Esmeralda Hoti jeton në Bruksel, por që karrierën ka preferuar ta realizojë në Shqipëri më së shumti. Ajo ka disa klipe në treg, madje bashkëpunimi i saj i fundit me Hekuran Krasniqin duket se i ka dhënë një shtysë edhe më të madhe drejt suksesit. Esmeralda sapo ka nxjerrë një klip mjaft interesant me titull “Për dashni” me të cilin ka nisur edhe verën këtë vit, klip me ngjyra, ritëm dhe mjaft harmonik. Njihemi bashkë me këngëtaren në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Le ta nisim këtë intervistë me një pyetje të cilën vetëm ti mund t’i japësh përgjigjen e duhur. Çfarë mendon Esmeralda kur një tekst i bukur bashkohet me një melodi interesante e të dy bashkë shkrihen kaq harmonishëm në këngën “ Për dashni”?
Të jem e sinqertë, Elgiti u kujdes për tekstin dhe për produksionin dhe mua më pëlqeu që në momentin e parë që e dëgjova. Jam me fat që e kam kënduar tekstin dhe muzikën e Elgit Dodës, sepse është një produksion mjaft i mirë dhe uroj të ketë zënë vend zemrat e publikut. Për veshjet u kujdes vajza ime Evelin ndërsa për flokët dhe make-up Sellma dhe Kaci. Një skuadër për t’u pasur zili apo jo?
KOHA: Sa përkon ideja fillestare me punën e përfunduar?
Ideja fillestare ishte ajo që është edhe përfundimtarja pasi ishim shumë të qartë në atë çfarë donim. Mund të jenë bërë ndryshime të vogla gjatë rrugës, por kjo që doli ishte edhe ideja e duhur që në fillim. Xhirimi i dy klipeve të fundit u realizuan nga “Bugproduction” që kanë bërë një punë mjaft të mirë dhe unë jam shumë e kënaqur.
KOHA: Çfarë emocionesh ndjeve pas publikimit të klipit?
Shumë rinore, deri tan…
KOHA: Në fakt, ti ke publikuar edhe një bashkëpunim vetëm pak kohë më parë, me Hekuran Krasniqin. Pati impaktin e duhur ky bashkëpunim?
Hekuran Krasniqi është një emblemë e muzikës shqiptare dhe jam e lumtur që realizova një bashkëpunim me të. “Nuk ka tjetër” u realizua këndshëm dhe u pëlqye nga publiku, për të cilin edhe punohet më shumë. Në fillim mendova që nuk është aq i lehtë një bashkëpunim dhe qe mund të kemi mos përputhje në ndonjë detaj, por sinqerisht na shkoi çdo gjë shumë lehtë e shumë mirë, ndoshta ngaqë Hekurani ishte shumë person pozitiv, i qetë dhe shumë i saktë në çdo gjë që krijonte ai. Me shumë kënaqësi do bashkëpunoja përsëri me Hekuranin, sepse unë admiroj të gjitha krijimet dhe këngët e tij!
KOHA: Jeta e një artisti supozohet të jetë e bukur, e vrullshme, me plot gjëra për të bërë e për t’u treguar… Çfarë e ka pasuruar jetën tënde, së fundmi?
Jeta e artistit është shumë e ngarkuar por edhe shumë e bukur. I ka të dyja anët e medaljes dhe aktivitetet ku kam qenë e ftuar apo edhe klipet që kam publikuar e kanë pasuruar jetën time artistike.
KOHA: Këngët e tua të deritanishme janë vërtet të ndryshme nga njëra-tjetra, por ajo që i bashkon është ritmi dhe freskia që përcillet nëpërmjet vokalit dhe muzikës gjithashtu… Këto janë këngët që të përshtaten më së shumti ty?
Do të thosha që nëpërmjet këngëve të mia del në pah edhe karakteri im që deri tani është përcjellë në këtë mënyrë, me këngë që do të thosha se më janë përshtatur mjaft mirë.
KOHA: Të pëlqen të ndjekësh një “grafik” të caktuar në publikimet e punëve të tua apo zgjedh momentin më të volitshëm për ta bërë këtë?
Preferoj të mos bëhem e mërzitshme për publikun dhe vendos të publikoj një këngë kur jam e sigurt se do të pritet mirë dhe ia vlen të paraqitet.
KOHA: Mbipopullimi në muzikë sot është për t’u parë si nxitës i konkurrencës apo si deformues i shijeve muzikore?
Nga momenti që ekzistojnë lloj-lloj shijesh, do ekzistojnë edhe zhanre të ndryshme që do t’i përfaqësojnë këto të fundit. Kam qenë gjithmonë e mendimit që konkurrenca të nxit të përmirësohesh dhe në muzikë ka mjaftueshëm të tillë. (Qesh)
KOHA: Fakti që ti jeton në Bruksel dhe je pjesë e tregut muzikor këtu, ta bën më të lodhshëm apo më interesant angazhimin me muzikë?
Ky fakt e ka bërë jetën time më interesante në përgjithësi dhe jam shumë e lumtur për këtë.
KOHA: Kush mendon se ka zërin më të bukur në tregun muzikor tani për tani?
S’do të kisha dëshirë të bëja përcaktime të tilla, pasi në tregun shqiptar ka shumë zëra të mirë vërtet.
KOHA: Një nga zgjedhjet për të cilat je krenare…?
Janë disa, por mbi të gjitha, jam krenare që kam zgjedhur të merrem me këngën, pasi e ndjej veten të plotësuar në këtë fushë.
KOHA: Cila është ideja jote për lumturinë e vërtetë?
Një sy qorr e një vesh shurdh…
KOHA: Cila është ajo gjë që të ngjall admirim te të tjerët?
Sinqeriteti.
KOHA: Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
Perfekte.
KOHA: Cila ka qenë arritja jote më e madhe?
Ka pas shumë momente dhe arritje në jetën time, por ardhja në jetë e vajzës time ka qenë fitorja dhe arritja më e madhe, lumturia më e madhe që mund të përjetojë një femër. Ajo është gjithçka që është e bukur në këtë jetë, e kam si shoqe që mund të them që gati në gjithçka rreth jetës time diskutohet me atë të parën dhe pastaj veproj.
KOHA: A është femra një superfuqi sot?
Ende jo ashtu siç duhet dhe siç e meriton!
KOHA: Si qëndrojnë në raport me njëra-tjetrën bukuria e përjetshme me atë të shpirtit?
Përfundimisht, nëse ti ndjehesh e re brenda, atë do të reflektosh edhe jashtë. Unë besoj në vetëbesim dhe kjo më bën të ndjehem e bukur gjithmonë. (Buzëqesh)
KOHA: Në ç’moment e ke kuptuar që paraja është vërtet e rëndësishme?
Të jem e sinqertë, tani kam kuptuar që paraja s’të jep asgjë.
KOHA: Do të të shohim në ndonjë realizim tjetër muzikor, së shpejti?
Shumë shpejt do të vij me një këngë të re, një produksion që s’po e zbuloj akoma por që do jetë mjaft i goditur.