Është ndaluar ndërtimi i Rrotës panoramike

Shkup, 4 dhjetor – Është ndaluar ndërtimi i Rrotës panoramike. Qyteti i Shkupit nuk ka nevojë për të dhe kemi fat që nuk është paguar, kështu së paku do të kursejmë para të qytetarëve. Këtë sot e kumtoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

“Për objektet e tjera në shtratin e lumit Vardar, siç e njoftova tashmë opinionin, disa nga procedurat po zhvillohen brenda në administratën e qytetit dhe kërkojmë mendim dhe bashkëpunim nga organe të tjera kompetente. Për ne prioritet është siguria e Shkupit”, tha Shilegov.

Shilegov theksoi se marrëveshja me ndërmarrjen ndërtimore “Beton” SHA Shkup është stornuar, ndërkaq për pozicionet, të cilat, siç tha, janë kryer deri më tani, si dhe për gjithçka në “Shkupi 2014”, “Beton” është paguar me kohë.

“Faza e mëtejshme e marrëveshjes parasheh vendosje të rrotës, që tani për tani është stornuar”, tha Shilegov.

Kryetari i Shkupit informoi se në rrjedhë është procedura juridike për anijet dhe paralajmëroi se në disa ditët në vijim organet kompetente inspektuese të Qytetit do t’i vizitojnë pronarët e objekteve në mënyrë që të shihet harmonizimi i tyre me vendimet qeveritare, më pas do të ndërmerren hapat e mëtutjeshëm.

I pyetur nëse do të ketë dislokim të përmendoreve nga projekti “Shkupi 2014”, Shilegov tha se ekipe të përbëra nga disa institucione kompetente po konfirmojnë protokollin për, siç tha,ato ngjarje.