Zgjedhjet e shpeshta dëmtojnë kontinuitetin e zhvillimit ekonomik e social, kurse ndërrimi i pushteteve ngadalëson kursin e reformave
Nga Fisnik PASHOLLI
Gati nuk ka vit që në Maqedoni nuk mbahen zgjedhje, apo nuk ka përgatitje nga partitë për një cikël të ri zgjedhor qoftë parlamentar, presidenciale apo lokal. Analizat madje tregojnë se Maqedonia kalon në cikle zgjedhor në mesatare në çdo një vit e gjysmë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nëse eventualisht mbahen këtë vit qoftë së bashku me ato presidenciale apo deri në fund të këtij viti, për biznesin vendor, por edhe investitorët e huaj, paraqesin paqartësi dhe mjegull për rregullat e lojës në ambientin edhe ashtu të brishtë politik dhe ekonomik.
Çdo fushatë zgjedhore nënkupton edhe pritje se çfarë kursi ekonomik do të ketë qeveria e re. Çfarë reformash do të sjellë, si do të ndryshojë apo plotësojë ligjet e ndryshme, me ose pa konsultimin e mjaftueshëm të komunitetit të biznesit. Bile kompanitë ngurojnë edhe të investojnë kapitalin e tyre, për shkak se, bie fjala, një leje e zakonshme pret emërimin e ministrit që sjell frymë të re në një dikaster, apo me fjalë të tjera askush edhe nuk dëshiron të merr përsipër përgjegjësinë për të nxjerrë një vendim shpesh edhe teknik. Në periudhën para dhe pas zgjedhjeve kemi edhe përkufizime ligjore për punësime të reja apo për miratimin e vendimeve në dikastere të ndryshme, që nënkuptojnë edhe humbje kohe dhe energjie të panevojshme .
Zgjedhjet e shpeshta ua marrin frymëmarrjen edhe investitorëve, imponojnë harxhime buxhetore të ndryshme, shpesh të paarsyeshme në aspektin ekonomik, por fitimprurëse për favoritët e zgjedhjeve të ardhshme.
Në mungesë të shifrave konkrete për dëmet që zgjedhjet i sjellin ekonomisë, mjafton vetëm të bëjmë një shëtitje në Çarshinë e vjetër të Shkupit, dhe të shihet ulja e qarkullimit në dyqanet e profileve nga më të ndryshmet. Edhe anketat e ndryshme nga ciklet e mëparshme zgjedhore tregojnë se mbi gjysma e afaristëve të anketuar kanë pohuar se zgjedhjet ndikojnë negativisht në punën e tyre.
Para tre muajsh edhe Patrik Martens, drejtor i delegacionit të ekonomisë gjermane, tha se si përfaqësues i kompanive gjermane në Maqedoni, për ta fokusi si përfaqësues i kompanive gjermane në Maqedoni është siguria juridike dhe siguria në përgjithësi, si parakushte për planifikime afatgjate.
Gjatë kohëzgjatjes disa mujore të euforisë së zgjedhjeve, biznesi kalkulon dhe pret rezultatet, zvarritet pagesa e faturave, anulohen reformat për shkak se i tërë shteti fokusohet në fushatat parazgjedhore. Me fjalë të tjera, në vend të zgjidhjes së problemeve reale, të ndotjes së ajrit, funksionimit më efikas të administratës shtetërore, investimeve dhe rritjes së produktivitetit që do të sjellin edhe rritje të pagave dhe përmirësimin e mirëqenies, shteti humb një kohë mjaft të çmueshme. Marrëveshja e Prespës shkon drejt finalizimit edhe në Greqi, pas kalimit në Parlamentin e Maqedonisë. E pritshme është që sivjet të fillojmë bisedat për anëtarësim me Bashkimin Evropian , si dhe të fillojë procesi i ratifikimit të Protokollit në 29 shtetet anëtare të NATO-s, që si epilog mund të kenë anëtarësimin e plotë në Aleancën Veriatlantike. Pra, koha është për reforma, ruajtje të stabilitetit politik dhe ekonomik, investime të reja dhe rezultate konkrete ekonomike që do ti ndjejë çdo qytetar i Maqedonisë në kuletën e tij. Ky është edhe thelbi i punës së ekzekutivit që do të jetë e prekshme për të gjithë banorët e vendit. (koha.mk)