Institucionet dhe partitë politike në vend nuk duan të japin vlerësime për konkluzionet e Komisionit të Venedikut për Ligjin për përdorimin e gjuhëve para se ato të bëhen zyrtare. Vlerësojnë se mendimi i ekspertëve të Komisionit të Venedikut është i klasifikuar deri në miratimin e tij
Destan JONUZI
Shkup, 8 tetor – Konkluzionet e Komisionit të Venedikut mbi Ligjin për përdorimin e gjuhëve edhe pse konsiderohen si të klasifikuara, ato para kohe janë shfaqur në opinion. Më 17 dhjetor do të mësohet se a do të jetë ky version final i konkluzioneve të Komisionit të Venedikut për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk e komentojnë mendimin e ekspertëve të Komisionit të Venedikut deri në miratimin e tij.
“Mendimi i ekspertëve të Komisionit Venedikut është i klasifikuar deri në miratimin e tij nga komisioni kur duhet të bëhet zyrtar. Deri në zyrtarizmin e tij nuk do ta komentojmë, ndërsa sapo të miratohet, do ta fillojmë procesin e implementimit të rekomandimeve të përmbajtura në të”, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Sipas vlerësimeve të Komisionit Venedikut, Ligji i gjuhëve do ta rrezikojë funksionimin e tërë sistemit gjyqësor. “Shumë dispozita të Ligjit të gjuhëve (nga viti 2018) i tejkalojnë standardet evropiane të definuara veçanërisht në Konventën kornizë për mbrojtje të pakicave kombëtare dhe Kartës evropiane për gjuhë të pakicave dhe rajonale. Kjo në parim është për lëvdatë. Komisioni Venedikut e përshëndet gatishmërinë e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për përmirësimin e gjendjes gjuhësore të bashkësive të pakicave”. Sipas mendimit të Komisionit të Venedikut në rajone të caktuara ligji shkon shumë larg, duke futur obligime juridike joformale me të cilat parashikohet përdorimi i gjuhës shqipe në procedura gjyqësore, të cilat janë formuluar në mënyrë aq të gjerë që me siguri do të kërkonin përgatitja shumëvjeçare të zbatohet në tërësi.
LIGJI I GJUHËVE ME SHUMË TË META
Profesori universitar, Bashkim Selmani vlerëson se Ligji i gjuhëve është miratuar me shumë të meta she shpejtësi politike, për të cilat siç shprehet ai, pasoja të cilat i dedekton edhe Komisioni i Venedikut. “Është fakt, se ky ligj u soll me shumë të meta dhe shpejtësi politike që sot dalin pasojat. Gjuha është e drejt natyrore që po pengohet nga ligjvënësi me vullnet gjysmak politik sa për sy e faqe! Një shembull që flet për pengesë është edhe për studentët e drejtësisë që studimet i mbarojnë në gjuhën shqipe dhe provimi i jurisprudencës nuk lejohet në gjuhën shqipe. Prandaj është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare – gjuha ose lejohet plotësisht, në të kundërtën është jo funksionale dhe lë hapësire për interpretim dhe vullnetin e institucionit ta respektoj apo jo”, deklaroi për KOHA, Selmani.
Nga ana tjetër, analisti politik, Faton Aliti thekson se vërejtjet e Komisionit të Venedikut për Ligjin për përdorimin e Gjuhëve kanë logjikë juridike dhe brenga për efikasitetin e institucioneve është e arsyeshme. “Në veçanti për shkakun se ka norma të këtij ligji të cilat e rregullojnë përdorimin e gjuhëve në gjykata dhe që nuk janë të precizuara mjaftueshëm, e njëkohësisht përbëjnë bazë për kthim të lëndëve në rigjykim. Por kjo nuk do të thotë se këto norma nuk mund të precizohen dhe të bëhet më i lehtë zbatimi i tyre. Sa i përket kostos, për mendimin tim nuk duhet të jetë pengesë fare, sepse bëhet fjalë për interes thelbësor të qytetarëve shqiptarë të cilët krah për krah me tjerët kontribuojnë në ndërtimin e shoqërisë dhe shtetit të përbashkët. Pres që ky moment ti nxjerrë në pah këndvështrimet e ndryshme të partive politike varësisht nga premisa etnike. Kjo len hapësirë për përdorimin të temës për qëllime zgjedhore ku palët do të radikalizojnë fjalorin. Si përfundim, mendoj se politikisht kjo iu përgjigjet palëve në garën zgjedhore, e posaçërisht një pjese të LSDM-së e cila kohëve të fundit duket sikur mendon se kanë nevojë për të demonstruar se ata janë të zotët e shtëpisë ( në kuptimin etnik). Kuptohet se kjo është shumë naive, sepse nuk mund të injorohet nevoja e diku një të tretës së numrit të përgjithshëm të banorëve të Maqedonisë”, shprehet Aliti.
Ndërkaq, analisti Blerim Hyseni konsideron se Ligji në asnjë mënyre nuk duhet të cungohet sepse kjo realisht do të hapte probleme të karakterit ndëretnik. “Politika do të jetë përgjegjëse se kah do të ec procesi i zbatimit të ligjit të miratuar dhe relacionet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut”, nënvizon Hyseni.
KOSTOJA E PAQES ËSHTË E PALLOGARITSHME ME KOSTON ZBATIMIT TË LIGJIT
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi ka theksuar se asnjë çmim i implementimit të ndonjë ligji nuk është më i lartë nga çmimi dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike, ndërsa sipas tij, Ligji për përdorimin e gjuhëve e sjell këtë.
“Ende nuk janë zyrtare konkluzionet e Komisionit të Venedikut, por sido që të jetë, ne do ta respektojmë. Në këtë draft version, Komisioni përshëndet edhe avancimet e bëra në Ligj, por shpreh shqetësim vetëm në pjesën e kostos së zbatimit të tij. Kostoja e paqes dhe marrëdhënieve ndëretnike është e pallogaritshme me koston simbolike të zbatimit të një ligji”, thotë Grubi, i cili beson se ligji është plotësisht i zbatueshëm në praktikë. Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, pret që informacionet e plasuara për konkluzionet e Komisionit të Venedikut mbi ligjin për përdorimin e gjuhëve të zyrtarizohen.
“Presim zyrtarisht, informacionin në Lidhje me Vlerësimin e Komisionit të Venedikut, për Ligjin e Gjuhës, respektivisht për dy nenet kontestuese qe janë dërguar për vlerësim. Më pas do japim qëndrimin tonë më të zgjeruar. Fillimisht vlerësojmë se Ligji i Gjuhëve apo i gjuhës shqipe, dha një impakt pozitiv né zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut. Ishte një parakusht i krijimit të kësaj qeverie, nder argumentet kryesore që Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s. Ç’do kthese prapa e këtij ligji, revidim apo ndryshim, do të krijonte ndarje politike dhe do rrezikonte të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut. Sa më lehtë dhe më shpejt ti tejkalojmë temat etnike, aq më shumë do të kemi kohë dhe energji politike, për tu fokusuar në temat e integrimeve, funksioni të shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik. Ne i njohim institucionet ndërkombëtare i respektojmë ato njëjtë si kërkesat e ligjshme të shqiptareve në Maqedoninë e Veriut, për të pasur një ligj cilësor për gjuhët, që paraqet një të drejtë fundamentale dhe demokratike”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Projekti i konkluzioneve të Venedikut për Ligjin e gjuhëve është përgatitur më 27 shtator të këtij viti, ndërsa zyrtarisht do të publikohen me 17 dhjetor. (koha.mk)