Rusia mund t’i dorëzojë 24 marinarët ukrainas, të cilët i arrestoi në afërsi të bregut të Krimesë, në suaza të Marrëveshjes për këmbim të të burgosurve me Ukrainën, publikuan mediat ruse duke iu referuar burimeve anonime diplomatike.
Sipas tyre marinarët ukrainas fillimisht do të gjykohen në Rusi para se të arrihet çfarëdo qoftë marrëveshje për këmbim. Ato thonë se një numër i madh rusësh janë në paraburgim në Ukrainë, të cilët mund të jenë subjekt këmbimi.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i bënë thirrje Moskës t’i lirojë marinarët, të cilët janë në paraburgim pasi në nëntor marina ushtarake ruse ka mbajtur tre anije ukrainase së bashku me ekuipazhin e tyre.
Ende nuk është caktuar data e gjykimit të marinarëve ukrainas.
Marinarët ukrainas deklaruan se janë ushtarë të burgosur, por statusin e tillë të tyre e kontestoi Moska.