Në një skenë epike duket sikur do ndeshet Populli me Taborin, Titani me Shushunjat, në pozitat e një mjeku ju them këtyre politikanëve: hidhni shaminë e bardhë e pranoni humbjen që në tavolinë, sepse aq mllef keni mbjellur në popull sa sipas thënies së tij të mençur- do atë korrësh që e ke mbjellur – fundi juaj parashikohet të jetë thjesht i padëshirueshëm se Vox Populi, Vox Dei!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Me shpalljen e datës 12 prill të vitit të ardhshëm, si dita ku do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme, në Maqedoninë e Çudisë duket se ka nisur një avaz, i cili pavarësisht që ēshtë i stërpërdorur, i stërvjetër, i stërdështuar dhe i stërgabuar, përsëritet nga disa parti që e heqin veten violinë e parë, po në fakt nuk janë të aftë as për të dëgjuar e jo më për të bërë muzikë!
Njësoj si arinjtë që zgjohen nga gjumi dimëror ashtu edhe këta politikanë, papritur kthejnë vëmendjen e tyre tek populli. Me fjalimet e tyre që i kanë po të njejtat, vetëm datat ndryshojnë, ato të ngjethin mishtë nga emocioni, nga betimet e zotimet e tyre parazgjedhore! Në ekstazën e pushtetit ato premtojnë 3 milionë vende pune, 6 milionë vende, madje aq vende të lira pune kanë sa mund të rregullojnë gjithë Ballkanin! Njësoj si “refren i trishtë i qytetit tem” po të përdornin gjuhën e poetit shkodran Migjeni, duket vazhdon si një perpetum mobile, pa asnjë ndryshim, me cinizëm e humor të zi!
Duke veshur kostumet e fushatës që janë një lloj veshje më popullore, me pak fjalë, duke flakur kollaret dhe duke ulur gjatësinë e takave, burrat dhe gratë e kupolës sulen në popull. Nisin takimet me lagjet, fshatrat dhe qytetet. Parkojnë veturat e tyre të shtrenjta më shumë se shkolla e fshatit ku kanë shkuar të bindnin popullin se duhen votuar, të krehur me kujdes (se nuk mund të heqin dorë nga gjithçka lukzose), vizitat e pushtetarëve në terren janë njësoj si pronarët e dikurshëm kur shkonin të shikonin skllevërit në fushat e pambukut! I organizuar si një grup oligarkësh ata kanë humbur çdo kontakt me realitetin. Me kostume mijëra eurosh, duke mbajtur varëse apo orë që kushtojnë aq sa shtëpitë a mos më shumë e popullit të shkretë, shkojnë dhe nga podiumet e larta, përsërisin po të njëjtat gjëra!
Shumë interesante është se si disa pushtetarë për çdo skandal që nuk mund të fshihet si janë vrasjet e fëmijëve, dënimet e padrejta, mungesa e shkollave, fajësojnë Qeverinë, duke harruar gjoja që qeveria janë vet. Duke qenë në një pozitë të përjetshme dualizimi, ditën si Don Kishoti që lufton me mullinjtë e erës, e nga ana tjetër duket se natën shndërrohen si Zhozef Fushè i cili me mjeshtëri diabolike arriti të mbijetonte në ndërrimin e disa pushteteve në Francën napoloniane, duke çuar në gijotinë koka shumë të rëndësishme të politikës franceze të kohës. Kështu pra ky tabor që ka punësuar me teserë partiake apo në bazë të favoreve seksuale, që ka pushuar nga puna sepse kanë refuzuar të jenë me partinë e tyre ose nuk kanë pranuar favore seksuale, që ka vjedhur dhe vjedh qindra e mijëra euro në mënyrë të përditshme paratë e popullit duke sakatuar shkollat, spitalet, rrugët, ekonominë, shërbimin ndaj qytetarit, pra ky tabor bosash dhe bosesh të politikës drejtuese që kanë hartuar dhe janë dirigjent të ikjes më të madhe ndonjëherë të njerëzve nga ky vend, tash janë nën ethet parazgjedhore.
