Në Maqedoni janë kryer disa krime viteve të fundit, kurse natyra e tyre ka qenë e ndryshme. Por, pamundësia për të detektuar drejt shkaqet dhe motivet e një krimi, ka shpie në përsëritjen e krimit. Motivet e vrasjeve janë të shumta, por më të shpeshta ndërlidhen me xhelozinë dhe dashurinë, me borxhet, dhe me problemet tjera sociale
Delvina KËRLUKU
Shkup, 29 shtator – Parahistoria e krimeve ka qenë dhe mbetet fushë delikate ekspertizash e studimesh. Proceset gjyqësore që kanë në thelb një krim të pasqaruar deri në fund, kanë intriguar madje edhe regjisorë e skenaristë të famshëm. Për rrjedhojë, pamundësia për të detektuar drejt shkaqet dhe motivet e një krimi, ka shpie në përsëritjen e krimit, shkruan gazeta KOHA.
Por, nuk janë të pakt studiuesit të cilët duan ta lokalizojnë “embrionin” në të cilën një krim ngjizet dhe zakonisht ata përmendin çrregullimet shpirtërore e psikike, si shkaktarë më të shpeshtë që nxit një person të kryej krim. Karakterologjia e këtyre krimeve bazën e ka në gjendjen e destabilizuar shëndetësore të njerëzve, ndonëse studiuesit tjerë janë të prirur të besojnë se ekziston edhe korpusi i problemeve sociale që shërben si fitil për të dhezur pakënaqësi te ata që zgjedhin krimin si rrugën më të shkurtër në zgjidhjen e problemeve të grumbulluara.
Në Maqedoni janë kryer disa krime viteve të fundit, kurse natyra e tyre ka qenë e ndryshme. Rasti i vrasjes së Almirit të vogël nga ana e Bobal Iliqit nga Kumanova është një ekzemplar tipik i krimit me paramendim, i cili gjatë procesit gjyqësor pësoi deformim, duke e transformuar në një aksident të rëndomt trafiku. Që ky rast të jetë edhe më i komplikuar në pamundësinë e difinimit, flet edhe ekspertiza mjeko-ligjore e cila e nxjerr vrasësin të mos ketë motiv psiko-patologjik, gjegjësisht vrasje goja pa paramendim. Viktima tjera të një vrasje makabre na paraqiten anëtarët e një familjeje shqiptare nga Maqedonia, prej kohësh me banim në Trevizo të Italisë. Pas hetimev të bëra policia arriti në përfundim të zbardhjes së shkaqeve që çuan 28-vjeçaren Blerta Pocesta të vret babain, nënën dhe motrën 13-vjeçare në shtëpinë familjare në Dibër. Për motivet e kësaj vrasjeje janë dhënën disa versione, kurse më i shpeshti që ka qarkulluar kishte të bënte me mospajtimet e prindërve dhe vajzës rreth martesës së kësaj të fundit me një
Ndërsa, jehona e vrasjes tjetër makabre, e kryer nga polici Enver T. në afërsi të Prilepit, ende është aktuale në opinionin publikë, jo vetëm për motivet, por edhe për mënyrën e kryerjes së krimit. Në fakt, trupi i viktimës Bekir O. kishte përfunduar në gjendje të karbonizuar, për arsye se vrasësi pasi e kishte vrarë, në fund edhe e kishte djegë trupin e të ndjerit. Sipas psikiatrit Kadri Haxhihamza, çdo rast i vrasjeve ka specifikat e vet. Ai është i mendimit se motivet e vrasjeve janë të shumta, por më të shpeshta ndërlidhen me xhelozinë dhe dashurinë, me borxhet, dhe me problemet tjera sociale. Krimi, sipas tij, është një akt i menjëhershëm që patjetër të shpijë në mjegullim të vetëdijes së njeriut, shoqëruar me veprim impulsiv, e që përfundon me epilog tragjik.
Psikiatri Haxhihamza përjashton motivin e urrejtjes etnike në rastin e vrasjes së Almirit të vogël nga Kumanova, ku vrasësi ka qenë i etnisë joshqiptare. Ai konsideron se te ne nuk ekzistojnë rrethana që vrasjet të kiualifikohen me motive etnike apo religjioze. Sipas psikologëve, çrregullimi i personalitetit të njeriut mund të shkaktojë problem në rrethin shoqëror.
