Shkup, 10 qershor – Është lokalizuar zjarri në Kisella Vodë në të cilin ishin djegur tri banesa prej të cilëve njëri tërësisht. Gjatë shuarjes së zjarrit janë lënduar tre zjarrfikës prej të cilëve dy kanë thithur tymin, ndërsa njëri ka lënduar dorën. Intervenimi ka zgjatur dy orë e gjysmë dhe në të morën pjesë 11 automjete zjarrfikëse, njofton Koha.mk
“Situata është nën kontroll, janë shpëtuar të gjithë banorët të cilët ishin në katin e gjashtë dhe të shtatë, i kanë zbritur të gjithë poshtë dhe të gjithë janë në gjendje të mirë. Kemi tre zjarrfikës të lënduar, njëri ka djegie në dorën e djathtë, është mbajtur në Klinikat e Shkupit, ndërsa dy zjarrfikësit tjerë kanë thithur tymin sepse nuk kishte ajër të mjaftueshëm që të hapen dritaret. Tani për tani gjithçka është nën kontroll, lartë nuk është askush”, deklaroi komandanti i Njësitit Zjarrfikës Vladimir Simonovski.
Sipas tij, ende nuk është konfirmuar se cili është shkaku për zjarrin, por sipas njohurive fillestare supozohet se është shkaktuar nga zjarri.
“Sipas gjitha gjasave zjarri është shkaktuar nga instalimi i rrymës ose nga diçka e ngjashme. Nga nxehtësia është kapluar edhe banesa përballë në anën tjetër. Ishte shumë vështirë që të depërtohet brenda dhe ishin kapluar edhe dy banesa të tjera nga zjarri. Në banesat kishte shtatë persona, në mesin e të cilëve edhe dy fëmijë, ndërsa më të rriturit tjerë dhe të gjithë janë në gjendje të shkëlqyer. Gruaja e fundit e cila ishte nxjerrë ka pasur probleme me frymëmarrjen, por tani është nën ndikimin e ilaçeve dhe është në gjendje të mirë. Deri në mbrëmje qytetarët do të mund të hynë në banesat, hyrja është e lirë”, theksoi Simonovski.
Kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Filip Temellkovski porositi se në komunë ka fonde për fatkeqësi të tilla.
“procedura është që t’i presim raportet nga MPB-ja dhe pastaj me ato qytetarët aplikojnë për ndihmë financiare deri te komuna të cilën e miraton Këshilli i Komunës së Kisella Vodës. Iu falënderoj në emrin tim dhe në emër të qytetarëve zjarrfikësve për intervenimin e shpejtë dhe guximin të cilin e treguan”, deklaroi Temellkovski. (koha.mk)