Me Kampionatin Evropian në prag, Austria kërkon të futet fuqishëm në garë në një grup relativisht të lehtë, me Holandën si favorite kryesore të grupit dhe me Maqedoninë e Veriut e Ukrainën, si përfaqësuese që mund të kalohen.
Ndeshjen e parë në “Euro 2020”, Austria do ta luajë kundër Maqedonisë së Veriut, më 13 qershor. Austria ka një ekip të mirë dhe me përvojë, të denjë për të luajtur kundër çdo kundërshtari të nivelit lartë që i del përpara. Megjithatë, Austria as nuk mund të quhet favorite e as autsajdere e Grupit C. Tifozët presin dhe janë të bindur se Austria nuk do të ketë telashe për të avancuar përtej fazës së grupeve, pasi ndeshjen e vetme që e konsiderojnë të vështirë është ajo kundër Përfaqësueses së Holandës. Austria në “Euro 2020” është kualifikuar si e dyta e Grupit G eliminator, që nuk ishte i fortë. Shënoi gjashtë fitore, një barazim dhe tri humbje në dhjetë ndeshje të luajtura. Përfundoi me 19 pikë, gjashtë më pak se Polonia që përfundoi lidere.
Përzgjedhësi dhe taktika
Franco Foda është përzgjedhës i Austrisë prej vitit 2017. Trajneri gjerman për tri sezone ka qenë në krye të Sturm Grazit dhe një sezon tjetër te Kaiserslauterni para se të emërohej në postin e selektorit të Austrisë. Ai e kupton futbollin austriak më mirë se kushdo tjetër. Froda luan me formacionin 4-2-3-1. Ndryshimi kryesor që e ka bërë tek Austria është se lojtarin kryesor, David Alaban, e ka zhvendosur në një rol më të avancuar në mesfushë.
Si trajner, Foda ka fituar Kupën e Austrisë me Grazin në vitin 2010, kurse një vit më vonë edhe titullin e kampionit. Foda ka një listë të gjatë të lojtarëve me përvojë për të zgjedhur. Ai në muajin mars pati një listë të gjerë prej 43 lojtarëve kurse Alaba shihet si forca kryesore. Një lojtar tjetër kyç për Frodan është Marcel Sabitzer, lojtari i Leipzigut që ka dalë në skenë pas largimit të Timo Wernerit.
Ylli i ekipit
David Alaba është lojtari kryesor tek Austria. Ai është shpallur gjashtë herë futbollisti më i mirë i vitit në Austri dhe në dy raste të tjera e ka fituar çmimin e sportistit në këtë vend. Nuk ka dyshim se ai është lider i Austrisë. Mirëpo, ka një dyshim se në cilën pozitë do të luajë në “Euro 2020”. Futbollisti i gjithanshëm, te Bayern Munichu në sezonin e fundit kryesisht është aktivizuar si qendërmbrojtës. Ndërsa te Austria, Alaba është përdorur si mesfushor defensiv dhe mesfushor sulmues i krahut të majtë. Lojtari ka pasur një sezon vërtet mbresëlënës përpara Evropianit, kurse të premten iu bashkua Real Madridit si futbollist i lirë. Te Bayerni ka lënë shumë gjurmë.
Lojtari i së ardhmes
Ylli 17-vjeçar, i cili njihet me nofkën “Messi i Austrisë”, Yusuf Demir, është ndoshta i riu më i talentuar i Austrisë me një të ardhme me të vërtetë të ndritur para tij. Megjithatë, Demir, që është pjesë e Rapidit të Vjenës dhe po kërkohet nga skuadrat e mëdha të Evropës, ka mbetur jashtë listës së përzgjedhësit Foda, gjë që ka shkaktuar reagime të mëdha. Në mungesë të Demirit, ylli i ri i Austrisë konsiderohet mesfushori Christoph Baumgartner. 21-vjeçari mund të luajë mesfushor qendre dhe sulmues i krahut të majtë. Baumgartner është pjesë e Hoffenheimit dhe sezonin e fundit ishte ndër më të dalluarit tek ekipi nga Bundesliga. Shënoi nëntë gola dhe asistoi shtatë herë në 41 paraqitje në të gjitha garat. Në fakt, Baumgartner në janar të vitit 2019 është promovuar në ekipin e parë të Hoffenheimit pas paraqitjeve të mira me ekipin e dytë. Në shtator të vitit të shkuar, Baumgartner debutoi tek Austria dhe deri më tani, ka shënuar tre gola në shtatë paraqitje. Kështu që edhe në “Euro 2020” pritet të ketë një formë të mirë sikurse te Hoffenheimi.
Bilanci
Duke mos marrë pjesë asnjëherë në Evropian para bashkorganizimit të këtij turneu me Zvicrën, Austria bëri debutimin në vitin 2008. Për Austrinë kjo do të jetë hera e tretë që do të paraqitet në Kampionatin Evropian, me shpresën që do ta kalojë fazën e grupeve. Në fakt, kjo do të ishte hera e parë në histori të Austrisë që paraqitej në fazën e nokautit. Në “Euro 2008”, Austria në tri ndeshje të luajtura në fazën e grupeve, regjistroi dy humbje e një barazim, bilanc të cilin e përsëriti edhe në “Euro 2012”. Në vitin 2008, përfundoi e 13-ta derisa katër vjet më vonë, doli e 19-ta në renditjen e përgjithshme të Evropianit.
Gjasat
Gjasat janë të vogla për të mos thënë minimale që Përfaqësuesja e Austrisë të triumfojë në “Euro 2020” që nis më 11 qershor. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Austria do të futet në këtë turne e dorëzuar. Edhe pse nuk është në mesin e favoriteve, Austria ka aftësinë për të shokuar disa ekipe. Pozita e dytë në grup, shihet si reale për austriakët që do të luftojnë me Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainën. E pikërisht me Maqedoninë e Veriut, Austria ka pasur punë në kualifikimet për “Euro 2020”. Në të dy ndeshjet e luajtura, Austria ka shënuar fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, të cilin e mposhti 4:1 në Shkup dhe 2:1 në Vjenë.
Lista e Austrisë për Evropian
Portierë: Daniel Bachmann, Pavao Pervan, Alexander Schlager
Mbrojtës: David Alaba, Aleksandar Dragoviq, Marco Friedl, Martin Hinteregger, Stefan Lainer, Philipp Lienhart, Stefan Posch, Christopher Trimmel, Andreas Ulmer
Mesfushorë: Julian Baumgartlinger, Christoph Baumgartner, Florian Grillitsch, Stefan Ilsanker, Konrad Laimer, Valentino Lazaro, Marcel Sabitzer, Louis Schaub, Xaver Schlager, Alessandro Schopf
Sulmues: Marko Arnautoviq, Michael Gregoritsch, Sasa Kalajxhiq, Karim Onisiwo
Ndeshjet e Austrisë në “Euro 2020”
13 qershor: Austria – Maqedonia V. (18:00, Bukuresht)
17 qershor: Holanda – Austria (21:00, Amsterdam)
21 qershor: Ukraina – Austria (18:00, Bukuresht)