Shefja e Misionit të EULEKS-it, Aleksandra Papadopulou në Ditën nacionale të personave të pagjetur, ka deklaruar se zbulimi i fatit të rreth 1.665 personave që ende nuk janë gjetur vazhdon të jetë prioritet për EULEKS-in, por derisa misioni është këtu, ata nuk do të dorëzohen kurrë. EULEKS-i nëpërmjet një komunikate ka shfrytëzuar këtë rast për t’i përkujtuar të zhdukurit dhe gjendjen e vështirë të familjeve të tyre.
Ky mision theksoi ajo vazhdon të jetë i përkushtuar për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur. “EULEKS-i është këtu për t’u ndihmuar institucioneve të Kosovës, kurse Kosova duhet të ecën përpara ndërsa merret edhe me çështjet nga e kaluara, përfshirë identifikimin e personave të pagjetur. Sa më shumë kohë që kalon, aq më i vështirë bëhet procesi i identifikimit, por derisa të jemi ne këtu, ne nuk do të dorëzohemi kurrë. Zbulimi i fatit të rreth 1.665 personave që ende nuk janë gjetur vazhdon të jetë prioritet për misionin.
Ndonëse procesi i identifikimit është i ndjeshëm, i ndërlikuar dhe kërkon kohë, është shumë me rëndësi që ai të vazhdojë me qëllim të gjetjes së përgjigjeve për vendndodhjen e të pagjeturve. “Familjet kanë të drejtë që të dinë, kurse identifikimi i saktë do të sjell respektin dhe përmbylljen për ata që i lanë pas”, tha Papadopulou.