensson
Sulmues: Marcus Berg, Alexander Isak, Jordan Larsson
Ndeshjet e Suedisë në “Euro 2020”
14 qershor: Spanja – Suedia (21:00, Sevilla)
18 qershor: Suedia – Sllovakia (15:00, St. Petersburg)
23 qershor: Suedia – Polonia (15:00, St. Petersburg)