Shkup, 2 korrik – Me qëllim të parandalimit të futjes, vërejtjes me kohë dhe paraqitjes së sëmundjes “mortaja” e deleve dhe dhive, e cila prej 22 qershorit është konstatuar edhe në Bullgarinë fqinje, ndërkaq është e pranishme edhe në Turqi, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) solli Vendim për ndalesë të importit dhe transitit nga Bullgaria të ripërtypësve të vegjël, të gjallë shtëpiak dhe të egër, qelizave amë dhe embrioneve të tyre, mishit, prodhimeve dhe përpunimeve nga mishi, qumështi dhe prodhimeve nga qumështi, si prodhimeve të tjera.
AUV kumtoi se janë vendosur edhe masa për reagim të shpejtë dhe përballje të suksesshme gjatë dukurisë së mundshme të sëmundjes edhe tek ne.
Mortaja tek ripërtypësit e vegjël (delet dhe dhitë) është sëmundje virusale e cila përhapet shpejtë në kope dhe shkakton humbje të mëdha ekonomike tek kjo kategori e kafshëve, por nuk paraqet rrezik për njerëzit. Simptomat janë: ethe, plagë në gojë, diarre, pneumoni (problem me frymëmarrjen), aborte tek kafshët gravide, vdekje tek kafshët. Sëmundja më shpesh manifestohet tek kafshët e reja, ndërsa tek dhitë më shumë se tek delet.
Virusi tajitet përmes lotëve, sekretit nazal, me kollitje dhe përmes jashtëqitjes nga kafshët e infektuara, ndërsa përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë dhe të afërt mes kafshëve. Uji, enët për ushqim dhe mbulojës së kafshëve, gjithashtu, mund të jenë të kontaminuara me sekrete dhe të jenë burime shtesë të infektimit.
Mortaja tek ripërtypësit e vegjël është sëmundje e cila ndodhet në listën e sëmundjeve të Organizatës Botërore për mbrojtje shëndetësore të kafshëve (OIE)e cila duhet detyrimisht të paraqitet.
Agjencia u parashtroi njoftim të gjitha shoqatave veterinare që ta rrisin nivelin e kujdesit dhe menjëherë të paraqesin tek veterinarët zyrtarë kafshë të dyshimta. Njëherësh u bën thirrje kultivuesve të deleve dhe dhive, shoqatave veterinare dhe veterinarëve zyrtarë ta paraqesin secilën kafshë të dyshimtë dhe nëse tek një kafshë vërejnë simptome të kësaj sëmundje, të gjitha kafshëve nga ferma t’u pamundësohet lëvizja jashtë fermës, prej ku nuk guxon të dalin as prodhime të kafshëve, pajisje, plehra.