Interi do të përballet me Lazion mbrëmjen e sotme në “San Siro”, ndërsa Keita Balde do të jetë “ish”-i i sfidës, pasi më herët senegalezi ka luajtur për disa sezone me bardhekaltrit, skuadër në të cilën edhe u konfirmua.
Sulmuesi senegalez ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka treguar se idhulli i tij është një tjetër afrikan, ish futbollisti i Interit dhe Barcelonës, Samuel Eto’o, ndërsa zbuloi se ka qenë prej kohësh një tifoz i zikaltërve.
“Ka një futbollist që e kam admiruar që nga koha e Barcelonës dhe ai është Samuel Eto’o. Kur isha i vogël, në Play Station merrja gjithmonë Interin dhe lojtarë si Adriano, Veron e Martins, më argëtonin. Adriano ishte vërtetë i fortë, një nga sulmuesit më të mirë që kam parë. Kam qenë gjithmonë një tifoz zikaltër, edhe pse babai im ishte me Milanin”, tregon Keita.
Më pas senegalezi zbulon se ka preferuar gjithmonë të luajë si sulmues, ndërsa hamendëson edhe profesionin e tij të mundshëm, nëse nuk do të ishte bërë një futbollist profesionist.
“Që kur kam shënuar golin e parë me të rinjtë e Lazios, ndaj Pescarës, kam këmbëngulur të luaja në sulm, pasi nuk më pëlqente asnjë rol tjetër. Mendoj se nëse nuk do të isha bërë futbollist, do të isha një parukier shumë i mirë”, tha sulmuesi senegalez i Interit.