Një zë mjaft i bukur dhe i veçantë në muzikën shqiptare, ajo që pa të voglin problem din të këndojë një këngë që nga repertori kosovar e deri te Shqipëria e jugut, madje bagazhi i saj dhe zëri i saj njohin dhe muzikën turke, ajo që në një talent show në Turqi i bëri lëmsh me habi pozitive edhe jurinë kur e kuptuan se talentja ishte shqiptare. Kjo është këngëtarja Eugena Aliu, mjaft e kërkuar kudo që edhe kur është vjeshta ndërsa ndonjë këngëtar tjetër gjen kohë për pushim, ajo nuk ka kohë pasi është mjaft e angazhuar. Eugena vjen në rrëfimin e saj për InfraRed të gazetës KOHA, ku na tregon jo vetëm për angazhimin e saj, por edhe na thotë se tashmë ka gjetur një menaxher dhe bashkëpunëtor shumë serioz për diasporë dhe jo vetëm si dhe shumëçka tjetër.
KOHA: Përshëndetje Eugena, ndërsa lexon këto pyetje ku ndodhesh?
Për momentin jam në Tiranë, duke u përgatitur për projektet e reja!
KOHA: Është koha për pak relaks për ty vjeshta, apo ti s’ke kohë për pushime?
Do ishte shumë mirë nëse do kisha kohë për pushime, por fatkeqësisht nuk mundem pasi jam e angazhuar me pune pothuajse çdo ditë.
KOHA: Kudo e kërkuar sidomos në gëzimet familjare e dasmat shqiptare, lodheni ndonjëherë?
Ky është pasioni im, kjo është puna ime! Sigurisht nuk ka punë pa lodhje, por uratat që mer në fund të çdo eventi nga njerëzit ta bëjnë punën më të lehtë dhe të mbushin shpirtërisht!
KOHA: E vërtetë që ke shumë ftesa për duete për shkak të zërit tē veçantë? Ndodh që të refuzoni?
Po është shumë e vërtetë që kam shume ftesa për duete, pasi zëri im është i veçantë në llojin e tij dhe fatmirësisht duetet me mua kanë rezultuar gjithmonë të suksesshme! Ndodh që të refuzoj, kjo pasi varet në çfarë jam e fokusuar unë të bëj në atë moment, ose dhe arsye të tjera!
KOHA: Me cilin prej artistëve shqiptarë gjithmonë do të bënit bashkëpunime e me cilin apo cilën prej tyre kurrë jo?
Kurrë mos thuaj kurrë thuhet! Nuk mund të jap definicione për asnjërën nga pyetjet më lart!Arti ka gjithmonë kompromis!
KOHA: Kemi dëgjuar se tashmë je duke u menaxhuar nga një person serioz sidomos për diasporë e vërtetë?
Po është e vërtetë, jam në bashkëpunim me z.Arsim Salihaj, një menaxher i njohur dhe person mjaft serioz, të cilit i kam besuar menaxhimin e koncerteve në Diasporë, por jo vetëm!
KOHA: Mbahesh mend edhe si shqiptarja e talent show në Turqi që e mahnite jurinë e emrave turk, do ta riprovojë edhe një herë një talent show jashtë Shqipërisë?
Po është e vërtetë, ai “emër” më ndjek akoma dhe jam krenare për këtë! Nuk e di nëse do riprovoja diçka të tillë përsëri, por nëse do ta shihja të arsyeshme pse jo!
KOHA: Po vijnë festat e Nëntorit e fundvitit ku mund ta gjejmë Eugenën?
Meqë jemi në atmosferën e festave të fundvitit, sezoni është i ngarkuar me evente të ndryshme në Diasporë dhe në Shqipëri!
KOHA: Eugena ka bashkëpunëtorët e saj p.sh grupin e saj muzikor, producentët apo ku e shikon më mirë ti shkon e bashkëpunon?
Përsa i përket grupit muzikore, kam grupin tim personal, me të cilin punoj prej vitesh tashmë. Ndërsa përsa i përket producentëve kam bashkëpunuar me të ndryshëm dhe vazhdoj të bashkëpunoj kështu!
KOHA: Kemi ndonjë këngë të re gati, kur duhet ta presim?
Po sigurisht do ketë projekte të reja të cilat do lancohen së shpejti, që besoj do jenë të pëlqyera nga publiku!