Talin, 13 qershor – Estonia e ka ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Parlamenti estonez pa asnjë votë kundër dje ka dhënë dritë të gjelbër për inkuadrimin e vendit në Aleancën Veriatlantike.
Estonia është vendi i 17-të që e ka ratifikuar Protokollin, pasi javën e kaluar atë e bëri Bundestagu gjerman.
Procedura për ratifikim dje ka filluar edhe në Senatin e SHBA-së. Në Komisionin për punë të jashtme të Senatit amerikan do të ketë dëgjim lidhur me qasjen e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në dëgjimin në Senat janë ftuar ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi Filip Riker dhe Ketrin Vilbarger, zëvendës sekretar amerikan për mbrojtje dhe çështje ndërkombëtare të sigurisë.
Me ratifikimin e Protokollit të 29 shteteve aleate në Aleancë, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s. (koha.mk)