Takimi i liderëve është i nevojshëm nëse ka për qëllim unifikimin e qëndrimit kundrejt kontestit me Bullgarinë. Por, nëse kjo bëhet me qëllim të imponimit të qëndrimeve ekstreme të opozitës në pozicionimin zyrtarë të Maqedonisë, është jokorrekte të thirret e mbahet
Destan JONUZI
Shkup, 21 nëntor – Takim liderësh në të cilin do të diskutohet për dështimin e gjashtë me radhë të Maqedonisë së Veriut në procesin negociues me BE-në, mundësia e formimit të Qeverisë së zgjeruar dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale janë kërkesat e fundit të opozitës ndaj pushtetit. Këto kërkesa i ka bërë publike vet kreu i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela. KOHA mëson se prapa të njëjtave kërkesa qëndron edhe partneri i koalicionit të Selës, Alternativa e Afrim Gashit. Ndërkohë, takim liderësh ka kërkuar edhe lideri i opozitës maqedonase, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Burime partiake nga partia e Mickoskit thonë se kërkesat e opozitës shqiptare janë legjitime dhe se meritojnë trajtim dhe vëmendje serioze. “Kërkesat e opozitës shqiptare janë legjitime. Ato janë të argumentuara dhe meritojnë trajtim dhe vëmendje serioze nga të gjithë faktorët relevantë. Vendi më i mirë për ti trajtuar këto çështje është një takim liderësh në të cilin ndoshta edhe mund të arrihet kompromis dhe konsensus për vërejtjet e opozitës, madje edhe të gjinden zgjidhje që do e çojnë vendin përpara. Por, mbi gjitha lufta ndaj Covid-19 duhet të jetë prioriteti ynë i përbashkët pa dallim të përcaktimeve tona politike, apo etnike”, thonë për KOHA nga opozitarja VMRO-DPMNE. Por, sa janë të zbatueshme këto kërkesa të opozitës?
Analisti Blerim Hyseni mendon se tani më është çështje e vonuar thirrje e një takimi liderësh sepse shpresat për fillimin e negociatave u shuan. “S’di cili do te ishte efekti i një takimi liderësh dhe çfarë do të ndërmerrte për të tejkaluar këtë situatë. Fokusi duhet të jetë në euro-integrimet dhe të bëhen përpjekje maksimale për të tejkaluar mosmarrëveshjet me Bullgarinë dhe assesi të mos lejohet shfrytëzimi i këtij momenti sepse mund të ndodh që negociatat të zgjasin për dekada të tëra siç e kishim rastin me kontestin me Greqinë. Në këto zhvillime nuk mendoj që zgjedhjet do të ishin zgjidhje sepse kushdo që të vijë në pushtet do të prolongohej edhe më shumë zgjidhja e problemeve me Bullgarinë dhe se do të lëshohej momenti kur BE ka sytë ka Maqedonia e Veriut. Megjithatë është e drejtë e opozitës që gjithherë të kërkojë zgjedhje të parakohshme”, vlerëson Hyseni.
Profesori universitar Mitasin Beqiri, vlerëson se kërkesat e opozitës janë të ndikuara nga një moment politik dhe nuk janë të analizuara mirë. Ai thotë se vendin e presin procese shumë të rëndësishme se sa zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Kërkesat e opozitës nuk janë të realizueshme sipas meje. Vitin që vjen vendi e presin dy obligime kapitale – regjistrimi i popullsisë dhe zgjedhjet lokale, kështu që këto të pushtetit nuk e kanë ndërmend që të lëshojnë pe, prandaj këto kërkesa të opozitës nuk mbajnë. Madje nëse kemi parasysh se para katër muajve u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe se vendi nuk ka ende institucione stabile, atëherë shumë e vështirë është vendosja në zbatim e këtyre kërkesave”, thotë Beqiri.
Edhe gazetari Aco Kabranov kërkesat e opozitës shqiptare i vlerëson të pazbatueshme, dhe konsideron se ato vijnë si mungesë e ofertave të opozitës. “Kërkesa e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Z. Sela që vitin e ardhshëm, së bashku me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare mendoj se janë të pabaza dhe shumë të hershme. Deri atëherë ka edhe një vit kohë. Por sigurisht se në mungesë të një oferte tjetër, është përcaktuar për këtë”, deklaroi për KOHA, Kabranov.
Në anën tjetër, opinionisti Faton Aliti konsideron se takim liderësh i cili ka për qëllim unifikimin e qëndrimit kundrejt kontestit me Bullgarinë është i nevojshëm. Por, shton ai, nëse kjo bëhet me qëllim të imponimit të qëndrimeve ekstreme të opozitës maqedonase në pozicionimin zyrtarë të Maqedonisë atëherë mendoj se është jokorrekte. “Është herët për të thënë se hapja e negociatave ka dështuar sepse pritet që interesi dhe angazhimi amerikan në rajon dhe konkretisht në këtë kontest të ritet tani e tutje, e në veçanti pas ndryshimit të administratës amerikane në Janar të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, nuk duhet nënvlerësuar edhe presioni gjerman ndaj palës bullgare. Prandaj, kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare është e nxituar në këtë moment dhe mendoj se duhet të pritet deri pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari”, shprehet Aliti.
Ndërkohë, analisti Selim Ibraimi vlerëson se me qëllim të ngritjes së efikasitetit diplomatik dhe përballjes sa më të mirë me pasojat e krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga Covid-19, vendi do të ishte mirë që bashkë me zgjedhjet lokale të shkojë edhe në zgjedhe të parakohshme parlamentare. “Po në fakt zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme sepse do të testonin politikat afatgjata të Zaevit dhe Ahmetit. Për shkak të Bullgarisë, diplomacisë jo efikase të Shkupit dhe pandemisë, do të ishte në interes të Zaevit të shpallnin zgjedhje të parakohshme dhe bashkë me lokalet të organizoheshin edhe parlamentaret ku qeveria e 2021 do të ishte më stabile dhe do të çonte Maqedoninë drejt BE-së. Maqedonisë i nevojitet stabilitet ndëretnik, fqinjësi e mirë dhe ekonomi dhe mirëqenie. Zgjedhje duhet të organizohen bashkë me lokalet dhe kjo do të marrë formë-pra thirrjet gjatë 2021 kur ekonomia do të pësojë edhe më shumë rënie”, nënvizon Ibraimi.
Ndryshe, së fundmi kreu i opozitares Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kërkuar takim liderësh, Qeveri të zgjeruar dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të dështimit të gjashtë për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Të kujtojmë se në dy Qeveritë e Zaevit, gjashtë herë vendi nuk ka arritur ti fillojë zyrtarisht negociatat me BE-në. Përveç vërejtjeve në këtë fushë opozita shqiptare dhe ajo maqedonase janë një sërë vërejtjesh ndaj pushtetit edhe për mënyrën e ballafaqimit me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga Covid-19. (koha.mk)