Ethemi largohet nga Kukësi, transferohet te Zaglebie Lubin

Të dashur kuksianë, ishte kënaqësi të isha njëri prej jush. Do të mbetem gjithmonë tifoz i Kukësit dhe uroj shumë suksese në të ardhmen. Tani është koha për një aventurë të re. Me shumë dashuri, Valoni“, shkruan 22-vjeçari

18

Shkup, 4 gusht – Valon Ethemi i ka dhënë fund aventurës me Kukësin. Një ndër lojtarët më të mirë të ekipit verilindor, autor i 7 golave në këtë sezon, ka zyrtarizuar ndarjen me nënkampionët e Shqipërisë, në një postim emocionues të bërë në rrjetet sociale. Karriera e tij do të vazhdojë në kampionatin polak te skuadra e Zaglebie Lubin. “Onet.pl” raporton se lojtari nga Maqedonia e Veriut, do të zëvendësojë sllovenin Damjan Bohar, përcjellë gazeta Koha.mk.

“Vlerësim dhe mirënjohje për tre vitet me KF Kukësin. Faleminderit të gjithëve atyre që bënë të ndjehem te Kukësi si në shtëpinë time. Mirënjohje pafund për tifozët e Kukësit, të cilët më pranuan dhe bënë të ndihem si pjesë e tyre. Faleminderit drejtuesve të klubit, menaxhmentit dhe gjithë trajnerëve me të cilët bashkëpunova tre vitet e fundit, për mundësinë e dhënë që të përfaqësoj Kukësin dhe të kontribuoj për tre vite rresht për fanellën e kësaj skuadre”, shkruan Ethemi në postimin e tij në rrjetet sociale.

“Vlerësim i pafund për bashkëlojtarët! Ata janë vëllezërit e mi. Të jetoja këtë aventurë bashkë me ata çuna, më ka bërë të ndjej dashurinë e vërtetë për futbollin. Jam falënderues dhe mirënjohës që pata mundësinë të isha pjesë e këtij klubi. Pengu i vetëm më mbetet fakti që nuk mundëm të fitojmë titullin kampion, por uroj Kukësin ta fitojë shumë herë në të ardhmen, duke filluar nga sezoni që pason. Të nderuar miq në përgjithësi dhe tifozë të KF Kukësit në veçanti, për arsye profesionale kam vendosur të largohem për të provuar veten në një kampionat më konkurrues. Të dashur kuksianë, ishte kënaqësi të isha njëri prej jush. Do të mbetem gjithmonë tifoz i Kukësit dhe uroj shumë suksese në të ardhmen. Tani është koha për një aventurë të re. Me shumë dashuri, Valoni“, shkruan 22-vjeçari.

Comments are closed.