Shkup, 17 janar – Muajin e ardhshëm, sipas autoriteteve shëndetësore, pritet të arrijnë dozat e para të vaksinave në shtet nga “Fajzer” dhe mekanizmi KOVAKS, ndërsa sistemi shëndetësor, siç thonë, është i gatshëm për vaksinim.
Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe dje në mbledhje të Qeverisë i prezantoi informatat më të reja për furnizimin e vaksinave kundër KOVID-19 nga prodhuesi Fajzer, për vazhdimin e kontakteve intensive për furnizim dhe dërgesë të kësaj vaksine, përfshirë aspektet e procedurës për furnizim e cila duhet të zbatohet, si dhe për regjistrim të vaksinës në shtet.
Sipas Filipçes, sistemi shëndetësor është tërësisht i përgatitur për vaksinim, ndërsa në shkurt pritet të arrijnë dozat e para nga “Fajzer” dhe mekanizmi “KOVAKS”. Tashmë kanë arritur dy frigoriferë të cilët ishin paralajmëruar si donacion për vaksinën e Fajzerit e cila ruhet në -70 gradë, ndërkaq edhe tre priten gjatë javëve në vijim. Në një frigorifer mund të deponohen 100 mijë doza të vaksinave.
Filipçe paralajmëroi se për kohë të shkurtë do të arrihet marrëveshje me kompaninë Fajzer, prej nga priten 5.850 doza në shkurt, ndërsa nga 17.500 në mars dhe në prill. Në shkurt, pohon ministri, do të arrijnë edhe vaksinat përmes mekanizmit KOVAKS, për të cilat është bërë udhëzimi dhe është siguruar garanca adekuate. Sasia e përgjithshme e vaksinës përmes këtij mekanizmi për shtetin tonë është 833.000 doza.
Në statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë dje u regjistruan edhe 361 të infektuar nga Kovid-19, 14 të vdekur, si dhe 2 116 pacientë të shëruar. Aktivë janë 14 461 raste, edhe më tej më së shumti në Shkup, ku ka 8 653, pas çka pason Tetova me 576, Kumanova, Gostivari, Ohri, Strumica dhe Kavadari me nga rreth 400. Në kovid qendrat dje është paraqitur se po mjekohen gjithsej 670 pacientë të infektuar dhe të dyshuar me koronavirusin, për 30 më pak se 24 orët e kaluar dhe ka rreth 600 shtretër të lirël spitalorë në repartet infektive.
Në shtet deri më tani janë detektuar 7-8 lloje të virusit. Është bërë sekuencionimi në laboratoret në ASHAM. Nga muajt e fundit të verës e këtej mbisundojnë dy lloje. Tani po bëhet sekuencionimi edhe i virusit nga dy javët e fundit në mënyrë që të shihet nëse ka ndonjë mutacion i cili ndoshta është i ngjashëm me atë që ekziston në Britani të Madhe.
Gjendja me pandeminë e kovid-19 edhe dje ishte temë e akuzave ndërmjet VMRO-DPMNE-së opozitare dhe LSDM-së në pushtet. VMRO-DPMNE e kritikoi puhstetin për përballjen me pandeminë, duke cekur se vetëm në shtetin tonë akoma nuk ka vaksina, në situatë ku i tërë rajoni po vaksinohet.
Nga LSDM porositën qytetarët të jenë të qetë dhe të mos u nënshtrohen, siç kumtuan, tezave të rrejshme të VMRO-DPMNE-së. Qeveria e kryesuar nga LSDM, përmes tre mekanizmave, do të sigurojë vaksina kundër koronavirusit për vaksinim të 60 për qind të popullatës. VMRO-DPMNE, si edhe deri më tani do të sigurojë vetëm gënjeshtra të larme dhe destruksione, theksuan nga LSDM.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vendin tonë prej fillimit të epidemisë është 88 749, i pacientëve të shëruar është 71 592, i të vdekurve 2 696.