Këtë metaforë mund t’a përligjin edhe shkencërisht, ethet janë ato që humbasin aftësinë e pacientit për të artikuluar saktë mendimet dhe i japin një gjendje gati anksioze duke sjellë edhe dridhje e deri konvulsione të forta të pacientit. Duke ardhur tek tabori i famshëm që as vet nuk mund të kthejë përgjigje ekzakte se sa jetë ka shkatërruar, sepse janë aq shumë sa ka dështuar edhe evidenca, ky tabor tashmë është në fazën histerike dhe eksituese para zgjedhore. Është kjo fazë që vendosë nëse do të jetojnë sërish në mbretërinë e krimit, apo…apo do përfundojnë burgjeve ose në rastet më të mira do diagnostikohen si psikopatë klinikë dhe do mbyllen nëpër spitale psikiatrikë. E imagjinoni se çfarë pozite është kjo?! Ndaj edhe simptomat janë kaq evidente, ju ndriçojnë sytë njësoj si pacientët e mi që duhet të rrinë për një kohë të gjatë në spital, disa prej taborit duhet patjetër të marrin drogë sepse ndryshe nuk do e përballonin dot, pra këta njerëz me probleme të forta, me sjellje psikopatike dhe kriminale, këta presin të votohen si të duhurit për të marrë pushtetin.
Dhe duke qenë se kanë disa vite që kanë pasur sukses këta shkojnë këndojnë të njëjtën këngë. Ajo që ka ndryshuar është syri i popullit. Sy i zgjuar nga tradhtia, nga varfëria, nga tkurrja, nga depresioni dhe vdekjet e parakohshme. Këto evidenca që i ngjajnë periudhës së depresionit të madh në Amerikë janë edhe më të forta nëse do krahasosh numrin e popullatës dhe të prekurit nga varfëria. Është e pabesueshme se ku e gjejnë guximin që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre tashmë të qartësuar si humbës! A ka njerëz të mençur e të mirë rreth këtyre etheistëve?! Sigurisht që Po! Por edhe ato janë viktima të çmendurisë së tyre! Madje duke e vëzhguar me kujdes mendoj se viktima të kriminalitetit politik numërohen pafund në popull por edhe deri tek ata që sot mund të jenë në pozitat më të larta shtetërore. Si të thuash shteti ka kohë që është kapur peng nga një dorë e cila i shpalli luftë popullit, një luftë tinëzare, të padrejtë, hilacake e kriminale! Duke e ndjerë padyshim dobësimin e fuqive, duke qenë me një këmbë në qeveri e me një këmbë në humnerë, dëgjohen skërmitja e dhëmbëve të tyre nga ethet parazgjedhore. Pozicionuar në frontet e zakonshme të luftës ata ose duhet të fitojnë këto zgjedhje ose ndryshe dihet çfarë i pret, mirëpo nga të gjitha anët e botës ka nisur Marshimi i Lirisë, ndihet si tërmet hapi i rëndë i popullit që ka nisur udhëtimin drejt kutive të votimit. Nga të gjitha anët e botës vijnë informacione se kanë vendosur të vijnë e të marrin pjesë në Marshimin e Lirisë. Armët e popullit janë vrasja e shpresës, vrasja e të ardhmes, mohimi i një shteti që i do, tradhtia e atyre që i besuan, përndjekjet dhe diskriminimet, pra të gjitha pasojat që ka vuajtur deri tash në kurriz janë motivi që i do dhe duhet t’i çojë më shumë se kurrë kësaj here!
Në një skenë epike duket sikur do ndeshet Populli me Taborin, Titani me Shushunjat, në pozitat e një mjeku ju them këtyre politikanëve: hidhni shaminë e bardhë e pranoni humbjen që në tavolinë, sepse aq mllef keni mbjellur në popull sa sipas thënies së tij të mençur- do atë korrësh që e ke mbjellur – fundi juaj parashikohet të jetë thjesht i padëshirueshëm se Vox Populi, Vox Dei!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)