“Nëse shqyrtohet nga aspekti mjekësor-psikologjik, vrasja konsiderohet si një çrregullim personaliteti, por nëse ajo është e qëllimshme, mund të konsiderohet edhe si sëmundje. Çrregullimi i personalitetit definitivisht ka edhe etiopatogjenezen e saj, ndërkaq kjo përshkohet me kompleksivitetin e zhvillimit të karakteristikave dhe pjesëve apo dimensioneve të personalitetit”, thotë për gazetën KOHA, profesori universitar i psikologjisë Arafat Shabani.
Për psikologun Lulzim Murtezani, njerëzit me çrregullime mendore duhet të merren parasysh dhe të trajtohen nga mjeku apo psikologu.
“Përgjithësisht shumë vrasje të kryera ndaj një personi, dhe veçanërisht vrasjet ndaj një grupi të njerëzve (gjenocid), kanë vulën e çrregullimeve psikike. Sa për ilustrim një person që vuan nga një psikozë e rëndë e quajtur Skizofreni, papritmas mund të gjuaj me revole drejt personit tjetër pavarësisht e ka mik apo kalimtar i rastit. Një psikopat, gjatë kohë ndjek viktimën e tij, dhe me përsosmëri të rrallë, godet atë duke e lënë të vdekur, madje thua se kjo nuk mjafton, vazhdon ta torturojë trupin e tij të pa jetë, madje edhe duke e djegur”, nënvizon profesori universitar i psikologjisë Murtezani.
Tipat të diagnostikuar me çrregullime mentale si të rrezikshëm për shoqërinë dhe veten, në gjendje të krizës nervore, nuk marrin në konsideratë pasojat ndaj të tjerëve dhe shumë afër janë të vrasin dhe lëndojnë të tjerët.
Akti i vrasjes pa asnjë shqetësim mendor, për psikologun Shabani, konsiderohet si një papjekuri kognitivo-emocionale, ku rrënjët i ka në strukturat e zhvillimit dhe ndërtimit të percepcioneve të gabuara dhe patologjike ndaj fenomeneve dhe situatave që e rrethon njeriun. Ndërsa, për psikologun Murtezani, sa më shumë që individët kanë qasje të lirë ndaj mjeteve vrasëse (revolver dhe armë tjera), probabiliteti është më i lartë të kryejnë aktin e vrasjes dhe lëndimit të tjerëve.
Sa i përket vrasjeve me motive etnike, psikologu Lulzim Murtezani vlerëson se ato kanë qenë të pranishme edhe në të kaluarën jot ë largët, kur politikat gjenicidale janë të orientuara në zhdukjen e komuniteteve të tëra etnike, siç ka ndodhur, bie fjala, me vrasjen e miliona hebrenjve gjatë holokaustit. Ose vrasjet e civilëve shqiptar nga paramilitarët serb në regjimin e Millosheviqit- vetëm pse ishin shqiptar.
“Individualisht, nuk përjashtohet mundësia që dikush të vras dikë edhe me motive etnike, por kështu ndodh vetëm te individë që në fakt kanë probleme të rënda psikike. Energjia e shkatërrimit ekziston brenda njeriut (te dikush më pak e te dikush më shumë), dhe kjo ka qenë në ta kaluarën dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Por, në shoqëri demokratike, ku sundon ligji dhe barazia, numri i vrasjeve është më i vogël sepse energjia destruktive zvogëlohet te njerëzit duke qenë të angazhuar me sport, punë dhe aktivitete rekreative”, nënvizon Murtezani.
Ndërsa, për psikologun Shabani, nëse varfëria dhe problemi etnik paraqiten ose konsiderohen si shkaqe për aktin e një vrasjeje, këto janë vetëm pretekste si arsyetim ose qëllim në vete për mos pjekurinë e personalitetit, ku segmenti kryesore është jo ndërtimi i vlerave të shëndosha, të realta dhe objektive për një kontekst jetese. (koha.mk)